“Pse duhet t’i kërkonte lëmoshë Servet Pëllumbit”/ Djali i Kadri Roshit kundërshton DËSHMINË E Hamdi Jupes: Pse, kisha vdekur unë?

Djali i aktorit të madh Kadri Roshi, Kliti Roshi, ka kundërshtuar me forcë dëshminë e gazetarit të njohur, Hamdi Jupe, i cili pak ditë më parë rrëfeu se Kadri Roshi, i kërkoi ndihmë ekonomike ish-kryetarit të Kuvendit, Servet Pëllumbi nga shtrati i spitalit.
Në një intervistë për Top Channel, Kliti Roshi u shpreh se nuk ka asnjë të vërtetë te dëshmia e Hamdi Jupes në cilësinë e shefit të kabinetit të ish-kryetarit të Kuvendit, që pretendon se Kadri Roshi kërkoi para për bashkëshorten, teksa vetë ndodhej i sëmure në spital.
“Gjallë është ai Hamdi Jupe?! Si mundet të ngrihet dhe të bëjë një denigrim të tillë të shëmtuar me gënjeshtra. Kadri Roshi mund të ketë ndihmuar të tjerët, por që t’i vdesë e shoqja për bukë, kurrë! Le të vijë ballë për ballë nëse ka guxim të matet me mua”, u shpreh Kliti Roshi.
Sipas gazetarit Jupe, që në në atë kohë ka qenë pjesë e kabinetit të Kuvendit, si zgjidhje për të ndihmuar Artistin e Popullit u vendos që vetë Jupe të merrte dy rroga shpërblim për punën e mirë dhe paratë më pas t’ia dorëzonte Roshit.
Urdhri për shpërblimin tim për punë ‘shumë të mirë’ ndodhet në arkivin e Kuvendit prej më shumë se njëzetë vjetësh. Është ‘shpërblimi’ më i bukur i jetën sime. Me firmën time në bordero ishte bërë e mundur të ndiheshin mirë për pak çaste dy njerëz të shquar të këtij kombi. Dëshmitare është Dafina, drejtorja ‘shpirtakull’ e financave”, shkruan Jupe në një postim në rrjetin social “Facebook”.
Por, sipas Kliti Roshit, mamaja e tij nuk ka marrë asnjë lekë, “pasi nuk kishte nevojë”.
“Lekët janë vënë në emër të Hamdiut dhe ai i ka futur në xhep, kjo mund të jetë e vërteta. Se prit se nuk kisha vdekur unë, nuk kishte vdekur nëna ime. Si po vdiste nëna ime për bukë dhe doli Hamdi Jupe ta respektojë?!”
Djali i “Nderit të Kombit” kujton dhe raportin e ngushtë që babai i tij kishte me kryeministrin e kohës, Fatos Nanos, dhe ky fakt, sipas tij, tregon që Roshi nuk kishte pse “t’i kërkonte lëmoshë Servet Pëllumbit”.
“Kryeministri i asaj kohe, Fatos Nano, e ka pasur idhull Kadriun. Nuk ia zgjidhte dot ai? Duke ditur se kush ishin për njëri-tjetrin? Në fillim, shkoi presidenti Alfred Moisiu në spital. Dhe duhet t’i kërkonte lëmoshë një profesori të nderuar si Servet Pëllumbi?”.
Kliti Roshi pretendon po ashtu se pensioni i posaçëm i të atit ishte i mjaftueshëm për të mbuluar kostot e familjes. /Top Channel/




