‘Maduro u arrestua sipas ligjit amerikan’, Koçi: Opozita të mos ekzaltohet shumë, se ka në krye një “non grata”

Ish-deputeti socialist, Petro Koçi, tha se operacioni amerikan në Venezuelë për arrestimin e Nicolas Maduro, ishte fantastik dhe kirurgjikal.
Por ai shtoi se Venezuela nuk mund të krahasohet me Shqipërinë, teksa këshilloi opozitën që t ëmos ekzaltohej, pasi po t’i referohej Maduros, Amerika ka shpallur “non grata” liderin e opozitës në vendin tonë dhe reagimin e PD-së e konsideroi të pavend dhe qesharak.
“Definicioni që dha Denisi (Deliu) ishte kirurgjikal, i saktë. Ishte operacion fantastik, sidomos te mpirja e sistemit venezuelian ushtarak. Sistemet teknologjike dhe elektronike janë asgjësuar. Dhe jo vetëm kaq, pasi shërbimi sekret venezualian ka qenë zero, por ka pasur edhe sfidim të shërbimeve aleate të Venezuelës, si Rusia, Kina apo Irani”, tha ish-deputeti socialist për “News 24”.
Më tej ai tha se Maduro nuk ishte vetëm autokrat, por edhe antiamerikan dhe se arrestimi erdhi për shkak të ligjit amerikan për drogën.
“Ai nuk ishte thjesht një autokrat, por ishte një autokrat antiamerikan. Kjo lidhet me interesat gjeostrategjike të SHBA-ve. Ai u arrestua sipas ligjit amerikan, u pa aspekti i narkotrafikut dhe armëve, dy aspekte kryesore. Të tjerat kanë natyre politike, si zgjedhjet e vjedhura, diktatura”, vijoi ai.
Më tej Koçi theksoi se Amerika nuk ka interes për destabilitet në Venezuelë, por për gjetjen e marrëveshjes dhe tranzicion në vend.
“SHBA nuk ka interes për destabilitet në Venezuelë por për tranzicion normal. Gjasat janë 50 me 50, një pjesë e qeverisjes në Venezuelë e ka kuptuar se nuk bën dot ndryshe”, tha ai.
I pyetur përse nuk reagoi kryeministri Edi Rama për operacionin e SHBA-ve, por deklarata erdhi nga ministrja e Jashtme, Elisa Spiropali, ish-deputeti u shpreh se u ndoq rruga zyrtare dhe i takonte ministres që ta bënte si përfaqësuese e diplomacisë shqiptare.
Ai këshilloi edhe opozitën që të mos ekzaltohej shumë për arrestimin e Maduros duke e lidhur me Shqipërinë, pasi ka vetë në krye të partisë një “non grata”.
“Ministrja e Jashtme është zëdhënësja kryesore e politikës së jashtme të Shqipërisë, kjo është normale që u bë mesazhi prej ministres. Ekzaltimi i opozitës për mua ishte i pavend, duke e krahasuar Shqipërinë me Venezuelën, është qesharak. Kur ka vetë persona non grata në të dhe duke parë vetëm këtë mjafton që opozita të mos ekzaltohet”, u shpreh Koçi.




