Pas 16 vitesh, Agron Llakaj rikthehet në “Portokalli”: Jam sërish në shtëpinë e humorit

Agron Llakaj rikthehet pas 16 vitesh në skenën e “Portokalli”, këtë herë në rolin e drejtuesit të spektaklit të humorit në Top Channel. Krahas moderimit, Llakaj do të rikthehet edhe si aktor, duke sjellë personazhe dhe skeçe në sezonin e ri
Humoristi, i cili ishte ndër emrat e parë të “Portokalli”-s, e sheh rikthimin si një mundësi për të bashkuar eksperiencën e tij me energjinë e aktorëve të rinj.
“Me mbështetjen e Lorit dhe Top Channel, mendoj se kemi të gjitha mundësitë që Portokalli të rimarrë ngjyrimin e atij që e themeloi, që i vuri këtë emër kaq të bukur. Unë isha i pari që erdha dhe ky rikthimi im, është si rikthimi i Odisesë… por unë nuk jam Odise Llakaj, jam Agron Llakaj”, u shpreh Llakaj.
Ai e lidh rikthimin edhe me rolin që humori mund të ketë në shoqëri.
“Mendoj se e qeshura ofron dashuri dhe ky është një mision shumë i madh për vetë kohën, ku mendoj se ka shumë urrejtje”, tha humoristi.
Sezoni i ri do të sjellë skeçe, satirë, situata komike dhe personazhe që do të trajtojnë zhvillimet në vend dhe në botë. Përveç spektaklit televiziv, “Portokalli” do të vijë këtë sezon edhe me shfaqje live çdo të premte.
Për Llakajn, rikthimi nuk është një nisje nga e para, por një bashkim i eksperiencës së tij me energjinë e trupës aktuale.
“Portokallia është tani shtëpia e vetme e humorit në Shqipëri dhe përveç kontributeve dhe energjisë që kanë përcjellë aktorët, ardhja ime nuk është nisje nga zero, por bashkim i energjive”, u shpreh ai.
Humori, sipas Llakajt, do të vazhdojë të marrë material nga realiteti shqiptar dhe zhvillimet politike e shoqërore.
“Humori është vëzhgues i realitetit. Nuk ka pak probleme Shqipëria, ‘përbërësit’ janë që ne të bëjmë gjellë cilësore”, tha ai.
Sezoni i ri do të ketë edhe hapësirë për emra të rinj. Audicionet për aktorë, imitues dhe autorë skeçesh do të zhvillohen nga 2 deri më 16 shtator.
“Do të vijnë dhe do të kenë një dritare të tyren, që do ta quajmë ‘dritarja e talentit të ri’ dhe nëse deri në dhjetor do të kenë talentin dhe fuqinë për t’u bërë pjesë e ‘Portokalli’, janë të mirëseardhur”, përfundoi Agron Llakaj./TopChannel




