Life Style

Familja e Shpat Kasapit i del në mbrojtje Selvijes: Mjaft me gjykime dhe su*me

Ndarja e papritur nga jeta e këngëtarit Shpat Kasapi, pas një arresti kardiak në Itali, tronditi publikun dhe fansat e tij. Ai u nda nga jeta në moshën 40-vjeçare, duke lënë pas djalin e tij të vogël, Roelin.

Pas vdekjes së këngëtarit, vëmendja në rrjetet sociale u përqendrua edhe te partnerja e tij, Selvija, e cila u përball me komente dhe reagime të shumta negative. Situata solli reagime edhe nga familjarët e Shpat Kasapit, të cilët dolën në mbrojtje të saj.

Nëna e këngëtarit reagoi publikisht, duke vlerësuar figurën e nuses së saj dhe duke theksuar raportin e mirë që kishin pasur. Së fundmi, edhe halla e Shpat Kasapit, Flora Kasapi, e ftuar në emisionin “Living Day”, u shpreh se ndaj Selvijes ishte bërë një padrejtësi e madhe.

“Le ta urrejmë edhe Shpatin edhe Selvijen, apo edhe t’i duam. Kjo është çështje personale. Por duhet kuptuar drejt një situatë njerëzore. Një njeri dy metra, i bukur, i admiruar nga të gjithë dhe për tre sekonda të ikën në kraharorin tënd. Çfarë mund të thuhet këtu? A duhet të shpjegohet ky moment?”, u shpreh Flora Kasapi.

Ajo shtoi se askush nuk ka të drejtë të gjykojë një marrëdhënie nga jashtë, duke theksuar se zgjedhja e Shpat Kasapit për partneren e tij duhet respektuar. “Për të dashurën e Shpatit është bërë një padrejtësi e madhe. Ku e di ti kush është ajo? Ke jetuar me atë? Jo. Nëse ai e ka zgjedhur për të dashurën e vet dhe për të qenë nëna e djalit të tij, si ka mundësi që një popullatë e tërë të flasë?”, tha ajo.

Sipas hallës së këngëtarit, nëna e Shpat Kasapit, Gjylysere Kasapi, e ka parë të arsyeshme të ndërhyjë për t’i dhënë fund spekulimeve dhe komenteve, duke u përpjekur të mbyllë debatet që u hapën pas humbjes së djalit të saj.

Familja e këngëtarit ka kërkuar respekt për dhimbjen dhe privatësinë në këtë periudhë të vështirë, duke theksuar se sulmet dhe gjykimet publike vetëm sa e rëndojnë më tej situatën.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button