“Nuk mbajmë anë në debatet e brendshme”, Marta Kos i vendos Ramës dy kushte për integrimin

Komisionerja për Zgjerimin ndan kërkesat politike të protestuesve nga ato që lidhen me procesin e anëtarësimit, duke i kërkuar qeverisë shqiptare rishikimin e amendamenteve të vitit 2024…
Komisionerja për Zgjerimin Marta Kos ka bërë një ndarje të qartë mes çështjeve të ngritura nga protestuesit në Shqipëri, duke përcaktuar se deri ku shtrihet përgjegjësia e Komisionit Evropian dhe çfarë i takon të zgjidhë politika shqiptare.
Në një intervistë për Euronews Albania, komisionerja për Zgjerimin deklaroi se Brukseli nuk mban anë në debatet e brendshme politike, por ka kërkesa konkrete ndaj qeverisë shqiptare për respektimin e standardeve të anëtarësimit.
Në fakt, pjesa më e rëndësishme e deklaratës së Marta Kos lidhet me legjislacionin mjedisor dhe investimet strategjike, për të cilat komisionerja nuk ia lë zgjidhjen dialogut mes mazhorancës dhe opozitës, por i trajton në kuadër të negociatave me Bashkimin Evropian.
Kos përmendi konkretisht amendamentet e vitit 2024, ndryshimin e të cilave Brukseli ia kërkon qeverisë shqiptare, si dhe hartimin e një ligji të ri për investimet strategjike.
“Në kuadër të këtij procesi, veçanërisht sa i përket mjedisit, Kapitullit 27, ne presim që qeveria të ndryshojë amendamentet e vitit 2024 dhe të hartojë gjithashtu një ligj të ri për investimet strategjike”, tha Kos.
Pra, ndërsa për një pjesë të kërkesave të protestuesve komisionerja kërkon dialog politik në Tiranë, për legjislacionin mjedisor dhe investimet strategjike ajo i drejtohet konkretisht qeverisë.
Duket se Brukseli nuk po kërkon thjesht zbatimin e legjislacionit ekzistues, por ndryshimin e tij në kuadër të negociatave për anëtarësim.





