Politike

Kryemadhi hedh poshtë rikthimin në politikë: S’kam moral t’u kërkoj votën qytetarëve

Ish-deputetja Monika Kryemadhi ka bërë të qartë se nuk e sheh veten të rikthyer në politikë, të paktën për sa kohë të jetë në përballje me drejtësinë.

Përballë moderatorit Ylli Rakipi, ajo deklaroi se nuk ndihet moralisht e gatshme t’u kërkojë votën qytetarëve pa përfunduar më parë procesi gjyqësor ndaj saj.

E pyetur nëse ka hequr dorë përfundimisht nga politika, në një kohë kur po afrojnë zgjedhjet lokale, Kryemadhi u shpreh se angazhimi politik është i pamundur për të për sa kohë vijon të jetë në dyert e gjykatave.

Ajo theksoi se nuk mund të kërkojë mbështetjen e qytetarëve pa u përballur më parë me drejtësinë, duke e cilësuar këtë si një standard personal dhe moral që ka vendosur për veten.

“Përderisa jam në dyert e gjykatave, nuk kam si merrem me politikë. Duke qenë se e kam thënë, me këtë reformë në drejtësi nuk kam të drejtë morale të kërkoj votë para qytetarëve pa mbaruar procesi ndaj meje. Nuk pretendoj të ma bëjë gjyqin GJKKO dhe mediat, por do ta marrë gjykimi hyjnor. Por përderisa kemi votuar këtë reformë, nuk dal dot të kërkoj votë sa jam në dyert e gjykatave”, deklaroi Kryemadhi.

Gjatë bisedës, kur iu përmend rasti i zyrtarëve të tjerë që vijojnë të qëndrojnë në politikë pavarësisht akuzave, ish-deputetja u përgjigj se ka zgjedhur të ndjekë standardin e saj.

“Unë kam standardin tim. Edhe koha nuk të lejon. Nuk kam zyra avokatie t’i kem unë në dispozicion. Jam familjarisht në një proces gjyqësor”, u shpreh ajo.

Me këtë deklaratë, Kryemadhi sinjalizoi se nuk ka ndërmend të rikthehet në garën politike dhe as të kërkojë votën e qytetarëve për sa kohë çështja e saj gjyqësore mbetet e hapur.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button