Vrasja e 50-vjeçarit nga fëmijët e tij, ish-myftiu i Tiranës: Përtej ekstremit, ka dështuar i gjithë zinxhiri i shoqërisë
Ish-myftiu i Tiranës, Ylli Gurra ka komentuar ngjarjen e rëndë të ndodhur në fshatin Shënavlash të Durrësit, ku 2 vëllezër dhe motra e tyre u arrestuan për vrasjen e babait të tyre 50 vjeçar, ndërsa e ëma u vu nën hetim.
Duke e konsideruar këtë si një ngjarje përtej ekstremit, Gurra tha se ka dështuar i gjithë zinxhiri shoqëror duke nisur nga institucionet shtetërore dhe ato fetare. Një prej shkaqeve kryesore të këtij krimi makabër, sipas Gurrës është edhe mungesa e komunikimit mes familjarëve.
“Kjo është përtej ekstremit. Mesa duket cedon gjithë zinxhiri i shoqërisë nga institucionet shtetërore, fetare . Këto kohë ka pasur dhjetëra raste. Edhe brenda familjes nuk flasim me njëri-tjetrin por flasim në vijën e kuqe, flasim për njëri-tjetrin jo me njëri-tjetrin. Nuk ka fjalë as citim hyjnor që mund ta justifikojë. Është përtej tragjikes. Djem dhe vajza në moshë madhore të masakrojnë në këtë shkallë babain e tyre, jo se ai mund të jetë i pafajshëm por se makabriteti në marrjen e jetës është përtej çdo imagjinate njerëzore”, tha Gurra për emisionin “Studio Live” në Report Tv.
Teksa preku edhe patriarkalitetin si një prej arsyeve, ish-myftiu u shpreh se një tjetër prej shkaqeve janë edhe telenovelat që mund të ndiqen prej vitesh nga qytetarët të cilët manipulohen lehtë.
“Të gjithë jemi pjesëtarë në fajin e saj, gjithkush ka diçka për të thënë, flasim për nëri-tjetrin por jo me njëri-tjetrin,. Komunikimi i vajzës me babain e saj të ndjerë nuk ka qenë fare. Buron pak edhe nga patriarkaliteti por prapë se prapë masakrimi i prindit…Në rastin më te keq mund të kishte kërkuar mbrojtjen e strukturave. Efekti i telenovelave sigurisht që në momentin që kanë vijimësi prej vitesh, manipulimi i logjikës së kthjellët njerëzore ekziston jo vetëm tek të miturit por edhe tek adoleshentët”, u shpreh ish-myftiu i Tiranës/Pamfleti