“Në Kosovë diçka po zien, por në çfarë mënyre do shpërthejë, nuk dihet, kurse Fadil Hoxhës i kanë dërguar letra anonime, ku…” – Zbulohet dokumenti i Sigurimit, 6 muaj para demonstratave të ‘81-it

Pjesa e parë – Ngjarjet e Kosovës të pranverës së vitit 1981, që nisën në fillimin e muajit mars me protestat dhe demonstratat e rinisë studentore e më pas edhe të popullit të Kosovës, të cilët u ngritën për të kërkuar liritë dhe të drejtat e tyre të ligjshme, ashtu si të gjithë popujt dhe etnitë e tjerë që ndodheshin asokohe në Republikën Federative Socialiste të Jugosllavisë, siç dihet tashmë, patën një reagim të ashpër nga Beogradi zyrtar. Udhëheqja e lartë e Serbisë nga e cila varej asokohe Krahina Autonome Socialiste e Kosovës, dërgoi atje tanket dhe i shtypi ato protesta studentore, jo vetëm me forcat policore, por duke nxjerrë edhe ushtrinë e tanket në rrugët dhe sheshet e Prishtinës dhe qyteteve të tjera ku u zhvilluan ato protesta paqësore, ku gjatë gjithë atyre ditëve (11 mars -11 prill 1981), pati gjithsej 12 viktima.
Këto ngjarje që u bënë lajm i parë në të gjitha mediat botërore, patën një reagim të madh edhe nga Tirana zyrtare, ku vetë udhëheqësi i Shqipërisë komuniste Enver Hoxha, u impenjua maksimalisht në mbrojtje të çështjes së Kosovës dhe të drejtave e lirive themelore të kosovarëve, të cilët jetonin në trojet e tyre amtare, brenda territorit të Republikës Federative të Jugosllavisë.
Sa më sipër dhe se si u zhvilluan ato ngjarje dhe çfarë përfundimi patën, tashmë janë tepër të njohura, por ajo gjë që ka mbetur ende një enigmë e madhe, është ajo se; a kishte dijeni Tirana zyrtare, se çfarë po ndodhte në Kosovë, (pasi ato demonstrata proteste nuk shpërthyen në një ditë, pa një farë organizimi paraprak) dhe përse nuk e ngriti zërin ajo, para se të ndodhin ato?
Nëse do të bëjmë një retrospektivë dhe t’i kthehemi periudhës së para fillimit të atyre protestave, duke u fokusuar te tre katër muajt e fundit (nëntor 1980 – shkurt 1981), do të shikojmë se; marrëdhëniet në mes Tiranës zyrtare dhe Beogradit, jo vetëm nuk ishin aspak të acaruara, por kishin një ngritje të madhe drejt normalitetit.
Kjo gjë e kishte zanafillën që në nga viti 1968, kur pas agresionit ushtarak të Bashkimit Sovjetik ndaj Çekosllovakisë, Josif Broz Tito deklaroi publikisht se; në rast të një invadimi të trupave të Traktatit të Varshavë të udhëhequra nga ato sovjetike për të pushtuar Shqipërinë, Jugosllavia do të mbyllte kufijtë dhe nuk do e lejonte një gjë të tillë.
Kjo deklaratë e Marshallit Tito, duket se zbuti “gjakrat” me Tiranën zyrtare dhe që nga ajo kohë e deri në marsin e vitit 1981, midis Shqipërisë dhe Jugosllavisë pati një klimë tepër miqësore dhe bashkëpunim në disa fusha, ku përveç marrëdhënieve ekonomike e shkëmbimit të mallrave me import-eksporte, u rritën ndjeshëm edhe ato të artit, kulturës, sporteve etj.
Në këtë kuadër, asokohe pati shumë shkëmbime delegacionesh, grupesh artistike, ekipesh sportive, profesorësh nga Tirana që jepnin leksione në universitetet e Prishtinës, apo dhe vizitorëve e turistëve që shkonin e vinin në dy vendet, gjë e cila nuk kishte ndodhur që nga fundi i vitit 1948, kur Enver Hoxha prishi marrëdhëniet me Jugosllavinë e Titos e, duke mbajtur anën e Stalinit dhe Moskës zyrtare.
Siç theksuam pak më lart, këto raporte miqësore dhe marrëdhënie zyrtare në mes Tiranës dhe Jugosllavisë së Titos, vazhduan krejt të qeta dhe pa asnjë problem, deri në marsin e vitit 1981, madje në ditët e para të marsit 1981, në kinematë e Tiranës dhe qytetit të Durrësit etj., po shfaqej filmi artistik, “Kur pranvera vonohet”, (prodhim i “Kosova-Film”), që ishte realizuar sipas motiveve të ditarit të Fadil Hoxhës, një nga udhëheqësit politikë kryesorë të Kosovës, që nga viti 1943.
I cili, sipas dokumenteve të Sigurimit të Shtetit, dërguar Enver Hoxhës, (që do i shikojmë në këtë shkrim), rreth një vit më parë, (maj 1980), kishte qëndruar pranë krevatit të Josif Broz Titos, kur ai vdiq në spitalin e Ljubjanës në Slloveni. Pra, nisur nga kjo panoramë e zhvillimit të ngjarjeve të asaj kohe, në pamje të parë duket se Tirana zyrtare dhe vetë udhëheqësi kryesor i PPSH-së, Enver Hoxha, nuk kishte asnjë informacion se çfarë po “gatuhej” në Kosovë, sepse përndryshe do të kishin ngritur zërin, (ashtu siç e ngriti dhe vepruan më pas), apo do të kishte shkruar në ditarin e tij politik, ashtu siç shkruante, mbante shënime e bënte analiza, për çdo konflikt që ndodhte kudo në botë, si në Lindjen e Mesme, etj., ku bëri dhe libra për to!
Por, duket se kjo gjë nuk ka qenë kështu, pasi Tirana zyrtare dhe Enver Hoxha, jo vetëm që kanë pasur dijeni se çfarë po “gatuhej” në Kosovë, por ata kanë pasur dijeni dhe informacione tepër të hollësishme se çfarë po ndodhte në Krahinën Autonome Socialiste të Kosovës dhe në të gjithë Jugosllavinë e asaj kohe.
Drejtoria e III-të e Sigurimit të Shtetit, e cila ishte Zbulimi Politik dhe e atashuar në ambientet dhe strukturat e Ministrisë së Punëve të Jashtme në Tiranë, nëpërmjet drejtorit të saj Perlat Çaushi (ish-zbulues pranë ambasadës shqiptare në Beograd në vitet ’70-të, i kamufluar si sekretar i parë të asaj ambasade), ka informuar eprorët e tij dhe udhëheqjen e lartë të PPSH-së, për gjithçka që ndodhte në Kosovë dhe Federatën Jugosllave.
Por, Enver Hoxha nuk e ngriti zërin për çështjen e Kosovës, apo më saktë për ato që po ziente aty, (për të cilat kishte informacion të hollësishëm ), që në një farë mënyrë do “t’ja digjte letrat në dorë” Beogradit, pasi Enverit nuk i interesonte që Kosova të shpallej republikë, qoftë dhe brenda Federatës Jugosllave, sepse në një farë mënyrë do ishin dy shtete shqiptare në Ballkan, e Kosova do merrte vëmendjen dhe rolin kryesor në arenën ndërkombëtare, duke e eklipsuar fare Shqipërinë e Enver Hoxhës!
Pa i hyrë analizave rreth kësaj, gjithçka përmblidhet në një pikë, në atë se sa e ka dashur Enver Hoxha Kosovën dhe kosovarët? Lidhur me këtë, është i njohur fakti se; që nga fundi i viteve ’50-të, e deri në shembjen e regjimit komunist, në fillimin e viteve ’90-të, me qindra e qindra kosovarë që të detyruar nga politika shtypëse e diskriminuese e Beogradit ndaj popullit të Kosovës, braktisën trojet e tyre dhe erdhën në Shqipëri, ku pjesa më e madhe e tyre, përfunduan kampeve të internimit e burgjeve të regjimit komunist të Enver Hoxhës dhe pasardhësit të tij, Ramiz Alia, duke u akuzuar si agjentë të UDB-së.
Sa më sipër kjo mbetet objekt analizash për studiuesit e historianët, ndërsa në këtë shkrim po publikojmë disa dokumente arkivore sekrete të nxjerra nga Arkivi i Ministrisë së Punëve të Brendshme (tashmë të de-klasifikuara dhe pjesë e fondit të Autoritetit për Informimin e Dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit), të cilat publikohen për herë të parë dhe me faksimilet përkatëse nga Memorie.al.
RAPORT – INFORMACIONI I DREJTORIT TË DREJTORISË SË ZBULIMIT POLITIK, PERLAT ÇAUSHI, LIDHUR ME SITUATËN POLITIKE DHE SOCIALE NË KOSOVË DHE JUGOSLLAVI NË VITET 1980-1981
REPUBLIKA POPULLORE SOCIALISTE E SHQIPËRISË S E K R E T
MINISTRIA E PUNËVE TË BRENDSHME Ekzemplar Nr. 1
DREJTORIA E TRETË Tiranë, më 10.X.1982
Nga data 3.10.1980, deri më 18.11.1981, Dega e III-të e Drejtorisë së III-të, ka bërë 28 informacione për gjendjen, ngjarjet, parullat, elementët e veçantë në Kosovë dhe Vise e Perëndim, si dhe për veprimtarinë armiqësore të Jugosllavëve kundër shqiptarëve në Jugosllavi dhe jashtë RPSSH-së (Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë).
Të gjithë këto informacione, me ndonjë përjashtim, i janë kaluar armikut Feçor Shehu. Në këto informacione, të bëra në fillim 10 ditore e, më vonë sipas porosisë së armikut Feçor Shehu, u kthyen në 15 ditore, ka pasur të dhëna interesante, megjithëse ai asnjëherë nuk ka shënuar për t’ja kaluar ato udhëheqjes së Partisë, me përjashtim të atyre që ka parë zv. ministri.
Vetëm për gjendjen shpërthyese në Kosovë, informacioni ka qenë i shumtë dhe është evaduar në dinamikë. Nga ky informacion, për ngjarjet e pritshme në Kosovë, evidentojmë si më të rëndësishmet, të dhënat e mëposhtme:
Informacioni Nr. 1447, datë 3.10.1980;
“Në dyqanet e Prishtinës njerëzit kanë bërtitur “duam detergjentë, duam detergjentë”, aq sa policia ka ndërhyrë duke përdorur shkopinjtë.
Një student ka thënë: “Mos u çudisni kur të dëgjoni në rrugët e Prishtinës, duam bukë, duam bukë”! Persona të ndryshëm janë shprehur se gjendja e tanishme do të jetë me pasoja për Kosovën dhe Jugosllavinë.
Këtë vit në Jugosllavi janë bërë 84 greva, mirëpo në materialet e brendshme, pranohen vetëm 24. E tillë është edhe greva dy ditore e Stari-Tërgut afër Mitrovicës, në vitin 1980…! Problemi i papunësisë në Kosovë, po merr dimensione dhe ngjyra të errëta…!
Në Jugosllavi dhe në Kosovë, ekziston një gjendje kaotike dhe pasigurie. Kjo gjendje e rëndë dhe e vështirë, në të cilën ndodhet populli i Kosovës, do të vijë dita të rregullohet…! Në një të ardhme jo të largët, populli i Kosovës do të thotë fjalën e tijë, ashtu siç e ka thënë gjithmonë. Ai do të nxjerrë udhëheqësit e tij popullorë.
Lëvizja e gjerë që ka filluar në Kosovë, gradualisht po kanalizohet mirë dhe në rrugë të drejtë. Ne kemi besim në forcat tonë dhe për momentin vendimtar kemi bindjen e plotë, në mbështetjen tuaj…!
Mjaft rryma të brendshme në Jugosllavi, kundërshtare të vijës aktuale, ndjekin zhvillimin e ngjarjeve dhe u adaptohen atyre në pritje të momentit të volitshëm për të vepruar. Jugosllavët edhe në të ardhmen, do të përpiqen ta mbajnë Kosovën me çdo kusht.
Udhëheqja kosovarë në rast lufte, ka shumë frikë nga forcat “staliniste” dhe “informbyroiste”, që kanë qenë më parë të burgosur, prandaj në mbledhjet e LJK-së (Lidhja e Komunistëve të Jugosllavisë), është thënë se këto forca në rast lufte apo sulmi, duhet të burgosen, apo eliminohen menjëherë…!
Gjendja në Kosovë është keqësuar shumë dhe pritet nga dita në ditë, të pëlcasë lufta…! Jeta jonë në Kosovë është bërë e padurueshme”.
Informacion Nr.1492, datë 13.10.1980;
“Pavarësia pa gjak, është si lulja pa erë. Ne nuk duhet të mos kënaqemi me këto të drejta që kemi fituar, sepse ka shumë mundësi që të përsëriten reprezaljet. Shqipëria akoma nuk është çliruar, pasi trupi është ndarë më dysh, gjysma është lulëzuar në sajë të Enver Hoxhës, gjysma rënkon nga thundra revizioniste.
I thoni një fjalë udhëheqësit tuaj, të hedh një sy nga Kosova. Ne vetëm një fjalë presim nga ai he s’ka furtunë që të na ndalë dhe të na shuaj zjarrin e luftës, për të çuar në vend padrejtësitë e shekujve”.
Informacion Nr.1632, datë 3.11.1980
“Kosova e ka lidhur fatin e saj me Jugosllavinë Federative, por sytë dhe zemrën i ka nga Shqipëria. Bashkimi kombëtar është i paevitueshëm. Por kjo gjë duhet t’i lihet Kosovës, përpjekjeve, luftës së saj, në mënyrë që Shqipërinë të mos e akuzojë njeri…!
Ne shqiptarët duhet të bindemi, se të huajt nuk na kanë dashur dhe nuk na duan. Mendimi i përgjithshëm në Kosovë, është se atje diçka po zien, por në çfarë mënyre do shpërthejë, nuk dihet!
Fadil Hoxhës kanë filluar të dërgojnë letra anonime, ku e cilësojnë tradhtar dhe oportunist, që i shiti serbëve Kosovën, se nuk punon për të dhe se ka qëndruar tek koka e Titos kur ai ishte në agoni…!
Tek serbët ekziston një frikë e madhe se Shqipëria po përparon, kështu që kosovarët kanë ku të mbështeten dhe kjo indirekt përbën kërcënim për ta…! Ne po vuajmë dhe po kthehemi në skllevër, por kur të piqen kushtet, edhe ne këtu në Ferizaj, do ta tregojmë veten se bijtë të kujt jemi”.
Informacion Nr.1071, datë 12.11.1980;
Numri i grupeve revolucionare, shtohet nga dita në ditë. Disa veprojnë në mënyrë të hapur, kurse disa në mënyrë konspirative! Serbisë po i vjen fundi, bashkë me klikën që ka në Kosovë…! Në Ushtri na thonë se; ç’na duhet të luftojmë armikun e jashtëm, kur ne kemi luftuar armikun e brendshëm (shqiptarët).
Në fund të muajt shtator në Prizren, janë hedhur trakte me parullat “Rroftë shoku Enver Hoxha”, “Poshtë titistët”, “Duam liri” etj…! Kohët e fundit në Kosovë është shpërndarë revista “Lajmëtari i Lirisë”, në të cilën me fakte demaskohet veprimtaria e regjimit titist ndaj Shqipërisë…!
Në Kosovë depërtojnë çdo ditë e më shumë idetë e PPSH-së dhe të shokut Enver Hoxha. Të rinjtë kosovarë tani i kanë kuptuar mësimet e Partisë dhe të shokut Enver. Do të vijë ajo ditë kur ne të çlirohemi”.
Informacion Nr.1734, datë 21.11.1980;
“Kur vijnë grupe të ndryshme artistike nga Shqiperia, në Kosovë krijohet një gjendje e elektrizuar.
Aty krijohet një atmosferë e tillë, sa po të dalë ndonjë njeri e t’u thotë: ”Bjeruni serbëve”, është rrezik që të shkojnë deri në Beograd.
Pra frymë patriotike dhe revolucionare në Kosovë ekziston, por ka mungesë organizimi…!
Të dënuarit kohët e fundit në Kosovë, populli i konsideron si bijtë më të mirë dhe është i indinjuar nga këto masa që ka marrë UDB-a, të cilat kanë krijuar një pasiguri të madhe.
Në Kosovë sot ka rezistencë të heshtur e shfaqur në forma të ndryshme, por me qëllime politike, si sabotime, kaos, in-disiplinime në qendra të punës dhe institucione”./
Informacion Nr.1780, datë 2.12.1980;
“Në Kosovë vepron një organizatë me emrin “Ylli i Kuq”. Thuhet se ka shumë anëtarë dhe punon për çështjen kombëtare…! Për veprën e shokut Enver “Hrushovianët” – Kujtime, që jepet nga Radio-Tirana, në Kosovë dëgjimi bëhet i organizuar me grupe…!
Një vajzë 14 vjeçare, e arrestuar nga UDB-ja, kur u pyet në hetuesi; “Pse e do ti Shqipërinë, ajo është e dobët, e varfër dhe e pafuqishme për të ndihmuar dhe mbajtur ty”, ajo u përgjigj:
“Edhe në qoftë se është e varfër, e dobët dhe e pafuqishme, s’ka gjë, ajo është nëna ime, dhe nëna sido që të jetë, është nënë. Nuk ka fëmijë që të mos ta dojë atë”.
Ndërgjegjja kombëtare tani është rritur në të gjitha shtresat shoqërore, veçanërisht në radhët e rinisë, e cila ndihet më shumë dhe shpesh shpërthen në forma të ndryshme…! Tani ne kemi fituar disa të drejta, por nuk kemi fituar lirinë”./ Memorie.al




