“Shqiptarët vijnë nga një planet që nuk ekziston në sistemin tonë diellor”/ Teoria e çuditshme për alienët dhe racat njerëzore

Në një intervistë për emisionin “Live From Tirana”, Amadea Stefa (e prezantuar si mësuese e vetëshërimit dhe Ambasadore e Paqes në Austri, e cila është bërë e njohur për teoritë e saj mbi energjinë, dimensionet dhe jashtëtokësorët…) ka ndarë disa prej bindjeve të saj mbi alienët, jashtëtokësorët dhe origjinën e racave njerëzore.
E pyetur nëse beson se ekzistojnë qenie më të fuqishme se njerëzit, siç janë alienët, Stefa u shpreh se jashtëtokësorët jo vetëm që ekzistojnë, por sipas saj kanë qenë në Tokë prej miliarda vitesh.
Ajo ngriti një teori sipas së cilës racat njerëzore kanë origjinë nga planete të ndryshme dhe se ADN-ja e tyre mbart gjurmë të këtyre qenieve.
“Alienët ose jashtëtokësorët, mendoj se ekzistojnë me miliarda e me miliarda vite në Tokën mëmë. Dhe ne jemi raca të krijuara të ndryshme”, tha ajo.
Stefa vijoi duke shpjeguar se, sipas teorisë së saj, ngjyrat e syve dhe karakteristikat fizike të njerëzve lidhen me planetet nga të cilat kanë ardhur paraardhësit e tyre.
“Për shembull, thonë që raca Venus ka racën me sy bojë qielli. Personat që kanë sytë bojë qielli dhe pak jeshil, vijnë nga raca e Venusit”, u shpreh ajo, duke përmendur më pas edhe Marsin dhe Jupiterin në teorinë e saj.
Por pjesa më e pazakontë e deklaratës së saj lidhet me shqiptarët.
Sipas Stefës, shqiptarët nuk kanë origjinë nga ndonjë prej planetëve të sistemit tonë diellor, por nga një planet që ndodhet në një galaktikë tjetër. Ajo e quan këtë racë “Iliricum” dhe e lidh atë me gjuhën dhe historinë ilire.
“Ne (shqiptarët) vijmë nga një planet komplet tjetër që nuk ekziston në këtë solarin tonë, është në një galaksi tjetër, dhe jemi një racë që quhet Iliricum”, tha Stefa.
Ajo pretendon gjithashtu se njerëzit kanë në ADN-në e tyre gjurmë të këtyre qenieve jashtëtokësore dhe se origjina e ndryshme shpjegon, sipas saj, edhe ndryshimet fizike dhe intelektuale mes popujve.
“Ne kemi genet dhe ADN-në e tyre, duam apo nuk duam”, deklaroi ajo.
Stefa shkoi edhe më tej, duke pretenduar se jashtëtokësorët kanë kontakte me qeveritë dhe politikën dhe se, sipas saj, figura të fuqishme në botë janë në dijeni të ekzistencës së tyre, por nuk e bëjnë këtë informacion publik.
“Dhe plus kësaj, jashtëtokësorët bashkëpunojnë me shtetet, bashkëpunojnë me politikën. Dhe të gjithë të mëdhenjtë e dinë këtë gjë por nuk e tregojnë publikisht, sepse kanë atë frikën se çfarë do të thotë populli”,përfundoi ajo.





