“Shqiptarët po vdesin në qeli”, Blushi akuzon Ramën: Për një cigare hash*sh 5 vite burg, për një kamion bëhesh deputet

Në një fjalim të ashpër nga foltorja e Kuvendit, kreu i Grupit Parlamentar të PL-së, deputeti Tedi Blushi, ka lëshuar akuza të rënda ndaj sistemit të drejtësisë dhe Prokurorisë, duke i cilësuar si vegla në duart e pushtetit politik për të ndëshkuar të pambrojturit.
Sipas deputetit, dy të tretat e qytetarëve në burgje janë të paraburgosur, ndërsa një e treta e tyre mbahen pa asnjë akuzë. Ai theksoi se Prokuroria e Përgjithshme ka treguar një “zell të tepruar” për të përmbushur vullnetin politik të kryeministrit Edi Rama, duke ndjekur urdhrin “burg, burg, burg për të pambrojturit”.
Për të ilustruar atë që e quajti drejtësi selektive, Blushi solli disa shembuj tronditës.
“Në këtë vend sot, për një cigare hashash dënohesh me pesë vite burg, ndërsa për një kamion me drogë emërohesh deputet,” deklaroi ai. Më tej, ai shtoi se për një kotec pa leje kërkohet arrest me burg, ndërsa për një pallat pa leje shpallesh investitor strategjik. Po ashtu, një faturë e papaguar energjie mund të të çojë në pranga, ndërsa vjedhja e qindra milionë eurove taksa amnistohet.
Akuza më e rëndë e deputetit ishte se njerëz të pafajshëm kanë humbur jetën në burgjet e Shqipërisë.
“Kanë humbur jetën njerëz jo pse ishin kriminelë, por sepse nuk kishin para të paguanin energjinë elektrike. Shqiptarët po vdesin në qeli nga varfëria,” tha ai, duke e cilësuar këtë si “fytyrën më të errët të një drejtësie që ka vdekur”.
Blushi pretendoi se ndërkohë që qytetarët e thjeshtë kalben në qeli, kriminaliteti është rritur me 30%. Ai ngriti shqetësimin edhe për sigurinë në shkolla, ku sipas tij, “gjen më shumë armë dhe drogë se libra”, duke pyetur se kush po i mbush çantat e fëmijëve me thika dhe pse Prokuroria nuk heton.
Në përfundim të fjalës së tij, deputeti argumentoi se kur drejtësia shndërrohet në një vegël politike, ajo bëhet “armike e betuar e interesit publik”.
“Drejtësia ose është për të gjithë, ose më mirë të mos jetë më drejtësi fare,” përfundoi ai.
Blushi: Ai pas hekurave është një baba, që nuk e di pse është arrestuar, është një i ri që ka humbur shpresën për drejtësi, ndërkohë që është harruar në burg nga prokurori. Sot dy të tretat e qytetarëve që ndodhen në burgje janë të paraburgosur. dhe një e treta e tyre pa akuzë. U është privuar liria jo se kanë shkelur ligjin. por sepse për fat të keq, prokuroria e Përgjithshme ka dëshmuar një zell të tepruar për të përmbushur vullnetin politik të Edi Ramës, burg, burg, burg për të pambrojturit. Ky në fakt nuk është më një sistem drejtësie, por një instrument frike. që edhe me ndihmën e prokurorisë së Përgjithshme po i shërben më së miri një regjimi armik të lirive, të drejtave dhe dinjitetit njerëzor. Sot gjithmonë edhe më pak kemi prokurorë që hetojnë krimin. dhe për fat të keq gjithmonë e më shumë prokurorë që ndëshkojnë të pambrojturit.
Kjo në fakt është pamja e një regjimi policor dhe arbitrar ku prokuroria me vullnet të plotë është bërë palë me pushtetin, por jo me ligjin. Në këtë vend sot, për një cigare hashash, dënohesh me pesë vite burg. Ndërsa për një kamion me drogë emërohesh deputet. Kemi dhe këtu sot, në këtë sallë. Për një kotec pa leje, sot prokuroria kërkon masën e arrestit me burg. Ndërsa për një pallat pa leje, sot shpallesh investitor strategjik. Për një faturë energjie të papaguar, sot të arrestojnë. Ndërsa për vjedhjen e qindra milionë eurove taksa të popullit më të varfër të kontinentit, amnistohesh. Dhe më e rënda nga të gjitha, sot në burgjet e Shqipërisë kanë humbur jetën njerëz, jo pse ishin kriminelë. por sepse nuk kishin para të paguanin energjinë elektrike. Shqiptarët, në fakt, po vdesin në qeli nga varfëria. Dhe kjo është fytyra më e errët e një drejtësie që ka vdekur në raport me ligjin dhe që ka mbyllur sytë para krimit të madh, me vetëm një qëllim, të shtypë gjithnjë e më shumë qytetarët e varfër.
Në vend që të garantojë barazinë para ligjit, prokuroria është bërë sot gardiane e padrejtësisë. Në vend që të hetojë krimin e lidhur me pushtetin, ndëshkon qytetarin e pambrojtur. Dhe ndërkohë që qytetarët e thjeshtë kalben në qeli, kriminaliteti, sipas këtij raporti, na qenka rritur me 30%. Sepse krimi ecën sot lirshëm në zemër të qyteteve tona.
Po flas dhe në emër të grupit. Sepse tanimë krimi nuk fshihet, po është bërë pjesë e pushtetit. Sot në shkollat e Shqipërisë gjen më shumë armë dhe drogë se libra. Kush hetoi për këtë fakt? A hetoi prokuroria kush i mbush çantat e fëmijëve tanë me drogë dhe me thika? Dhe kush po i vret fëmijët e shqiptarëve të thjeshtë në oborret e shkollave? Në fakt, kur drejtësia shndërrohet në vegël politike, ajo nuk është gjë tjetër veçse në një armike e betuar e interesit publik. Sepse drejtësia e vërtetë nuk mund të zgjedhë sipas forcës, statusit shoqëror, pasurisë apo partisë, po vetëm sipas ligjit. Dhe drejtësia ose është për të gjithë, ose më mirë të mos jetë më drejtësi fare. Faleminderit.




