Ja çfarë përmbajnë videot e Ergys Agasit, Artan Hoxha hap “kutinë e zezë” të regjistrimeve që mund të zbulojnë si funksiononte sistemi, nga tenderat dhe paratë publike te emërimet, policia, drejtësia dhe lidhjet që çojnë deri në majën e pushtetit

Gazetari Artan Hoxha ka folur në “Euro News” për zhvillimet e fundit rreth hetimeve të SPAK-ut, duke u ndalur veçanërisht te materialet e sekuestruara nga telefonat dhe videot e Ergys Agasit. Sipas Hoxhës, këto materiale nuk duhen parë thjesht si video, por si një “sondë” brenda një sistemi që, sipas tij, mund të zbulojë lidhje mes krimit, biznesit dhe pushtetit. “Videot e Ergys Agasit, ndryshe nga videot e tjera, janë sikur ta kishte paguar njeri ta bënte këtë gjë… s’duhet ta kishte bërë nga krahu tjetër, por fakti që e ka bërë, i ka bërë padashje një shërbim shumë të madh vendit. Pse? Sepse ka vepruar si një sondë e futur brenda në sistemin e korruptuar dhe ka fotografuar, ka filmuar, ka me zë dhe me figurë gjithë kalbësirën se si funksionon ky sistem. Pra te videot e Gysit nuk janë thjesht çështje erotike. Videot e Gysit na ndihmojnë ne për të kuptuar deri ku ka shkuar korrupsioni…”, tha Hoxha.
Prapaskenat
Gazetari e çon më tej këtë pretendim, duke deklaruar se në materialet e Agasit mund të jenë të dokumentuara edhe lëvizje dhe emërime në sistemin e drejtësisë, deri te struktura të lidhura me SPAK-un. “Ai ka ndikuar deri në emërim të gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese, në emërime në gjyqësor (pra në qeverinë e gjyqësorit dhe të prokurorisë), në lëvizje apo emërime prokurorësh apo largime prokurorësh. Pra deri në SPAK. Gysi i ka bërë të gjitha! Dhe duke filmuar e fotografuar, praktikisht ai ka bërë pak a shumë atë që ka bërë Sky. Zbërthimi i Sky-t të dha gjithë çfarë ndodhte atje brenda. Gysi, me kamerat dhe me videot e veta dhe me njerëzit që ka filmuar atje brenda, i ka dhënë prokurorisë një material kaq shumë të bollshëm se si ka funksionuar sistemi.”
Hoxha thotë se materialet nuk lidhen vetëm me një person apo një çështje të veçuar, por sipas tij përfshijnë tenderat, paratë publike, emërimet, policinë, shërbimet informative dhe pronat. “Pra në videot e Gysit janë tenderat publikë, janë paratë e shqiptarëve, janë emërimet e njerëzve të rëndësishëm, janë lëvizjet e drejtuesve të rëndësishëm të policisë, janë kontakte apo lëvizje me shërbimin informativ apo me agjenci të tjera, me kadastrën, janë mbivendosje pronash dhe grabitje pronash të shqiptarëve. Pra është shumë e rëndësishme ajo që ka bërë ai. Dhe vetë SPAK-u, për mua, nëse do të arrinte ta bënte këtë gjë vetë, do të ishte një arritje e jashtëzakonshme. Ka fatin e madh që i ka ardhur në tepsi e gjithë gjëja që duhet ta bënte vetë — ia ka bërë Gysi!”.
Sistemi
Sipas Hoxhës, rëndësia e materialeve qëndron pikërisht te mundësia që ato t’i japin SPAK-ut për të rindërtuar mënyrën e funksionimit të sistemit dhe për të shkuar përtej personit të Ergys Agasit. “Problemi është: fillo dhe deshifro çfarë ka bërë Gysi, dhe është kaq e thjeshtë. Pra SPAK-u sot këtë problem ka, edhe GJKKO-ja këtë problem ka, dhe problemi që ka publiku është: nga momenti i krimit, SPAK-ut deri sot i shkuan shtatë vjet. Shqiptarët nuk kanë shumë kohë, kanë humbur kaq shumë vite e dekada sa nuk u pret më puna. Dhe problemi që është sot është: duhet të nxitojnë edhe gjykata, edhe prokuroria, në mënyrë që njerëzit të mos mbahen vetëm nga masat e sigurisë, nga çfarë dalin nga dosjet, nga vendimet — se s’janë dosjet… se dosjet janë shumë të mëdha.”
Në këtë kuadër, gazetari thekson se në materialet e Agasit mund të jenë të ekspozuar edhe persona që aktualisht janë pjesë e qeverisë. Sipas tij, çështja kryesore është nëse SPAK-u do të ketë mundësi dhe vullnet për të shkuar më lart se vetë Agasi. “Agasi ka ekspozuar sistemin, dhe derisa ka ekspozuar sistemin, ka ekspozuar edhe ata që mbajnë në këmbë sistemin. Problemi është sot ajo që shoh unë, dhe shqetësimi im në këtë është: sa kurajo dhe sa mundësi (se ndonjëherë mbase edhe s’ka mundësi) do të ketë SPAK-u të shkojë më lart se Gysi? Ky është problemi që kemi ne sot. Që të shkosh më lart do të thotë që ti atë që ai ta ka zbërthyer ta kthesh në prova juridike dhe ta çosh në gjykatë, që të gjithë shqiptarët ta kuptojnë, kur të venë të votojnë herën tjetër, ta dinë se për kë po votojnë dhe pse po votojnë.”/sot.com.al





