Spahiu: Shqipëria e Enver Hoxhës nuk u përmbyt kurrë, sepse kishte 700 hidrovore dhe sisteme bonifikimi

Juristi Kreshnik Spahiu, ka komentuar situatën e përmbytjeve nga reshjet e shiut në vend. Në një lidhje skype për emisionin ‘Frontline’ në Report Tv, ai tha se problemi kryesor është mungesa e planeve të zhvillimit dhe parandalimit.
‘Ne jemi një shoqëri e pandërgjegjshme për këto situata. Ne kur na bije fatkeqësia ne kujtohemi që të bëjmë analizë. Unë nuk kam dëgjuar ndonjë deputetë në Kuvend që të thotë t’i pastrojmë lumenjtë se do të bjerë shi në dimër. Ky debati që ndodh sot të shpallet gjendja e jashtëzakonshme, unë them se do e shpalli edhe do t’i dëmshpërblejë dhe do të jepen para zgjedhjeve, pra pas 3 viteve. Do të ngrihet një komitet shpëtimi dhe fondesh si u ngrit ai për tërmetin dhe do të duhen 3 vite që t’i shpërndajnë dhe menaxhojnë. Unë them se kjo do të ndodh. Por ne kemi një shtet që nuk funksionon me plane zhvillimi. Shqipëria Enver Hoxhës nuk u përmbyt kurrë sepse kishte 700 hidrovore dhe sisteme bonifikimi’, tha ai.
Kreshnik Spahiu theksoi nevojën urgjente që Shqipëria të ketë një sistem parandalues për përballimin e fatkeqësive natyrore.
Mua sot më kanë ardhur 3 mesazhe alarmi dhe njoftojnë me orar që do të bjerë kaq borë, do ketë stuhi. Në fushatë vijnë mesazhe votoni këtë numër, çfarë i kushton këtij shteti që në bashkëpunim në institutin meteorologjik ti çojë mesazh shqiptarëve. Ne duhet që të kemi një sistem që ti paraprijë këtyre situatave, sepse ngrohja globale po çon drejt një klime ekstreme dhe Shqipëria si një vend mesdhetar mund të jetë e prekur’, tha ai.




