Aktualitet

“Punon apo jo inceneratori i Elbasanit?”/ Debat mes Luan Ramës dhe Sara Miles: Nuk më lidh asgjë me të

Një debat mes moderatorit Luan Rama dhe deputetes së Partisë Socialiste, Sara Mila, është zhvilluar në emisionin “Drejt” në Ora News, lidhur me inceneratorin e Elbasanit dhe përgjegjësinë e përfaqësuesve politikë për çështjet që shqetësojnë qytetarët.

Luan Rama e pyeti deputeten socialiste nëse inceneratori i Elbasanit është funksional, duke kujtuar se Partia Socialiste e kishte prezantuar atë si një investim të rëndësishëm për qytetin. Ai e cilësoi çështjen e inceneratorëve si një shembull të qeverisjes që ka nxitur pakënaqësi, ndërsa kërkoi nga Mile një përgjigje të drejtpërdrejtë.

Nga ana e saj, deputetja deklaroi se administrimi i inceneratorit nuk është në funksionet e saj dhe se nuk dëshironte të jepte përgjigje që, sipas saj, do të përdoreshin për të ndërtuar një lajm të caktuar.

“Po a mund të ta bëj dhe unë ty një pyetje në fakt? A është tek funksionet e mia që të menaxhoj inceneratorin e Elbasanit dhe të kem dijeni unë se si administrohet inceneratori i Elbasanit?”, u shpreh Mila.

Ajo shtoi se nuk e kishte dëgjuar asnjë student të Elbasanit të përmendte inceneratorin gjatë protestave. Mile deklaroi se e ndiqte me vëmendje të veçantë protestën në këtë qytet dhe i kërkoi moderatorit të kërkonte ndjesë nëse kishte atribuuar protestuesve një qëndrim që ata nuk e kishin shprehur.

Në përgjigje, Luan Rama i propozoi deputetes që të shkonin së bashku në Elbasan dhe të zhvillonin një intervistë pranë inceneratorit, duke theksuar se ishte i gatshëm të kërkonte ndjesë nëse e vërteta do ta kërkonte një gjë të tillë.

Ad
Por Mila refuzoi të shkonte në incenerator, duke argumentuar se mandati i saj parlamentar dhe koha kur e kishte marrë atë nuk e lidhnin drejtpërdrejt me administrimin e këtij objekti.

“Institucionalisht, mua nuk më lidh asnjë gjë”, deklaroi deputetja, duke shtuar se duhej të krahasoheshin vitet e mandatit të saj me periudhën e funksionimit të inceneratorit.

Nga ana tjetër, Luan Rama këmbënguli se përfaqësimi publik e lidh një deputet me problemet e zonës që e ka zgjedhur, duke e cilësuar pyetjen e tij si të thjeshtë: nëse inceneratori i Elbasanit punon apo jo.

Debati u përqendrua te përgjegjësia politike për çështjen e inceneratorit, por edhe te roli i deputetëve në përballjen me shqetësimet e qytetarëve dhe kërkesat e protestuesve.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button