Përtej injorancës/ BBVK: Pogradeci është në Mal të Zi

Në shtëpinë e Big Brother VIP Kosova 4 banorët janë përballur me një sfidë (i thënçin). Këtë herë, loja kërkonte identifikimin e vendeve përmes pyetjeve me alternativa, një test i vogël gjeografie që për disa u kthye në provë durimi.
Pyetja që mori gjithë vëmendjen ishte më se elementare:
“Pogradeci gjendet në?”
Alternativat: Kosovë, Mal i Zi, Shqipëri dhe Maqedoni.
Ajo që pasoi ishte një diskutim që do t’i bënte mësuesit e gjeografisë të ndalonin frymëmarrjen. Në grupin e përbërë nga Londrimi, Edi dhe Elijona, debatet nisën seriozisht, sikur bëhej fjalë për një çështje të ndërlikuar politike e jo për një qytet shqiptar, ku vëllezërit e motrat tona kosovare nuk duhet të gabonin kurrsesi.
Kulmi arriti kur Elijona sugjeroi me bindje se Pogradeci ndodhet në Mal të Zi, pranë kufirit – një deklaratë që shkaktoi habi brenda shtëpisë dhe, mbi të gjitha, jashtë saj.
Momenti nuk vonoi të bëhej viral. Rrjetet sociale shpërthyen në komente, meme dhe ironi pa fund. Shumë përdorues u ndjenë të “detyruar” të rikujtojnë se Pogradeci është qytet në Shqipëri, duke theksuar se disa njohuri bazë gjeografike janë ende të nevojshme, edhe kur je pjesë e një reality show-i VIP.
Sfida, megjithatë, e përmbushi misionin e saj: solli argëtim të pastër për publikun dhe ekspozoi qartë nivelin e ndryshëm të njohurive mes banorëve. Nga një pyetje e thjeshtë, u krijua një moment që po diskutohet gjerësisht online, me ndjekës që pyesin veten se si gafat e tilla ndikojnë në perceptimin e banorëve dhe në seriozitetin e tyre brenda lojës.




