Lajme

U arrestua pasi kërcënoi prokurorin në sallën e gjyqit, Dhoma e Avokatisë mbron Ulian Barjamin: Vetëm kundërshtoi provat

Një avokati po i hiqet liria për shkak të fjalës së lirë në sallën e gjykimit”

Dhoma e Avokatisë ka reaguar pas arrestimit të avokatit Ulian Barjami nga policia e Elbasanit, i akuzuar se ka kërcënuar një prokuror në sallë ne gjyqit.

Sipas Dhomës së Avokatisë, Barjami është i pafajshëm, pasi gjatë gjyqit vetëm ka kundërshtuar provat që fajësonin klientin e tij Maksim Suçin, të paraqitura para togave të zeza nga prokurori Gjergji Ceka. Avokati ka deklaruar gjatë seancës se provat janë të falsifikuara dhe se do të depozitojë një kallëzim kundër prokurorit. 

Reagimi i Dhomës së Avokatisë:

Dhoma Kombëtare e Avokatisë së Shqipërisë dënon me forcë arrestimin e avokatit Ulian Barjami nga Policia e Elbasanit me Urdhër të Prokurorisë.

Nga sa Dhoma e Avokatisë ka marrë dijeni, rezulton se një përballje e armëve të barabarta në sallën e gjykimit, sipas ligjit, ka përfunduar në një abuzim të atributeve të prokurorit, duke mos pranuar debatin gjyqësor, por duke urdhëruar prangosjen e avokatit Ulian Barjami, anëtar i Dhomës së Avokatisë Tiranë

Kemi të bëjmë me arrestimin e avokatit për shkak të deklarimeve të tij në kuadrin e mbrojtjes në sallën e gjyqit, duke u trajtuar deklarata e tij, se do të bëjë kallëzim për falsifikim provash kundër prokurorit, si kanosje dhe kundërshtim i prokurorit.

Ngjarje kjo e paprecedentë, ku një avokati i hiqet liria për shkak të fjalës së lirë në sallën e gjykimit, ku ai shpreh mendimin për falsitetin e provës dhe përgjegjësinë që, sipas avokatit, duhet të mbajë autori i falsifikimit, që në këtë rast është prokurori.

Dhoma e Avokatisë u bën thirrje Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, Këshillit të Lartë të Prokurorisë si dhe Prokurorisë së Përgjithshme të veprojnë urgjentisht për këtë rast flagrant arbitrariteti dhe shkeljeje të hapur të ligjit.

Kjo, pasi Dhoma, duke u bazuar në kuadrin ligjor dhe Kushtetutën e Shqipërisë, ende beson se jemi Republika e Shqipërisë, një shtet me drejtësi të bazuar në prova dhe fakte – dhe jo në një “Republikë të Prokurorëve”.

Kryetari i Dhomës së Avokatisë së Shqipërisë

Prof. Dr. Maksim Haxhia

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button