Bukuria ka qenë ‘e ndaluar’ për brezin tonë’/ Rrëfehet aktorja e njohur Lili Lushi: Ja pse lashë Shqipërinë për Zvicrën

Lili Lushi, një emër i dashur për publikun shqiptar, është rikthyer pas një kohe të gjatë në ekran për të ndarë detaje të panjohura nga karriera dhe jeta e saj personale. Në një intervistë të rrallë për emisionin ‘AShow’ në Syri Tv nën moderimin e Adi Krastës, aktorja ka zbuluar se rruga e saj drejt skenës dhe ekranit nuk ishte një ëndërr e fëmijërisë, por një kthesë e papritur e fatit, pasi dëshira e saj fillestare ishte të bëhej mjeke.
Gjatë bisedës në studio, Lushi foli me nostalgji për rolet e saj, duke u ndalur veçanërisht tek filmi “Rruga e Lirisë” (1997) me regji të Esat Musliut. Ajo solli në vëmendje sfidën e interpretimit të Dilës, një vajze që vishet si burrë për t’i dalë zot familjes, një fenomen ky i njohur si “burrneshë” në veriun e Shqipërisë.
Aktorja theksoi sakrificën sublime të këtyre grave, duke hedhur poshtë keqinterpretimet moderne mbi orientimin e tyre seksual dhe duke i cilësuar ato si gra të vërteta me një koracë të fortë. Një pjesë e rëndësishme e rrëfimit të saj iu dedikua ikonave të kinematografisë shqiptare. Lushi kujtoi me emocion debutimin e saj si studente në filmin e Fehmi Hoshafit, ku pati fatin të luante krah emrave si Nikolin Xhoja, Albert Vërria dhe e madhja Tinka Kurti. Për këtë të fundit, aktorja shprehu një admirim të veçantë, duke zbuluar se edhe temën e diplomës ia kishte kushtuar pikërisht “zonjës së rëndë” të skenës shqiptare, Tinka Kurtit.
Jeta e aktores duket se ka qenë një udhëtim mes qyteteve dhe kulturave. Edhe pse me origjinë nga Tropoja dhe e rritur në Kukës, karriera e saj artistike lulëzoi në Durrës, ku u emërua pas insistimit të Nikolin Xhojës dhe Sofokli Afezollit. Megjithatë, që nga viti 2001, Lili Lushi ka ndërtuar një jetë të re në Zvicër.
Ajo tregoi se largimi nuk ishte një tërheqje e qëllimshme nga arti shqiptar, por një rrjedhojë e angazhimeve intensive në shtetin helvetik, ku drejton shoqatën dhe studion artistike “Aleksandër Moisiu”. E pyetur për gjendjen aktuale të kinematografisë në Shqipëri dhe krahasimin me sukseset e Kosovës, Lushi zgjodhi të ishte diplomatike në përgjigje. Ajo pranoi se, për shkak të largësisë, nuk është shumë e informuar për prodhimet e reja, por kujtoi kohën kur u largua, një periudhë kur prodhoheshin rreth 12 filma në vit me cilësi të lartë. Aktorja theksoi se lidhja me spektatorin në teatër mbetet për të emocioni më i madh, i pazëvendësueshëm nga kamera.
Gjithmonë kam qenë e përgatitur që ti do bësh pyetje të vështira. Unë mendoj që, ja, kjo është një temë interesante, megjithatë s’e di a i takon këtij emisioni, që ne nuk jemi rritur me këtë mendim që ‘unë jam e bukur’, ‘unë duhet të vishem’. Unë i përkas një brezi që më tepër këto gjëra kanë qenë të fshehura sesa të treguara, ose të thëna, ose të stimuluara. Unë vetë nuk kam dashur të shkoj në Akademinë e Arteve. Dhe kam shkuar. Kanë qenë vitet jashtëzakonshme. Domethënë, përfundimisht ishte një zgjedhje adekuate, por dëshira ime e parë ka qenë që të bëhesha mjeke. Megjithatë, ndryshoi rrjedha. Për shumë arsye. Emri im është i shkurtër, Lili.
Ky është filmi ‘Rruga e Lirisë’, i cili është xhiruar jo në fillimet e mia, ndoshta diku në ’97-ën. Regjisor ka qenë Esat Musliu. Ky është një rol jashtëzakonisht interesant. Pse? Personazhi quhej Dila dhe në pjesën veriore të Shqipërisë, kur një familje nuk kishte burra, njëra prej vajzave duhet të vishej si burrë dhe t’i dilte zot familjes. Këtë rol e kishte marrë Dila. Domethënë ajo e ka sakrifikuar jetën e vet si femër për t’u… është veshur si mashkull në mënyrë që t’i dali zot familjes. Po, në mënyrë të qëllimshme. Kjo ka qenë domethënë traditë në ato zona. Më mirë për këtë gjë mund të na informonte Natasha Lako edhe Lavdie Leka më duket, ato kanë bërë skenarin. Skenari ishte shumë interesant. Në mënyrë të veçantë roli që kam luajtur unë.
Filmi im i parë ka qenë kur unë kam qenë studente në vit të parë në Akademinë e Arteve dhe regjisor ka qenë Fehmi Hoshafi. Vetëm që në atë moment kur kam filluar punën në atë film (kjo foto nuk i takon atij filmi)… unë kam menduar që, o Zot, në këtë film me këta aktorë nga të cilët unë jam e rrethuar, është një dhuratë. Shumë e madhe. Sepse aty kanë qenë emra që janë korifejtë e artit shqiptar: Nikolin Xhoja, Tinka Kurti, Albert Vërria, e të tjerë. Astrit Çerma. E kam parë. Unë Tinkën e dua në mënyrë të veçantë. Edhe punën e diplomës që kam bërë, e kam bërë për Tinka Kurtin. Një koincidencë, s’i ka mundësi që pyet edhe ti për këtë gjë. Mentori im i ka qenë Vangjel Heba dhe ishte një diplomë shumë simpatike sepse për Tinkën ke gjithmonë çfarë thua. Edhe kur e shoh tani, unë e kam gjithmonë në kujtesë ashtu siç ka qenë.
Ky është filmi i parë të cilin unë kam luajtur në vit të parë në Akademinë e Arteve. Kjo ishte befasia: të luaja me Tinka Kurtin, të luaja me Nikolin Xhojën, Albert Vërrinë. Pse është lidhur? Sepse mbasi kam mbaruar Akademinë e Arteve, Nikolin Xhoja edhe Sofokli Afezolli, i cili ka qenë drejtori i Teatrit të Durrësit, kanë insistuar që unë të shkoj në Durrës. Familja ime jetonte atëherë në Kukës. Në veri të Shqipërisë. Babai im ka qenë oficer dhe ka punuar në Kukës. Familja ime vjen me origjinë nga Tropoja. Që është gjithashtu në veri të Shqipërisë, të cilën unë gjithmonë atje dua ta sqaroj. Po, por Tropoja është për mua më e vlefshme, më shumë se çdo gjë tjetër, se andej vijnë prindërit e mi. Unë e dua. Kur kam shkuar për herë të parë në Tropojë, që kam qenë e vetëdijshme ku po shkoj dhe çfarë po shoh, edhe kam parë ato Alpet që e rrethojnë rreth e përqark Tropojën, më është dukur vetja si shqiponjë. Aq të bukura ishin edhe të jepnin një ndjesi të jashtëzakonshme. Unë e dashuroj Tropojën.
Ky është një film që unë e dua jashtëzakonisht shumë. Po, ky është film televiziv. Regjisor ka qenë i talentuari Pluton Vasi. Këtu është marrëdhënia nënë edhe bir, dhe tregon që kur prindërit nuk dinë t’i lëshojnë fëmijët në kohën që ata janë në fazën e adoleshencës, atëherë ky qëndrim dhe kjo mënyrë rritje është ndoshta shumë penguese deri… kthehet deri në tragjedi. Edhe në këtë rast për shembull, këtë marrëdhënie kemi, nënë edhe bir. Ajo kërkon gjithmonë që ta mbajë afër djalin, ai largohet, largohet dhe një ditë prej ditësh vjen vetëm kali i cili tregon që ai nuk jeton më. Unë kam bërë shumë teatër, më shumë sesa film. Unë kam bërë më shumë teatër sesa film. Natyrisht që jo, dhe unë besoj që ti e di përgjigjen.
Përderisa thua që e kam dëgjuar që ia kanë bërë edhe Meryl Streep, domethënë që ke dëgjuar dhe përgjigjen e saj. Teatri është marrëdhënia direkte me spektatorin është një domosdoshmëri për të dhënë me të vërtetë atë që mendon. Natyrisht që është edhe filmi, por ka një formë tjetër dhe përballë një kamera është ndryshe emocioni sesa kur ke një sallë me 500 veta që të shikojnë. Mbasi kam ikur nga Shqipëria në 2001-shin, ti je ftesa e parë për të ardhur përsëri këtu dhe për të bërë këtë emision. Por në fakt, kjo që thua tani është për mua disi jo e panjohur… jo për faktin që nuk ka të bëjë me të vërtetën, por për faktin që edhe unë nuk kam qenë shumë e informuar se si është kinematografia tani. Dëgjoj komentin tënd. Kur unë jam larguar prej këtej, në Shqipëri janë prodhuar gati 12 filma në vit, mos më tepër, dhe me një cilësi shumë të mirë. Tani pse gjendja është kështu…
Më vjen keq. Jo, nuk jam shumë e informuar. Jo, unë nuk jam tërhequr me një qëllim të caktuar për t’i kthyer kurrizin, sepse në fakt kjo është një temë që edhe mund ta diskutojmë, por puna intensive që kam bërë edhe bëj në Zvicër më ka mbërthyer edhe nuk më ka lënë më të çlirohem për të parë më shumë sesa t’i largohem asaj pune që bëj. Tani për momentin shoqata nuk ka një aktivitet kaq të fuqishëm sa mund të flasim… Në kohën që ka jetuar është punuar jashtëzakonisht mirë. Ajo si shoqatë u zhvillua për të plotësuar atë mungesë, jo në formën e nostalgjisë, por ndoshta edhe në shenjë falenderimi edhe mirënjohje që unë kam punuar në Teatrin Aleksandër Moisiu dhe shoqata atje ka emrin Aleksandër Moisiu. Pjesë e kësaj shoqate është studio Aleksandër Moisiu, në të cilën janë bërë disa vite mësime të rregullta, leksione të rregullta të mjeshtërisë së aktorit. Aty ka pasur studentë, unë besoj që… Po, në momentin që del ne do qëndrojmë sepse ka diçka për të pyetur dhe për atë.
© SYRI.net




