“Më kanë kër*ënuar me jetë”/ Kostana Morava: Nuk kam lidhje me qeverinë Rama

Kostana Morava ka reaguar ashpër ndaj protestave dhe sulmeve publike që, sipas saj, po përballen personat që shprehin qëndrime kritike ndaj kësaj lëvizjeje. Ajo mohon çdo lidhje me qeverinë e Edi Ramës dhe pretendon se ata që kundërshtojnë protestën po përballen me linçim publik, madje edhe me kërcënime për jetën.
Në deklaratën e saj, Morava e cilëson lëvizjen si të dhunshme dhe ngre dyshime se pas saj mund të ketë grupime politike që synojnë të marrin pushtetin pa u bërë publikë. Ajo përmend gjithashtu rastin e një ish-zëvendësministri të Arsimit, i cili, sipas saj, ka bërë thirrje që njerëzit ta bllokojnë.
“Jam një njeri i pavarur, pa as edhe një lidhje me qeverinë Rama. Absolutisht zero lidhje. Për këtë ju garantoj dhe shikoni se çfarë sulmesh publike marr unë”, deklaron Morava.
Më tej, ajo akuzon përpjekje për të mbyllur gojën e personave që nuk mbështesin protestën dhe pretendon se disa prej organizatorëve nuk po dalin publikisht për të treguar se kush janë dhe cilat janë synimet e tyre politike.
“Aq sa dhe ish-zëvendësministri i arsimit të qeverisë Rama çohet dhe bën thirrje që mua të më bëjnë bllok. Pra me çfarë kemi të bëjmë këtu? Kemi të bëjmë me një njerëz të cilët duan të na mbyllin gojën, me njerëz që duan të vijnë në pushtet me dhunë, me njerëz të cilët nuk dalin publikisht të thonë se kush janë, sepse me shumë mundësi kanë tashmë një grupim politik i cili me siguri është edhe në parlament”, shprehet ajo.
Morava vijon duke vënë në pikëpyetje qëllimet e kësaj lëvizjeje dhe arsyen pse, sipas saj, nuk është prezantuar hapur një strukturë e re politike që synon të drejtojë vendin. Ajo pretendon se kjo strukturë mund të jetë krijuar tashmë, por nuk është bërë publike.
Një pjesë e rëndësishme e reagimit të saj lidhet me atë që e quan një model sulmesh ndaj personave që kanë vënë në dyshim lëvizjen “Flamingo” dhe protestat e fundit. Sipas Moravës, ata që kanë mbajtur qëndrime të pavarura janë sulmuar dhe linçuar publikisht.
“Të gjithë shqiptarët e dinë, që ka guxuar të mbajë qëndrimin e tij të pavarur dhe të vënë në pikëpyetje lëvizjen flamingo dhe sot lëvizjen e dhunës në Shqipëri, është sulmuar, është linçuar publikisht deri në kërcënime për jetë. Kjo që po ndodh edhe me mua tani”, deklaron ajo.
Në përfundim, Morava shpreh mosbesimin e saj ndaj lëvizjes, duke argumentuar se përdorimi i dhunës dhe kërcënimeve për të heshtur kundërshtarët e bën të vështirë që ajo t’u besojë atyre që pretendojnë se synojnë të marrin drejtimin e vendit.
“Si mund t’i besoj unë kësaj lëvizje? Si mund të dua unë apo ti që të drejtohesh pikërisht nga kjo lëvizje e cila ende pa ardhur ende pa ardhur në pushtet ka marr gurët dhe kërkon të na mbylli gojën me kërcënime”, përfundon Kostana Morava.




