Politike

Rrëfenjat e një vere të gjate, të çuditshme, të nxehtë dhe të ndryshme

Nga Ilir Kulla

1. Asnjëherë Shqipëria nuk mban mend që protestat janë bërë në stinën e verës, përkundrazi, protestat në çdo kohë janë bërë në dimër para pranverës, në të ftohtë, akull me kohën gri dhe me njerëzit e dëshpëruar apo të pakënaqur.

Kështu ka qenë në 90’-91’, kështu ka qenë në 92’, në 97’, madje dhe “Nano ik” në 2004, kështu ka qenë te mbikalimi i Zogut të Zi, ku ra dhe u mbyt në gropë me ujë të ftohtë veterani Mhill, babai i Poetit të ndjerë Agim Doçi që protestonte kundër Partisë që mbështeste Agimi, PD-së së Berishës.

Kështu ndodhi edhe në janar te 2011 kur u vranë 4 protestues në Bulevard.

Kështu ndodhi kur iku opozita nga Parlamenti në 2019, në 2 mars të 2020 kur Presidenti organizoi një protestë shumë të madhe kundër qeverisë, kur u mbyt opozita me gazlotsjellës në dhjetor të 2020, atëherë kur një polic vrau një të ri në derë të shtëpisë së vet në një rrugicë të Laprakës, kur “Doktori i madh” filloi “Revolucionin” kundër Lulit në Stadiumin “Qemal Stafa”, kur kërciti leva e qysqia tek SHQUPI, etj, etj.

Kjo është hera e parë që protestat fillojnë me fillimin e verës dhe vazhdojnë gjatë gjithë stinës së verës në mes të nxehtit 40’ gradë në qendër të Tiranës.

Protestën s’e prishi Botërori, nuk e shkatërruan pushimet, asgjë, madje kjo është protesta e parë në 36 vjet që nuk do të marrë as pushtetin, do vetëm që ata që kanë dhe kanë pasur pushtetin të shkojnë në burg.

Ia mbërritëm kësaj ditë në historinë tonë demokratike që “askush të mos dojë pushtetin”.

2. Po si mbërritëm në këtë pikë? Fiks 10 vjet më parë, në verën e nxehtë të 2016 si asnjëherë tjetër në historinë tonë u bë një “mega-orgji” parlamentare me 140 vota, si ajo kënga e këngëtares nga Kosova, Gilit: “le të puthen, le të puthen, demokratë e socialistë”; në fakt u puthën vetëm Donald Lu dhe Romana Vlahutin! Kishin të drejtë të putheshin, sapo ishte realizuar një grusht-shteti unik me votat e atyre që u ishte bërë grushti i shtetit me kartonat e tyre deputetëve të Republikës, të cilët kishin dhënë me PPP, shumë në modë në atë kohë, një nga sektorët më të rëndësishëm të shtetit dhe jetik për ruajtjen e demokracisë, Sistemin e Drejtësisë të Republikës së Shqipërisë.

Gjithsej jo më shumë se 1.500 veta në të gjitha shkallët ishin kthyer tashmë në një qeveri vetëqeverisëse të sistemit të Tyre unike në botë, që nuk do t’i jepnin llogari as Qeverisë, as Parlamentit, as Presidentit, madje as medias (këta të fundit e kuptuan pas 10 vjetësh).

3. Po si u realizua e gjithë kjo histori e bukur që ngjan me filmin “Rrobaqepësi i Panamasë”?! Në fillim viktimat ishin disa nga ata brenda sistemit, si ish-Prokurori i Përgjithshëm që u dënua për mosdeklarimin e plotë të vlerës së një apartamenti plazhi në Durrës; pastaj ish-Kryetari i Gjykatës Kushtetuese, ky apartamentin e kishte pasur në Golem. Turma nuk u kënaq me gjak, duhej më shumë gjak për turmën… Këtu pastaj u ndanë në batalione ata që kishin bashkuar 140 votat me njëri-tjetrin dhe tani çonin padi kundër njëri-tjetrit.

Në fillim prej tyre ra dëshmor “Doktori i lavdishëm”, u akuzua për shtëpitë e dhëndrit, i cili vetëm falë moshës përfundoi që 1 vit të tërë bënte xhiro te taraca e pallatit për të marrë ajër të pastër dhe akuzonte Edi Ramen me të cilin ishin “puthur” kur kishin bërë 140 votat në 2016, ndërsa në darkë mblidheshin rreth 100 veta dhe bënin miting qëndrese poshtë shtëpisë së doktorit. Pastaj “miletit” që donte gjak iu servir ai i zv.Kryeministrit, atij që mileti e njihte me Pseudonimin “Tigri”. Këtij të fundit për shtëpitë e grave të tij, si gjirokastrit që ishte nuhati edhe kurthin që po i bëhej edhe faktin që shumë brenda llojit po kënaqeshin për shkatërrimin e tij dhe iku në Zvicër, ku vazhdon dhe hedh mina me sahat kundër qeverisë dhe maxhorancës ku ishte vetë dhe atyre që ishin kënaqur me shkatërrimin e tij.

Pastaj iku Presidenti që i kishte bërë bashkë ato 140 vota kur ishte Kryetar Kuvendi dhe mburrej me këtë fakt. Madje, atë e morrën me forcë dhe me spektakël meqë kishte bërë “të fortin” dhe kishte denoncuar “Mafien Ndërkombëtare”, këtë e akuzuan për shtëpinë e gruas.

Nuk mbaruan me kaq, por filluan të merren me avokatin “më të madh” të Reformës, Kryetarin e Bashkisë. Këtij pasi i bënë për 1 vit protesta poshtë zyrës me nje koalicion “jozyrtar” Belo-Bela, e morrën me letra anonime të koalicionit Nesti-Nasta, me një super-spektakël kur gazetarët po e prisnin jashtë zyre. Nuk mbaruan këtu, por meqë Kryetari i Bashkisë është një tip shumë mediatik ia shpalosën të gjitha “hiret” e fisit të gruas, nga shtëpia në plazh e vjehrrit e deri te brendshmet e familjarëve. Madje për ta torturuar më shumë psiqikisht, e shkarkuan por një dorë e ngrohtë e “zotit” e ruajti 2 herë në Kushtetuese, duke i dhënë të drejtë dhe mbeti në detyrë dhe në paraburgim.

Këtë verë pata një ftesë nga Albano Karrizi, këngëtari i famshëm dhe miku im në shtëpinë e tij në Brindizi! Disa miq të tij po më thonin: “sa e bukur Tirana, sa e zhvilluar, sa teknologjike, bravo ai që e ka bërë”! “Bravo-bravo” ia pata unë, “por ai që bëri këtë është në burg, e mesa di unë për 1 vit e gjysëm s’i kanë dhënë as rrogën ata që la pas në zyrë. Më në fund, mesa duket i ka mbërritur era e papastërtive që s’pastrohen më në Tirane dhe të kaosit, vendosi të ndryshoje disa gjëra të rëndësishme në Bashkinë e Tiranës”. Lexova disa që thonin: “Kryetari Veliaj po bën grusht shteti në Bashki”… Qeshja me vete, këtij vetëm nëna e vet, 70 e kusur vjeçe i ka ngel tërësisht besnike, ky që në të vërtetë është shprehia më origjinale e asaj që ka ndodhur në këto 10 vjet të shpejta në Shqipëri.

Mbaruan me Kryetarin dhe mbetej vetëm njëra në radhë Zv. Kryeministrja në radhë, ajo që para një viti dukej si njeriu me i pushtetshëm në vend, sot ka akuza sikur të ketë bërë krime lufte, jo punë publike.

Por edhe zonja në fjalë i ka bërë hyzmet kësaj lojës me ruletë ruse të politikës ndaj vetes, herë në luftën brenda llojit kundër Bashkisë, e herë brenda partisë e qeverisë. Duket sikur të gjithë ata që rrethojnë të vetmin që ka mbetur të fundin e Mohikanëve, janë të destinuar të kenë një fund të lodhshëm e të vështirë. Ndërkohë, vetë ai i fundit i Mohikanëve po merret me “Besën”, gjetjen e fundit të tij. Sot kishte dalë në krah me atë që deri para 1 vitit e quante Gjeli Detit të Peqinit, para 1 jave postoi atë që deri para ca kohësh ishte zëdhënësja e PD-së që e quante Kryeministri i Kokainës.

Si akti i fundit ishte dhe rënia “dëshmorit të fundit ” te Plepat e Durrësit të atij Zv.Kryeministrit në hije, që ish-Zv. Kryeministri jo në Hije e quante koordinatori i Krimit.

Si përfundim, në fillim të kësaj vjeshte të nxehte kemi prapë ata që duan të çojnë në burg ata që janë në pushtet, por nuk duan të vijnë vetë; kemi në burg ata që çuan veten në burg pavarësisht se duhet të ishin në punë e në shtëpi; kemi stuhi perfekte të kaosit perfekt që në perfeksionin më të madh të epokës digjitale të Diellës edhe më e zhurmshmja Zeqine, ka ngelur pa fjalë e po hesht. Kur të rritet dhe pak dikush do t’i dhurojë me autograf librin “Flamingo Revolution, ky Grusht-shteti perfekt”

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button