Politike

“Në burg të paktën bukën e kam falas”, Kryemadhi në hall të madh: SPAK më shkatërroi, kam mbetur pa shtëpi e pa punë

Monika Kryemadhi duket se e kanë zënë hallet e mëdha pas ndajres me Ilir Metën dhe aksionit të SPAK. Monika që dikur bënte pazar te dyqanet m♪7 të shtrenjta në Europë e SHBA, sot ankohet se ka mbetur thatë.

E ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit” të Ylli Rakipit në Vizion Plus, ish-deputetja ka folur madje edhe për avantazhet që, sipas saj, do të kishte qëndrimi në burgun e Pogradecit: ushqim falas dhe ajër të pastër.

“Shtëpinë ma kanë marrë. Mua ma kanë marrë shtëpinë. Ia kthyen shtëpinë vetëm mamit tim. Nga politika më kanë hequr. Në punë nuk më merr njeri. Familjen ma kanë shkatërruar me dezinformime. Çfarë do të më bëjnë mua më shumë? Do më çojnë te burgu i Pogradecit, po punë e madhe, bukën e kam falas, çdo gjë falas, ajër i pastër është”, deklaroi Kryemadhi.

“Ti s’ke vuajtur për këto qyle”, ndërhyri moderatori Ylli Rakipi, ndërsa Kryemadhi u përgjigj: “Ama karma… Do t’ju vijë radha, një nga një, me radhë”.

Por përballë deklaratave të ish-deputetes qëndrojnë edhe shifrat e dosjes së SPAK-ut, të cilat tregojnë një standard krejt tjetër jetese gjatë viteve të saj në politikë.

Sipas dokumenteve hetimore të publikuara në media, vetëm gjatë periudhës dhjetor 2014 – nëntor 2017, Kryemadhi rezulton të ketë kryer pagesa prej rreth 234 mijë dollarësh me një kartë American Express të biznesmenit Adrian Shatku. Bëhet fjalë për blerje veshjesh në Londër, Vjenë, Las Vegas e Beverly Hills, qëndrime në hotele dhe bileta avioni.

Në një tjetër episod të dokumentuar nga prokurorët, evidentohet një pagesë prej 12 mijë eurosh në një butik në San Marino, brenda një dite.

Gjithashtu, sipas analizës financiare të SPAK-ut, në një prej llogarive bankare të Kryemadhit janë depozituar mbi 1,1 milionë euro gjatë viteve 2014–2022, nga të cilat janë shpenzuar rreth 1,08 milionë euro.

Nga butikët e San Marinos dhe Beverly Hills te buka falas në burgun e Pogradecit, kontrasti mes shpenzimeve të dokumentuara nga prokuroria dhe deklaratave të sotme të Kryemadhit është i dukshëm.

Ish-deputetja është ndalur edhe te vendimi i Gjykatës së Posaçme ndaj nënës së saj, Fatime Kryemadhi, duke kundërshtuar analizën financiare të kryer nga SPAK-u dhe duke ngritur pretendime për mënyrën se si funksionon drejtësia.

“Në këto 4 vite hetim dhe procese gjyqësore kam mësuar disa metodologji se si funksionojnë. Në fakt, GJKKO-ja, pavarësisht reformës në drejtësi, ka probleme të mëdha. Që nga mungesa e transparencës në procesin gjyqësor, ku nuk lejohet telefoni. […] Mamaja ime ka kërkuar gjykim të shkurtuar, por edhe pavlefshmëri të analizës financiare. SPAK-u e bën analizën nga viti 2002, kur mamaja ime kishte dalë në pension. Por mamaja ime nuk ka lindur pensioniste”, deklaroi Kryemadhi.

Por debatin te përfitimet financiare të çiftit Meta-Kryemadhi e riktheu analisti Andi Bushati.

“Mamaja e Monikës është aty sepse ka një akuzë që Kryemadhi dhe Meta kanë përfituar, dhe debati publik duhet bërë pikërisht për këtë: a kanë përfituar?”, tha Bushati.

Kryemadhi kundërshtoi edhe radhën e zhvillimit të proceseve gjyqësore, duke argumentuar se nëna e saj nuk mund të dënohej përpara se drejtësia të shprehej për të dhe Ilir Metën.

“Derisa të jetë gjallë Fatimja, por edhe pas vdekjes, do t’ia vazhdoj unë procesin. […] Ti e akuzon për vepër penale. Që të akuzosh dhe të dënosh Fatimen, duhet të më dënosh mua dhe Metën njëherë. Po nëse dal unë dhe Meta të pafajshëm?”, deklaroi ajo.

Përtej ankesave për papunësinë, banesën dhe perspektivën e ushqimit falas në burg, debati mbetet te burimi i parave që financuan standardin e jetesës së ish-deputetes gjatë viteve në pushtet.

Për këtë çështje do të vendosë gjykata. Ndërsa përballë publikut, pyetja mbetet se si justifikohen faturat e dikurshme të luksit./Pamfleti

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button