Bota

UFO përplaset me avion luftarak të Forcave Ajrore Amerikane mbi Arizonë

Një UFO u përplas me një avion luftarak amerikan mbi Arizonë, duke çarë kupolën mbrojtëse të pilotit dhe duke detyruar avionin 63 milionë dollarësh të bënte një ulje emergjente, sipas raportimeve të reja.

Sipas Administratës Federale të Aviacionit (FAA), avioni luftarak F-16 Viper u godit nga një “UAS portokalli e të bardhë”, që nënkupton një sistem ajror pa pilot (njohur ndryshe si dron), në 19 janar 2023.

Brenda një dite nga kjo përplasje, kishte edhe tre shfaqje të tjera të mjeteve ajrore të paidentifikuara mbi Bazën Ajrore Barry Goldwater, ku edhe u dëmtua avioni luftarak, thuhej në dokumente.

Baza Barry Goldwater është një hapësirë shkretëtire përgjatë kufirit Arizonë-Meksikë ku ushtria praktikon beteja ajrore ajër-ajër dhe ajër-tokë.

Raporti i FAA-së për përplasjen e F-16 zbuloi se avioni po fluturonte në hapësirë ajrore të kufizuar pranë Gila Bendit të Arizonës, kur u godit nga objekti në pjesën e pasme të kupolës, xhami sferik që mbron pilotin.

Nuk u raportuan të lënduar. Forcat Ajrore nuk zbuluan se sa dëme pësoi avioni, por u bë e ditur se ai u kthyer për riparime.

Këto detaje të reja vijnë në të njëjtën kohë me një raport befasues të Zyrës për Zgjidhjen e Anomalive në të Gjitha Domenet të Departamentit të Mbrojtjes (AARO), i cili tregon se janë bërë qindra raportime për UFO në vitet e fundit dhe se Arizona po kthehet në një pikë të nxehtë të UFO-ve në SHBA.

AARO vepron si një departament i centralizuar që heton të gjitha rastet që lidhen me Fenomenet Ajrore të Paidentifikuara (UAP), të cilat mund të prekin sigurinë kombëtare apo atë të hapësirës ajrore.

Përplasja e F-16 është vetëm një nga 22 incidentet ku pilotët e Forcave Ajrore kanë parë ose janë përplasur me objekte të çuditshme mes tetorit 2022 dhe qershorit 2023, sipas azfamily.com.

Shumica e përballjeve ndodhën brenda një rrezeje 160 km nga Baza Ajrore Luke, nga ku nisen shumë nga avionët F-16 që përdorin Bazën Barry Goldwater.

Edhe pse FAA ka deklaruar se nuk ka prova që përplasja përfshinte diçka jashtëtokësore, kjo është një nga disa ngjarje të fundit me UFO që kanë shqetësuar hapësirën ajrore amerikane mbi Arizonë.

Në fakt, disa nga këto shfaqje të çuditshme përfshinin grupe deri në tetë objekte misterioze që fluturonin mbi bazat e trajnimit të Forcave Ajrore përgjatë kufirit SHBA-Meksikë.

Mes viteve 2016 dhe 2020, pilotët ushtarakë raportuan tetë herë shfaqjen e objekteve të paidentifikuara që ngjanin me dronë në shtetin e Arizonës.

Detajet e reja të FAA-së dalin në dritë në të njëjtën kohë me një raport tjetër qeveritar që tregon se ka pasur 757 raportime për Fenomene Ajrore të Paidentifikuara (UAP) në të gjithë botën midis majit 2023 dhe qershorit 2024, dhe vetëm 49 prej këtyre rasteve janë zgjidhur.

Kur ndodhin incidente si përplasja e F-16, piloti dorëzon një raport, të cilin FAA e heton duke përdorur radarë dhe të dhëna të tjera. Nëse incidenti përfshin një UFO, atëherë ai i kalon AARO-s për hetim të mëtejshëm.

Të paktën 410 nga këto 757 raportime të reja për UAP nga e gjithë bota kanë ndodhur mbi SHBA-në, me shumicën e madhe të tyre të dërguara nga FAA midis 1 majit 2023 dhe 1 qershorit 2024.

Megjithatë, shumë nga këto përballje ndodhën mbi hapësira ajrore ushtarake të kufizuara, dhe raporti i AARO nuk zbulon se ku saktësisht ndodhën këto shfaqje.

Pavarësisht sekretit, denoncuesit e UFO-ve po zbulojnë se shumë nga to po ndodhin në Arizona. Kjo përfshin edhe Luis Elizondo-n, një ish-zyrtar i inteligjencës qeveritare i cili hetoi këto raste para se të largohej nga Pentagoni.

“Shumë njerëz po raportojnë shumë gjëra nga Arizona, veçanërisht përgjatë kufirit,” zbuloi Elizondo.

Bob Thompson, i cili kaloi 14 vjet në Shërbimin e Doganave dhe Mbrojtjes së Kufirit të SHBA-së (CBP), gjithashtu kohët e fundit ndau video të papara më parë të UFO-ve të vëzhguara mbi Arizonë.

“Kam parë sfera që ishin larg. Kam parë mjete me formë puroje, kam parë trekëndësha,” tha denoncuesi për NewsNation.

Thompson shtoi se mbi 100 agjentë të CBP-së i kanë rrëfyer se kanë parë objekte të çuditshme dhe të paidentifikuara që fluturonin përgjatë kufirit amerikan.

Këto shfaqje përfshinin edhe agjentë të kufirit që dëshmonin “portale” të frikshme që hapeshin në qiell.

“Më thanë se panë një portal që u hap në qiell dhe kishte fotografi të tij në një kamerë që unë pata mundësi t’i shoh,” zbuloi Thompson.

Image

Edhe pse qindra nga këto shfaqje të çuditshme të dërguara në AARO mbeten hetime të hapura, shumë brenda qeverisë po fajësojnë Meksikën, dhe jo alienët.

Në veçanti, po rritet bindja se rritja e papritur e shfaqjeve të dronëve të paidentifikuar është për shkak të karteleve të drogës që po përdorin misione zbulimi me teknologji të lartë në SHBA.

“Po shohim dronë… të përdorur si patrulla vëzhgimi, për të ndjekur Patrullën Kufitare,” shpjegoi gazetarja e kufirit për NewsNation, Ali Bradley.

Ndryshe nga dronët që qeveria amerikane besonte se ishin lëshuar nga Kina, këta dronë të rinj janë më të vështirë për t’u zbuluar dhe gjithashtu më të mëdhenj, që do të thotë se mund të transportojnë ngarkesa më të mëdha droge përtej kufirit.

Ish-kreu i sigurisë kufitare gjatë administratës Trump, Tom Homan, ka shtuar se shumë nga këto shfaqje ka të ngjarë të jenë dronë të teknologjisë së lartë që po spiunojnë bazat ushtarake amerikane në Arizona.

Bradley theksoi se një nga qëllimet kryesore të karteleve është të depërtojnë në objektet ushtarake amerikane, që të mund të jenë një hap përpara patrullave që zbatojnë ligjin ndaj imigracionit të paligjshëm dhe trafikimit të drogës.

Nga 49 hetimet që AARO ka mbyllur, është përcaktuar se UFO-t ishin aeroplanë, balona, zogj, dronë dhe satelitë që ishin ngatërruar si mjete jashtëtokësore.

AARO ka rekomanduar që edhe 243 raste të tjera të mbyllen për të njëjtat arsye. / Daily Mail – Syri.net.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button