Politike

Plas “lufta” e shërbimeve sekrete në Tiranë, ja si inteligjenca turke kërkon rrëzimin e Edi Ramës si “kukull” e Izraelit, përplasja me Mossad-in, përdorimi i Vlora Hysenit e Ervis Martinajt te përgjimet dhe mbulimi i aferave të Ballukut me video seksuale, Alfred Cako zbardh detajet

Konspiracionisti dhe teoricieni, Alfred Cako ka ngritur pretendime të forta për një përplasje mes shërbimit sekret turk MIT dhe shërbimit izraelit Mossad, e cila, sipas tij, është shtrirë edhe në Shqipëri. Në analizën e tij në emisionin “Okult”, z. Cako pretendon se Ankaraja po përpiqet të godasë qeverinë e Edi Ramës, të cilin e konsideron një “kukull me tela” të Izraelit, ndërsa Mossad-i dhe CIA po punojnë për ta mbajtur atë në pushtet

Analiza e plotë e Alfred Cakos në emisionin “Okult”

“Marrëveshjen e Mekës, Turqia, Pakistani dhe Arabia Saudite është marrëveshje, pavarësisht se nuk deklarohet, është kundër krijimit të Izraelit të Madh dhe dominimit të territorit të Lindjes së Mesme nga Izraeli. Më përpara ka pasur vetëm tre vende që e njihnin Izraelin pa u lejuar të krijohej shteti i Palestinës prej Izraelit, midis të cilave ka qenë Egjipti dhe dy vende të Magrebit, ku përfshihet edhe Maroku.

Egjipti e ka njohur më 1979, dhe mbas vitit 2020, në kohën kur presidenti Trump ishte duke u larguar nga Shtëpia e Bardhë në mandatin e tij të parë, ai krijoi Marrëveshjet e Abrahamit, ku shumë vende të tjera, duke përfshirë Emiratet e Bashkuara Arabe dhe vende të tjera të Afrikës së Veriut, e njohën shtetin e Izraelit, pavarësisht lejimit të shtetit të Palestinës prej Izraelit për t’u krijuar apo jo. Shtetet e Bashkuara u përpoqën të krijonin një kordon sanitar me vendet myslimane kundër përpjekjeve të Iranit për t’u kundërvënë ekspansionit izraelit në rajon.

Njëkohësisht, Irani është një armik i betuar i Izraelit. Duke u bërë bashkë edhe këto tre vende, shtohet fuqia e vendeve kundër Izraelit. Këto funksionojnë pak a shumë sipas mënyrës së funksionimit të NATO-s, ku Turqia është një nga pesë-gjashtë vendet më të fuqishme ushtarake, me ushtrinë e dytë më të madhe në NATO, me një ushtri të stërvitur dhe të disiplinuar nga eksperienca e gjatë në NATO.

Pakistani ka armët bërthamore, ndërsa Arabia Saudite ka shumë naftë dhe energji, të cilat janë aq të nevojshme për programet bërthamore të cilat i aspiron Turqia. Turqia renditet e 16-ta në botë nga pikëpamja e fuqisë ekonomike. Izraeli nga ana e vet ka rreth 700 miliardë dollarë PBB dhe, së bashku me Greqinë që janë aleatë në Detin Mesdhe, kanë një PBB prej rreth 1 trilion dollarë. Përballë tyre, treshja Pakistan-Turqi-Arabi Saudite janë më shumë se trefish si fuqi ekonomike në rajon përballë dyshes Izrael-Greqi.

Greqia më përpara ka bërë një marrëveshje me Francën, ku palët angazhoheshin që në qoftë se një vend sulmohej, atëherë vendi tjetër automatikisht hynte në luftë me vendin që sulmonte Greqinë, dhe Greqia u ndie shumë e përkëdhelur përballë Turqisë, të cilën e ka rivale të përjetshme që nga koha e krijimit të Greqisë pas revolucionit të viteve 1821-1830. Kjo aleancë e Mekës është bërë me qëllim në Mekë si vende myslimane, ku Meka dihet që është simboli i vendeve myslimane islamike; nuk u bë në Riad, por u bë në Mekë.

Prapaskenat

Kjo treshe po përpiqet të futë edhe vende të tjera myslimane që t’i bashkohen kësaj marrëveshjeje. Më përpara ishte bërë një marrëveshje mes Turqisë dhe Azerbajxhanit pas luftës së Azerbajxhanit me Armeninë, dhe kjo u quajt Marrëveshja apo Protokolli i Shushës, ku Turqia dilte garant për të mbrojtur disa territore në favor të Azerbajxhanit, siç ishte edhe Shusha, një qytet në rajon ku u firmos edhe protokolli. Nga ana tjetër, duhet ditur që Irani në luftën mes Armenisë dhe Azerbajxhanit për Nagorni-Karabakun, megjithëse ka një lidhje dhe afërsi të madhe etnike, gjuhësore e kulturore me Azerbajxhanin mysliman, u lidh me armenët të cilët janë të krishterë ortodoksë në shumicën e tyre; e luftën e fitoi Azerbajxhani.

Nëse sipas Protokollit të Shushës do të tërhiqej edhe Azerbajxhani në Marrëveshjen e Mekës, do të krijohej mundësia sipas shumë politologëve që të hynin edhe vendet e tjera turkmene të cilat shtrihen më në verilindje, si Turkmenistani, Uzbekistani, Kazakistani, të cilat synohen nga Turqia të përfshihen në këtë marrëveshje, ku të funksionojë ashtu si neni 5 i NATO-s edhe në këto vende.

Ka shumë raste hipotetike të cilat janë diskutuar nga analistët politikë: për shembull India ka konflikte me Pakistanin për zonën e Kashmirit; njëkohësisht Pakistani ka konflikt edhe me Afganistanin për çështje territoriale, dhe duhet të arrihet një konsensus nga vendet e tjera për të ndërhyrë në rast të përfshirjes në luftë të ndonjërit prej këtyre tri vendeve apo vendeve të tjera që mund të hyjnë në koalicion. Një nga vendet që është bërthamë e fuqishme e vendeve myslimane, Egjipti, është gati duke hyrë në këtë lidhje dhe të nënshkruajë Marrëveshjen e Mekës.

Egjipti është një vend me burime të mëdha njerëzore. Egjipti ka dhënë shenja se kërkon të futet në Marrëveshjen e Mekës, ku vendet myslimane të mbrojnë njëra-tjetrën në rajon përballë rrezikut sionist të Izraelit dhe të Shteteve të Bashkuara. Greqia u përpoq menjëherë sa u krijua Marrëveshja e Mekës; e shqetësuar shkoi edhe në Egjipt e bëri takime të nivelit të lartë, si dhe në Jordani, ku u kërkua këtyre vendeve të mos e shikonin si rrugëzgjidhje optimale kalimin në Marrëveshjen e Mekës, por të qëndrojnë asnjanëse në konfliktin mes Amerikës e Izraelit nga njëra anë dhe disa vendeve myslimane.

Gjithashtu, këtu ka shumë mundësi që të përfshihen në këtë marrëveshje edhe disa vende si Emiratet e Bashkuara Arabe, Katari e vende të tjera. Dihet se Arabia Saudite dhe Turqia kanë pasur probleme me Katarin, por palët janë angazhuar t’i lënë mënjanë problemet dypalëshe për një interes shumëpalësh në rajon, ku synohet që fuqitë e huaja të mos kenë mundësi të diktojnë vullnetin e tyre kundër këtyre popullatave të mëdha në numër dhe sipërfaqe.

Lufta

Nuk e dimë se çfarë do të ndodhë; mbi Arabinë Saudite ka një influencë të madhe nga Shtetet e Bashkuara dhe Britania, dhe mbi Turqinë sigurisht ka një peshë të rëndë pjesëmarrja e saj në NATO. Palët ende nuk kanë bërë një bashkim ushtarak, nuk kanë përcjellë tek njëri-tjetri dijet dhe eksperiencat e tyre në fushën ushtarake, e po ashtu nuk ka as bashkim të shërbimeve sekrete të këtyre tri vendeve, të cilat do të përcillnin tek njëra-tjetra informacione të interesit reciprok. Ndërkohë, Izraeli po përpiqet të krijojë një kordon sanitar ndaj Turqisë në Ballkan dhe në Detin Mesdhe: me Qipron, Greqinë, Shqipërinë, Serbinë, Republikën Srpska, Bullgarinë e Rumaninë ortodokse, po përpiqet të krijojë një kordon sanitar kundër Turqisë.

Kjo gjë vërehet edhe në jetën tonë politike, ku duket se pas futjes fuqishëm të Izraelit dhe Mossad-it e mbështetjes që po i jep shteti shqiptar Izraelit duke i kthyer kurrizin Turqisë, ka filluar një luftë mes shërbimeve sekrete: nga njëra anë është MIT-i turk dhe nga ana tjetër është Mossad-i. Kjo luftë është shtrirë në shumë drejtime. Nga njëra anë punohet për t’u goditur kjo qeveri nga MIT-i turk dhe qeveria turke, pasi ata e quajnë Ramën një “kukull me tela” të Izraelit e të sionistëve dhe po përpiqen ta largojnë.

Ndërsa nga ana tjetër, Mossad-i përpiqet ta mbajë së bashku me CIA-n dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Por ka edhe vende në Evropë që duan që Rama të largohet për shkak të këtyre politikave të jashtme që po destabilizojnë dhe po ndryshojnë ekuilibrat e Ballkanit, duke futur interesat e Izraelit në Shqipëri e duke lejuar që nga Shqipëria të depërtojnë edhe në vende të tjera të Ballkanit. Edhe loja e përgjimeve është një lojë që zhvillohet mes këtyre dy shërbimeve sekrete.

Në krah të Mossad-it sigurisht janë të përfshira edhe shërbimet sekrete greke, të cilat kanë kohë që kanë hedhur rrënjë në Shqipëri dhe kanë një background të fortë informacionesh të cilat ia vënë në dispozicion Mossad-it e i përdorin së bashku, siç janë videot seksuale të hedhura këtë kohë, ku për këto sigurisht ka dhënë një kontribut edhe njeriu i tyre në SHISH që ka qenë Vlora Hyseni.

Nga ana tjetër, ka shumë arsye të mendohet se Ervis Martinaj, i dashuri i Vlora Hysenit, mund të jetë një as i shërbimit turk në Shqipëri, me të cilin mund të ketë bashkëpunuar edhe për kontrabandën e lëndëve narkotike nga Lindja në Perëndim por edhe anasjelltas, nëpërmjet portit të Durrësit dhe Qafë-Thanës. Rama, i cili vitet e para të pushtetit si kryeministër u mbështet shumë te Erdoğani, i hapi rrugë edhe MIT-it dhe TIKA-s turke, që është një agjenci shtetërore që jep donacione të ndryshme dhe vepron në fushën ekonomike pranë ambasadave turke sidomos në rajonin e Ballkanit.

Për t’u dhënë garanci turqve, ai për të gjitha punët e tij përdori përsëri personin Agasi, i cili nga ana tjetër futi në rrjet Vlora Hysenin; por edhe kjo u përpoq të përdorte informacionet e Agasit për t’ia dhënë Mossad-it dhe CIA-s, të cilët kontrollojnë SHISH-in shqiptar. Goditjet që janë bërë ndaj figurave të ndryshme në fushën e artit sigurisht që sponsorizohen, përveç Mossad-it dhe shërbimit të inteligjencës greke, edhe nga aktorët e brendshëm të cilët kërkojnë shkëputjen e vëmendjes nga shumë afera të qeverisë, siç është ajo e imunitetit të Belinda Ballukut dhe rrëzimit të Ramës nga protestuesit të cilët që nga fundi i muajit maj janë pandërprerë duke bërë protesta të fuqishme.

Me këto afera seksuale e me këto video po synohet të goditet grupi konkurrent të cilin e mbështesin liberalët, që është grupi i mjaftistëve dhe i Erion Veliajt. “Kafshët kanë dalë nga kafazi” dhe të gjithë po luftojnë kundër të gjithëve. Të shohim nëse kryeministri Rama do të vazhdojë t’u fusë të gjithëve e të mbetet vetë përsëri në krye edhe për një farë kohe, përderisa përballë në opozitë ka një plak të konsumuar në pushtet që nuk ka gjasa kurrë të rikthehet prapë, dhe ky mbetet si zgjidhja e vetme në mënyrë të qëllimshme, duke krijuar ndoshta një oligopol, pasi edhe plaku i PD-së e di që nuk rikthehet më, por e ndajnë pushtetin ekonomik së bashku dhe me këtë lojë janë të dy fitues.”/sot.com.al

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button