Pas rinovimit të kontratës, reagon Sylvinho: Vazhdojmë së bashku. Ajo që na pret…

Një ditë pas njoftimit për rinovimin e kontratës me Federatën Shqiptare të Futbollit deri në korrik të 2026, trajneri i Kombëtares shqiptare, Sylvinho ka bërë reagimin e tij me anë të një postimi në rrjetet sociale duke pohuar se bëhet fjalë për vazhdimin e projektit aktual
‘Vazhdojmë së bashku. Kam rinovuar kontratën me ekipin kombëtar të Shqipërisë për 6 muaj të tjerë duke i dhënë vazhdimësi një projekti që është ndërtuar me shumë punë, profesionalizëm dhe unitet-lexohet në postimin e Sylvinhos në profilin e tij në Instagram.
Trajneri i Kombëtares shqiptare më pas bëri bilancin e skuadrës kuqezi nën drejtimin e tij duke vënë në dukje forcën e kolektivit
‘Deri tani kemi arritur një objektiv historik; kualifikimin për herë të dytë në finalet e një Kampionati Evropian duke shfaqur në fushë paraqitje konkurruese dhe të respektueshme, së bashku me kualifikimin për herë të parë në fazën playoff të Botërorit 2026. Këto janë rezultate që pasqyrojnë progresin, identitetin dhe forcën kolektive të këtij ekipi. Ajo që në pret më pas do të kërkojë më shumë përkushtim, punë të palodhur dhe angazhim nga të gjithë. Ne qëndrojmë të fortë, ditë pas dite me vendosmëri dhe zemër. Forca Shqipëri!-përfundonte mesazhin e tij, trajneri i Kombëtares.
Kombëtarja shqiptare do të kthehet në fushat e lojës në muajin mars kur do të luajë ndeshjen gjysmëfinale të playoffit të Botërorit me Poloninë. Në rast kualifikimi, kuqezinjtë do të diskutojnë kualifikimin historik në eventin madhor të këtij viti me sfidën ndaj Ukrainës apo Suedisë.




