ShowBiz

Mateo i hedh fajin familjarëve të Brikenës për ndarjen, vjen reagimi: Mos e bëj publike jetën private!

Pretendimeve të Mateos mbi marrëdhënien e tij të kaluar me Brikenën dhe ndërhyrjen e palëve të treta, konkretisht familjarëve të saj, këta të fundit i janë përgjigjur me një reagim publik në Instagram, duke sqaruar qëndrimin e tyre dhe duke theksuar parimin e respektimit të privatësisë.

Edhe pse e vërteta e plotë mbetet ende e paqartë, në reagimin e familjarëve vihet theksi te një premtim i dhënë mes palëve, i cili – sipas tyre – është shkelur nga ana e Mateos. Ata theksojnë se çështjet personale nuk duhet të përdoren si strategji apo përfitim publik, pavarësisht rrethanave apo kontekstit të një formati televiziv.

“Ndiejmë përgjegjësi të sqarojmë një parim të thjeshtë: fjala e dhënë nuk është temë loje dhe çështjet e jetës personale nuk përdoren për strategji apo përfitim publik. Kur dy persona bien dakord që e kaluara të mos diskutohet, ajo marrëveshje duhet të respektohet, pavarësisht rrethanave të lojës,” thuhet ndër të tjera në reagim.

Më tej, familjarët theksojnë se, ndonëse Brikena është figurë publike dhe pjesë e një formati ku ekspozimi është i pashmangshëm, kjo nuk e përjashton të drejtën e saj për privatësi dhe dinjitet personal. Sipas tyre, bërja publike e detajeve intime nuk justifikohet as nga fama dhe as nga interesi i publikut.

“Të qenit figurë publike nënkupton përgjegjësi dhe transparencë në atë që është publike, por nuk e shfuqizon të drejtën për privatësi dhe as nuk justifikon hapjen e detajeve personale që nuk i shërbejnë askujt,” theksohet më tej, duke nënvizuar se qëndrimi i familjes nuk është sulm ndaj askujt, por mbrojtje e kufijve personalë.

Kujtojmë se që në hyrjen e tij në shtëpinë e “Big Brother”, Mateo bëri publike një marrëdhënie të supozuar të disa viteve më parë me Brikenën, deklaratë që kjo e fundit nuk e priti mirë. Situata u tensionua më tej pas pretendimit të Mateos se mes tyre kishte ndodhur edhe një puthje.

Gjatë rrëfimeve të tij, Mateo u shpreh se ata sapo kishin nisur të dilnin bashkë, por sipas tij, ndërhyrja e familjarëve të Brikenës bëri që takimet mes tyre të ndërpriteshin. Nga ana tjetër, Brikena vazhdon t’i mohojë këto pretendime, duke qëndruar në një version krejt të kundërt nga ai i Mateos.

Debati mbetet i hapur, ndërsa familjarët e Brikenës kërkojnë që çështja të mbyllet me respekt për fjalën e dhënë dhe për jetën private.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button