Ja prapaskenat e takimeve private të Ramës dhe Soros, Evi Kokalari tregon “kukullën” e re të financuar nga manjati…

Aktivistja e njohur, shqiptaro-amerikane, Evi Kokalari ka publikuar një shkrim të gjatë në rrjetet sociale, ku ngre shqetësimin për atë që e cilëson si rikthim të marksizmit në Shqipëri, përmes promovimit të Lea Ypit. Sipas Kokalarit, zonja Ypi po paraqitet në publik si intelektuale e dalë nga një familje e persekutuar nga komunizmi, ndërsa në thelb përfaqëson një projekt ideologjik marksisto-sorosist, i mbështetur financiarisht dhe institucionalisht nga rrjeti i George Sorosit. Në analizën e saj, Kokalari ndalet te formimi akademik i Ypit, lidhjet me Open Society dhe projektet e financuara prej Sorosit, duke e cilësuar këtë proces si një përpjekje të qëllimshme për të normalizuar marksizmin në Shqipëri nën petkun e intelektualizmit modern. Sipas Kokalarit, Lea Ypi po shtyhet si “kukulla” e re e financuar nga rrjeti sorosian, e përgatitur për të marrë frenat e qeverisë pas goditjes që SPAK i dha Erion Veliajt.
Analiza e plotë e Evi Kokalarit
“Të jesh i/e lindur dhe i/e rritur në Shqipërinë komuniste, një kthim i marksizmit shkon përtej ngacmimit të kujtesës së orëve të gjata të PPSH-së që na i detyronin t’i nënshtroheshim në shkollën e mesme. Kur në Shqipëri ra regjimi komunist (nëse mund ta quajmë rënie), karakteri më i zymtë dhe i dëshpëruar tek gjimnazi “Sami Frashëri” në Tiranë ishte pa frikë ajo e profesoreshës së PPSH-së, ose më saktë, “Profesoreshës së Marksizmit”. E mbaj mend mirë fytyrën e saj, paçka që emri i shmanget kujtesës sime dhe me të drejtë. Por ndjesinë që më krijonte ajo degë, e kisha lënë pas në një jetë që rrallë më dukej sikur e kisha jetuar realisht, por nuk e kisha menduar kurrë që në ditët e para të vitit 2026, do të më fanitej çdo ndjesi lidhur me atë lëndë dhe atë profesoreshë. Ajo do të merrte formë të plotë sërish, por këtë radhë si një intelektuale e dalë nga një familje e persekutuar, që krijoi dhe të gjithë konfuzionin në psiqikën time. Ajo rikthehet e plotë si Lea Ypi – profesoresha e Marksizmit Kantibalistik (sarkazëm – Kantinist) të kolegjit që jo vetëm e brumosi George Sorosin, por i dha atij bazën për të ndërtuar OJQ-në “Open Society” që i ka bërë shumë dëm shteteve të Europës Lindore, të cilat në vulnerabilitetin e tyre më të plotë, sapo po dilnin nga errësira dhe makabriteti i komunizmit dhe marksizmit bolshevik, ranë në kthetrat e tij. Sorosi, “mentor intelektual”, siç e quan vet, kishte pikërisht Karl Popper, profesor tek London School of Economics (LSE) ku Ypi është profesoreshë e Marksizmit. Po, po e di, është “Profesoreshë e Teorisë Politike”, por kjo është thjesht përgjithësim, sepse po të kërkosh në vetë këtë institucion, është vështirë të të shpëtojë specializimi në “Marxism and Critical Theory”. Në fakt, si “profesoreshë marksizmi” e prezantojnë shumë ëebsite akademike ku përmendet për arsye të ndryshme. George Sorosit i dha emrin OJQ-së së tij si prelud të librit të Karl Popperit, të botuar në 1945, “The Open Society and Its Enemies”, aq shumë efekt kishte Popper tek Soros. Që nga ajo kohë, Soros është një nga donatorët më afatgjatë të këtij fakulteti dhe gjasat janë që këtë pozicion Ypit si profesoreshë ja ka siguruar pikërisht Soros. Kjo është mënyra tipike e Sorosit për të promovuar filizat e tij, të cilëve ju financon edukimin dhe karierat dhe i pergatit ata për të marrë frenat e qeverive që kontrollon perandoria e tij. Ne fakt, Lea Ypi kthehet si mishërimi absolut i dy të këqijave më të mëdha që ka vuajtur ky komb në shekullin e fundit: Marksizmit & Sorosizmit në një figurë të vetme që po promovohet në petkun e intelektualizmit. Por më lejoni t’i kthehem për një sekondë “intelektualizmit” në përgjithësi.
Intelektualizmi komunist
E kam shkruar dhe më parë që në Shqipëri termi “intelektual” keqkuptohet dhe kjo është pasojë e regjimit komunist që e ktheu burgun e Tiranës në Universitet e parë Shqiptar, duke persekutuar çdo mendje ndritur të atyre viteve që kuptonin çfarë ishte komunizmi dhe rrezikun që i cenonte vendit dhe kombit. Më vonë, nga mungesa e theksuar e intelektualizmit, regjimit i duhej të ndërtonte një klasë të re “intelektualësh” ku merrnin figura si Lenka Çuko, ju varnin një diplomë në qafë – et voilà, intelektuali komunist të shihte në dritë të syrit ty, që ishe formuar intelektualisht më shumë në gjashtë vitet e para të jetës tënde se sa në 16 vjet shkolle komunistësh, ku të bëhej një shpëlarje truri dhe ku të kujtonin çdo ditë që mbiemri yt ishte një damkë që mund të të linte pa fakultet dhe madje pa burrë, sepse, helbete, martesa të tilla i prishnin punë të gjithë familjeve që kishin ngelur me sado pak nivel. Më vonë, intelektualizmi komunist mori një formë akoma më absurde. Bibliotekat e ndërtuara tek Misto Mame mbusheshin me veprat e Enver Hoxhës dhe me ato pak libra që lejonin të përkthenin në shqip nga literaturat e huaja. Sa më e madhe biblioteka, aq më krenar familja që tregonte që ishte shtresa e re e intelektualizmit komunist. Pak rëndësi kishte që ty, herë pas here, falë kushërinjve të afërt që nuk ishin prekur nga regjimi, të binte në dorë literaturë e huaj në thelb antikomuniste që ti, si ushtar i epur, e lexoje, rilexoje dhe të dridhej dora kur e ktheje, sepse përbënte si thesar të rrezikshëm në ato kohë të errëta. Këto libra nuk viheshin kurrë në biblioteka. Në fakt, intelektualizmi nuk është aspak ajo që besojnë gjenerata të tëra të trëdhura nga Enver Hoxha. As diploma dhe as biblioteka nuk të bëjnë intelektual, nëse nuk ke aftësinë që çfarëdo lloj njohurie që ke përvetësuar nga librat, shkollat apo familja, nuk të kthehet në forcë për ta transmetuar duke influencuar ndryshime thelbësore në një shoqëri civile, qofshin ato nëpërmjet penës, apo nëpërmjet politikës apo dhe biznesit privat. Këto ndryshime mund të jenë për mirë, por dhe për keq. “Profesoresha” e Marksizmit Lea Ypi i plotëson të gjitha kriteret dhe parametrat e përkufizimit tim të intelektualizmit, sepse tashmë më është mbushur mendja plot që detyra e saj nëpërmjet veprave letrare të shkruara, eseve, artikujve nëpër gazeta dhe projektit të saj të fundit, “Cohesive Capitalism” që ka marrë $4,500,000 financim nga Sorosi, është pikërisht influencimi i masave me marksizëm, të cilit ajo i referohet si marksizëm “Kantinist”, dhe këtë e bën me qëllim, pikërisht për të normalizuar marksizmin dhe për ta ndarë atë nga ai bolshevik. Në fakt, këtë e tha vetë në intervistën që ndoqa disa ditë më parë. E para, ju lutem, të heqim termin Kantinist nga ky ekuacion. Marksizmi Kantinist NUK EKZISTON, dhe këtu lindin pikëpyetjet e mia fillestare ose për intelektin e saj real, ose lojën që po luan. Në fakt, është eksperimentuar me këtë më parë dhe Kant është nga figurat më komplekse të 200 viteve të fundit, së pari sepse konsiderohet si socialisti i parë dhe i mirëfilltë gjerman, paçka që ekzistenca e tij pridaton filozofinë marksiste të viteve 1848 dhe së dyti, bindjet e tij personale anonin më shumë nga një republikanizëm liberal. Idetë e tij ishin në natyrë socialiste (jo bindjet personale), dhe idetë ishin pikërisht për debat publik, të cilat Kant i shtron si mundësi dhe jo si fakt. Këto ide ishin bazë për Hegel, dhe më vonë Karl Marx. Në fakt, dhe Karl Marx dhe Lenini e kanë konsideruar Kant një borgjez të sëmurë që besonte në kapitalizëm dhe në pronën private, pavarësisht se idetë që Kant hodhi për debat i adoptuan në manifestet e tyre. Vetëm një teoricien politik i viteve 1880-1930 ka përdorur Kant si një mënyrë për të shitur filozofinë e socializmit për masat: austromarksisti Otto Bauer – kryetar i partisë social-demokrate të Austrisë, parlamentar, që dhe ai pas shumë analizave doli në përfundimin që Kant nuk mund të funksionojë në lidhje me socializmin apo marksizmin. Karl Popper, gjithashtu Austriak dhe bashkëkohës i Otto Bauer, flirtoi gjatë me austromarksizmin, paçka që më vonë e ka kritikuar. Ndikimi i dytë i Kantit vjen sërish nga një austromarksist tjetër si Max Adler (gjithashtu filozof i shquar) i cili kishte si fokus integrimin në mënyrë eksplicite të etikës neo-kantiane në marksizëm, duke argumentuar për një dimension moral të socializmit përtej materializmit historik të pastër. Ky “socializëm etik” bazohej në theksin e Kantit mbi autonominë, ligjet morale universale dhe dinjitetin njerëzor.
Lea Ypi
Pas 100 vitesh, del një “filozofe” nga Shqipëria, e persekutuar në familje, që vendos t’i japë kuptim sërish marksizmit neo-kantian, dhe kjo ngre shumë pikëpyetje, duke pasur parasysh nivelin e intelektit që ajo ka dhe që këtu nuk ka gabime. Ndërkohë, austromarksizmi kërkonte një “rrugë të tretë” mes bolshevizmit dhe reformizmit, i ndikuar nga fokusi etik i neo-kantianizmit. Kjo tërhiqte socialistët drejt universalizmit kantian, në kontrast me analizat thjesht të bazuara në klasë. Dhe pse Bauer nuk e përmend kurrë Kantin, Kanti, përmes neo-kantianizmit, i ofroi vegla austromarksistëve për të humanizuar dhe eticizuar marksizmin, duke e bërë atë më të përputhshëm me vlerat demokratike dhe faktorët kulturorë. Kjo e dallon austromarksizmin nga interpretimet më rigjide të Marksit. Këtë po bën dhe Lea Ypi: nëpërmjet Kantit, ajo do të normalizojë dhe të humanizojë marksizmin, duke e zhveshur atë nga mizoritë e bolshevikëve dhe komunistëve që përsekutuan familjen e saj dhe të gjithë Shqipërinë. Libri i saj i fundit “Të Poshteruarit” flet për poshtërimin që iu bë gjyshes dhe gjyshit të saj thjesht nga një foto e tyre në muaj mjalti në Itali, ku ata u quajtën spiun dhe shumë emërime të tjera, dhe Lea Ypi vendosi ‘të vërë’ dinjitetin e tyre në vend, dhe këtë e bën pikërisht duke shfrytëzuar figurën e gjyshes së saj dhe duke i veshur asaj të gjitha teoritë socialiste të Kantit. Në një intervistë vite më parë, ajo thotë se librin e parë po vendoste ta shkruante thjesht si analizë teorish apo si një tregim personal të familjes, dhe me sa duket, Ypit iu duk më e arsyeshme të shtynte influencimin e saj marksisto-kantian nëpërmjet figurës së gjyshes së saj, gjë që pa diskutim tërheq një audience shumë tjetër që ndoshta nuk do të lexonin thjesht teoritë politike të Lea Ypit. Është për këtë arsye që personalisht, si një antikomuniste dhe super e djathtë, me një emër familje që ishte një damkë që rëndonte për ato 45 vjet, them me bindje të plotë që poshtërimin më të madh gjyshes së Lea Ypit ja ka bërë vetë Lea Ypi.
Lea Ypi dhe Soros
Fatkeqësia tjetër është se Lea Ypi është mishërim i ideologjisë së vetë George Sorosit. Pra, nëse figura si Erion Veliaj, Edi Rama dhe shumë të tjerë quheshin sorosistë “by association”, Lea Ypi ka mishëruar çdo gjë që Soros ka besuar dhe ka ekzekutuar në jetë nëpërmjet OJQ-së së tij. Soros “Open Society” e hapi në 1993, pikërisht kur pa mundësitë për të infiltruar vendet post-komuniste, duke korruptuar politikanët e saj por duke kuptuar që këto kombe dilnin nga 45 vjet marksizëm, si e tillë, terreni ishte gjysmë gati. Diku aty Soros piketoi Lea Ypin, e cila në 1996, kur ishte akoma 17 vjeç, fiton çmimin e parë (folësi më i mirë kombëtar) në debatin kombëtar të “Institutit të Shoqërive të Hapura” (Open Society Institute) me temë “Censura e shprehjes individuale për të mirën e shoqërisë është e justifikuar”. Lexojeni sërish titullin e debatit: “CENSURA e shprehjes individuale për të mirën e shoqërisë është e JUSTIFIKUAR”. Pra, për censurim të të drejtave individuale dhe justifikimin e saj, Lea Ypi fiton debatin. Një vit më vonë, fiton çmimin “Debatin Ndërkombëtar Karl Popper” për temën “Shoqëritë e hapura kërkojnë kufij të hapur” organizuar nga Instituti “Open Society”. Ky është thelbi i ekzistencës së George Sorosit vetë, të vërë në zbatim çka kishte mësuar nga Karl Popper, dhe ku kishte vend më të mirë se “London School of Economics” për të instaluar një individ si Lea Ypi për të cilën Soros investoi që kur ajo ishte akoma minorene. Në 1998, Soros financoi bursën e Ypit në “La Sapienza”. Pas PhD-së dhe një dyvjeçar tjetër në Oxford, Ypi punësohet direkt si profesoreshë në LSE. Në fakt, rasti i Lea Ypit më kujton rastin e Yuval Hararit, një intelektual tjetër që me librat e tij, sidomos “Homo Deus”, shtynte idenë e globalizmit duke e justifikuar me origjinën e vetë njerëzimit, e cila nuk njihte kufij dhe lëvizte lirisht, dhe pa këto migrime masive, bota nuk do të ishte kjo që ishte sot. Harari ishte i preferuari i Klaus Schëab dhe ai e promovoi në pikën që është sot i njohur. E pra, Lea Ypi është për George Sorosin çka Yuval Harari ishte për Klaus Schëab dhe pse ndoshta paksa në miniaturë. Në 2024 Lea Ypi në bashkëpunim apo nën drejtim të Tim Besley, ka marrë një “grant” nga Soros për 4,500,000 dollarë, siç thashë më lart, për të financuar projektin “Kapitalizëm Koheziv”. Projekti synon të kuptojë:
- si mund të reformohet kapitalizmi, jo ta zëvendësojë atë direkt me socializëm
- si të ndërtohen institucione ekonomike dhe politike që shpërndajnë përfitimet më gjerësisht,
- si të rikthehet besimi, solidariteti dhe stabiliteti shoqëror.
Pra, po të lexosh me kujdes përtej termave që janë tipike metode e të majtëve për të kufizuar çdo gjë si diçka pozitive për klasat e minoriteteve, kupton që në thelb ky projekt ka reformimin e kapitalizmit dhe shpërndarjen e përfitimeve individuale për të mirën e shoqërisë, pra një socializëm i maskuar me idetë e Kantit, që Ypi po ja shet dhe publikut shqiptar.
Takimet private Rama-Soros, çfarë ndodhi pas arrestimit të Veliajt
Lea Ypi kthehet në Shqipëri mbasi Erion Veliaj u arrestua nga SPAK dhe Sorosit i duhet një zëvendësues i ri për Ramën. Në fakt, Rama e ka përmendur në fushatë që së shpejti Shqipëria do të kishte si kryeministre femër, dhe besoj këto ishin diskutimet e tij private me Sorosin. Në të gjithë këtë, vlen të theksohet patetika e medias, që është super e kontrolluar nga Rama që po promovon këtë, por ku bie në sy niveli i ulët i gazetarisë që nuk ngre pikëpyetje për marksizmin dhe ideologjitë politike të këtij individi. Audiencës shqiptare i erren sytë nga intelektualizmi kot, jo më ku ka pak bazë, dhe fillojnë ta ngrenë këtë në lapidar, pa kuptuar që dhe Karl Marx dhe Lenini dhe bolshevikët kryesorë të 1908-1912 ishin super intelektualë, prandaj e kuptonin shumë mirë çfarë ishte marksizmi dhe si duhej ekzekutuar, dhe me këtë kuptim të plotë iu futën punës ta vinin në jetë. Lea Ypi me sa duket do të kthejë marksizmin duke i hedhur pluhur syve audiencave, por personalisht, si një pinjolle e një familjeje tjetër të përsekutuar (dhe mos harroni në familjen time ishin 20 veta me emër dhe mbiemër të persekutuar, ekzekutuar, burgosur, helmuar, internuar) dhe si një anti-sorosiste, antikomuniste dhe super konservatore, i sugjeroj Lea Ypit: nëse mendon se do të lejohet të instalohet si “puppet” i ri i George Sorosit apo EU (që nëse bëhet sërish do të jetë nga Soros), do të ketë një përplasje shumë të fortë me ata që kuptojnë që Shqipëria s’ka parë një ditë të mirë që kur ra komunizmi. Nëse Lea Ypi s’kupton që lufta jonë është pikërisht me Sorosin dhe të korruptuarit si Rama dhe Berisha, pra mbetjet komuniste, fatkeqësia do jetë e saj. Shqipëria s’ka asnjë nevojë as për marksizmin e Leas as për “intelektin” e Leas që në këtë rast po dëmton. Shqipëria do të shkojë drejt një konservatorizmi të kulluar, ku komunizmi dhe marksizmi i Lea Ypit do të kriminalizohet, siç do të detyrohet dhe Partia Socialiste të mbyllet si vazhduese e Partisë Komuniste Shqiptare dhe të rihapet si Parti e Majtë dhe jo Socialiste. Shqipërisë i duhen intelektualë, por një intelektual si Lea Ypi që shtyn të njëjtin sistem që përsekutoi gjithë familjen e saj, flet qartë për karakterin e Leas vetë, sepse tashmë është e qartë që intelekti nuk i mungon, kështu që Lea të përgatitet për një luftë të pamëshirshme ku poshtërimi merr kuptim tjetër, dhe për këtë të më besoj mua që e hoqa në kurriz në 4-vjeçarin e fundit. Dhe unë nëpërmjet Berishës hyra në skenën politike në Shqipëri dhe dola brenda 9 muajsh pasi pashë me sytë e mi çfarë bëhej. Lea Ypi është një me Sorosin, dhe kaq mjafton të kuptosh që integriteti i saj do ta kthejë Shqipërinë në një kavie të re sorosiane ku do të eksperimentojnë me marksizmin neo-kantian, që nuk funksionoi në Austri… por do ta bëjë të funksionojë “filozofia” e Sorosit në Shqipëri. Absolutely not! Nëse Ypi do të futet në lojën politike në mënyrë korrekte, me debate politike me ne që e kuptojmë dhe Marksin dhe Immanuel Kantin, por dhe Sorosin dhe edukimin e saj sorosian, mirë se të vijë, por nëse pranon një instalim të pajustifikueshëm, të bëhet gati sepse realisht do të jetë luftë super e ashpër. Nëse disa nga ne në emigrim kemi kellqe të merremi me këta që hedhin miliona dollarë për favore politike, Lea Ypi ta konsiderojë veten peshë shumë të lehtë dhe të fillojë të forcojë muskujt sepse kjo nuk është lojë, por janë fatet e një kombi që duhet shpëtuar urgjentisht nga humnera ku po shkon dhe një marksisto-sorosiste nuk mund ta shpëtojë këtë komb. Shqipëria ka nevojë për konservatorizëm të pastër. PIKË.”




