Aktualitet

Kush e kallëzoi Elisa Spiropalin në SPAK? Gazetarja Lala zbulon detajet e dosjes anonime

Prokuroria e Posaçme ka marrë dokumentacion në institucionet e ujësjellësit dhe ILDKPKI, ndërsa kallëzimi ngre dyshime për tenderë dhe pasuri të padeklaruara…
Prokuroria e Posaçme ka nisur verifikimet mbi aktivitetet ekonomike të familjarëve të deputetes socialiste Elisa Spiropali, pas regjistrimit të një kallëzimi anonim në fund të tetorit.

Gazetarja Klodiana Lala, gjatë emisionit “Të Paekspozuarit”, sqaroi se procedimi penal nuk ka ende persona konkretë nën hetim.

“Hetimi është nisur në fund të tetorit vetëm për veprat penale. Spiropali dhe familjarët nuk janë zyrtarisht nën hetim”, deklaroi Lala.

Një nga çështjet që ngre kallëzimi lidhet me tenderët që dyshohet se ka përfituar vëllai i deputetes në Fier dhe Lushnjë, gjatë periudhës kur bashkëshorti i saj drejtonte ujësjellësin.

Kallëzimi përmban gjithashtu informacion mbi aktivitetet tregtare të bashkëshortit, dy kunatave dhe vëllait të Spiropalit.

Duket dorë e stërvitur dhe ka të dhëna të detajuara”, u shpreh gazetarja, duke evidentuar edhe pretendimet për një automjet të padeklaruar që më pas është shitur.

Sipas Lalës, SPAK ka ndërmarrë veprime hetimore për të verifikuar informacionin e depozituar, duke administruar dokumentacion pranë institucioneve të ujësjellësit dhe Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive.

“Fakti që ka kaluar filtrin paraprak d.m.th. që ka dyshime të arsyeshme për ta vijuar”, theksoi ajo.

Lala ngriti gjithashtu mundësinë që kallëzimi të ketë lidhje me përplasjet mes grupimeve brenda Partisë Socialiste. Sipas saj, personi që ka hartuar materialin ka siguruar informacione të hollësishme, deri te shpërndarja e dividendëve.

“Ka luftë në klanet brenda PS, dhe dikush ka qenë i interesuar për të siguruar të dhëna”, deklaroi gazetarja.

Megjithatë, Lala nënvizoi se motivet e mundshme politike të kallëzuesit nuk e përjashtojnë nevojën për hetimin e pretendimeve. Ajo shtoi se është ende herët për të folur për rezultatet e procedimit, pasi SPAK e ka regjistruar kallëzimin vetëm një muaj më parë.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button