Life Style

Roza Lati refuzoi të hynte në “Ferma VIP” për shkak të Arbana Osmanit

Roza Lati foli hapur për televizionin shqiptar, profesionistët që sipas saj nuk po vlerësohen siç duhet dhe jo vetëm.

E ftuar në emisionin “Me Nder Jush” në Andale Media, moderatorja zbuloi gjithashtu se ajo dhe nëna e saj kishin refuzuar një ftesë për të marrë pjesë në “Ferma VIP”, pavarësisht ofertës financiare që la të kuptohej se ishte e konsiderueshme.

Gjatë bisedës për televizionin e ditëve të sotme, Roza u shpreh kritike ndaj mënyrës se si po trajtohen figurat me përvojë në ekran.

“Profesionistët e vjetër nuk po marrin atë që meritojnë”, tha ajo, duke shtuar se po sheh gjithnjë e më shumë figura të njohura të televizionit jashtë ekranit.
Si shembull përmendi Albana Osmanin, ish-moderatoren e Top Channel. Më pas, teksa po rendiste emra të tjerë, Roza u ndal edhe te Arbana Osmani.

“Arbana Osmanin s’mund ta them, se ishte te Ferma”, u shpreh ajo, duke iu referuar angazhimit të moderatores në reality show.

Pikërisht në këtë moment, Roza zbuloi se edhe ajo, së bashku me nënën e saj, Rita Latin, kishte marrë një ftesë për të qenë pjesë e programit, por kishte vendosur të mos e pranonte.

“Unë dhe mamin na kërkuan te Ferma dhe refuzuam kur mora vesh që ishte Arbana që prezantonte,” tregoi ajo.
E pyetur për këtë qëndrim, Roza bëri një vlerësim që ndante aftësitë profesionale të Arbana Osmanit nga mënyra se si, sipas saj, moderatorja sillet pas kamerave.

“Arbana para ekranit është shumë e mirë, por në prapaskenë është pak egoiste në drejtimin e ekranit, ka pak ego”, u shpreh Roza, duke lënë të kuptohej se, sipas saj, Arbana dëshiron të jetë vetë në qendër të vëmendjes.
Roza Lati ka pasur një karrierë me disa angazhime televizive, nga moderimi i “Thuaj 33” në Agon Channel dhe “Why Not?” në RTV Ora, te pjesëmarrja në “Big Brother VIP Albania 3”.
Gjatë bisedës në “Me Nder Jush”, ajo foli edhe për mungesën në ekran, duke shpjeguar se kjo shkëputje ka ardhur kryesisht si pasojë e mosmarrëveshjeve për kushtet e bashkëpunimit. Sipas Rozës, pas shumë vitesh përvojë në televizion, disa aspekte të një angazhimi profesional janë thelbësore dhe nuk mund të anashkalohen thjesht për të qenë e pranishme në ekran.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button