“Ka ardhur koha, të bëjnë publike dosjen e Ballukut”/ Shehaj thirrje deputetëve të opozitës: Nuk mund të presim…

Kreu i Partisë Mundësia, Agron Shehaj, ka reaguar përmes një postimi në rrjetet sociale, duke iu drejtuar deputetëve të opozitës që janë anëtarë të Këshillit të Mandateve dhe që, sipas tij, disponojnë dosjen ndaj Belinda Ballukut.
Shehaj u bëri thirrje këtyre deputetëve që ta bëjnë publike dosjen voluminoze prej rreth 16 mijë faqesh, duke theksuar se transparenca është në interes të qytetarëve. Sipas tij, në këtë rast duhet të veprohet edhe përtej kufijve ligjorë.
“Anëtarët e Këshillit të Mandateve duhet të shkelin ligjin dhe të bëjnë publike dosjen me 16 mijë faqe për Ballukun. Deputetët duhet ta shkelin ligjin në këtë rast, në interes të qytetarëve”, u shpreh Shehaj në reagimin e tij.
Më tej, kreu i Partisë Mundësia u shpreh skeptik ndaj mundësisë që kryeministri Edi Rama të lejojë ndonjë veprim penal ndaj Ballukut, duke deklaruar se kjo, sipas tij, nuk do të ndodhë.
“Nuk mund të presim që Rama të lejojë arrestimin e Ballukut, sepse ai nuk ka për ta bërë kurrë”, përfundon Shehaj.




