Kunjë për Arbanën në Big Brother? Alketa Vejsiu sqaron deklaratën

Në episodin e fundit të “UëTëFë Show” në Andale Media, moderatorët kanë zbuluar se kanë kontaktuar drejtpërdrejt Alketa Vejsiun për të sqaruar deklaratën e saj gjatë mbrëmjes ku ajo ishte e ftuar si opinioniste në “Big Brother”, deklaratë që u interpretua nga shumë ndjekës si një kunjë ndaj Arbana Osmanit.
Bëhet fjalë për idenë e Alketës për një format të mundshëm të “Big Brother”, ku ajo dhe Ledion Liço do të ishin banorë, ndërsa Arbana Osmani moderatore. Ky sugjerim ndezi menjëherë reagime në rrjet, ku shumë e panë si një thumbim ndaj Arbanës.
Por përmes një mesazhi të dërguar për emisionin, Alketa Vejsiu ka mohuar kategorikisht çdo qëllim negativ, duke theksuar se deklarata e saj ka qenë krejtësisht pozitive dhe aspak një sulm apo ironi.
“Nuk kam lidhje fare me thumbim për Arbanën, përkundrazi unë doja ta bëja pjesë integrale të show-t, sepse asaj i takonte, duke qenë njeriu i parë që e ka prezantuar këtë format. Unë thashë që ajo duhet ta prezantojë dhe ne duhet të futeshim brenda në shtëpi. Ishte vetëm pozitive,” – u shpreh Alketa.
Ajo sqaroi gjithashtu se ideja e saj fillestare për veten si moderatore ishte thjesht një batutë, duke theksuar se si Arbana, ashtu edhe Ledioni, e kanë drejtuar formatin në mënyrë shumë të mirë.
Por surprizat nuk mbarojnë këtu. Alketa zbuloi se do të ishte e hapur dhe e lumtur të ishte pjesë e një projekti të përbashkët “All Stars” me Arbanën dhe Ledionin, duke u pozicionuar qartësisht si një figurë paqeruajtëse mes tyre.
“Unë jam paqevënëse dhe paqeruajtëse, nuk jam e kunjave. Jam vërtet ashtu si e tha Ledioni, që ruaj një ekuilibër me të gjithë. Arbanën e kam ftuar në program. Ledionit po ashtu i kam shkuar dhe do më vijë. Do isha shumë e lumtur po të bënim një program ‘All Stars’ unë, Arbana dhe Ledioni. Ky është qëndrimi im,” – theksoi ajo.
Megjithatë, ndonëse Alketa shfaqet e gatshme për të ulur tensionet dhe për të ruajtur balancën, e njëjta gjë nuk mund të thuhet për Ledion Liçon. Sipas komentit në emision, ai u tregua më i gatshëm se kurrë për të vijuar “dramën” intriguese që prej kohësh shoqëron raportin e tij me Arbanën, një marrëdhënie që vazhdon të mbetet e tensionuar dhe e paqartë për publikun.
Deklaratat e fundit kanë rindezur diskutimet mbi raportet mes figurave kryesore të “Big Brother” dhe kanë shtuar kureshtjen se a do të shohim ndonjëherë një bashkim të tyre në një projekt të përbashkët televiziv.



