Personazh

Historia e panjohur e Muntaz Dhramit dhe Ismail Kadaresë: Si ranë në dashuri, me të njëjtën vajzë

Nga Albert Z. Zholi

Në dt. 10 nëntor 2026, në 90-vjetorin e lindjes së skulptorit të Popullit, Muntaz Dhrami, mes kujtimeve për artin, Gjirokastrën dhe vitet e rinisë, ai më rrëfeu edhe një histori të veçantë, që kishte mbetur e ruajtur në kujtesën e tij për dekada të tëra. Një histori dashurie të heshtur, ku protagoniste ishte një vajzë e bukur gjirokastrite, ndërsa dy djemtë që e admironin, simpatizonin ishin vetë Muntaz Dhrami dhe Ismail Kadare. Dhrami e cilësoi vajzën Lulja në gur-

Një histori rinie, një dashuri e pathënë, një ftesë për ëmbëlsirë që nuk u pranua dhe një bisedë mes dy djemve që më vonë do të bëheshin emra të mëdhenj të kulturës shqiptare. Ishte Gjirokastra e viteve të rinisë, qyteti i gurit, i shtëpive të larta, i sokakëve të ngushtë dhe i kalldrëmeve që ngjiteshin e zbrisnin si valë mali. Në atë qytet të bukur, ku çdo rrugicë kishte historinë e vet dhe ku njerëzit njiheshin me njëri-tjetrin, dy djem të rinj kishin një sekret që, pa e ditur, i bashkonte. Ishin Muntaz Dhrami dhe Ismail Kadareja.

Në atë kohë, të dy ishin në moshën kur zemra fillon të rrahë ndryshe, kur një shikim i vetëm të shoqëron gjatë gjithë ditës dhe kur një takim i rastësishëm bëhet ngjarja më e bukur e javës. Në shkollë, në oborr, në korridore dhe në rrugët me kalldrëm, sytë e tyre kërkonin shpesh të njëjtën figurë: një vajzë brune, me trup të hollë si lastar, me një bukuri të rrallë, ndër më të bukurat e Gjirokastrës. Simpati e heshtur…Ajo kishte një hijeshi të veçantë. Nuk ishte nga ato vajza që kërkonin të binin në sy. Përkundrazi, kishte një lloj indiference, një qetësi dhe një qëndrim që e bënin edhe më tërheqëse. Kur kalonte nëpër sokakët e qytetit, me hapin e saj të lehtë, nuk e dinte se pas saj mbeteshin dy palë sy që e ndiqnin me admirim. Muntazi e shihte në shkollë, e shihte në rrugë, e shihte kur kalonte nëpër kalldrëmet e Gjirokastrës. Edhe Kadareja kishte të njëjtën dobësi.

Por asnjëri nuk guxonte të bënte hapin vendimtar. Ishin të rinj, kishin ndjenja, por edhe atë ndrojtjen e moshës, kur të duket sikur një fjalë e gabuar mund të prishë gjithçka. Një ditë, Muntazi mori zemër dhe e ftoi vajzën për të ngrënë një ëmbëlsirë. Ishte një ftesë e thjeshtë, por për të kishte shumë kuptim. Ndoshta mendonte se aty, përballë një ëmbëlsire, do të gjente rastin të bisedonte më gjatë me të, t’i shprehte simpatinë dhe të krijonte një afërsi. Por vajza nuk pranoi. Muntazi mbeti me dëshirën e paplotësuar dhe me një ndjenjë që vazhdonte ta mbante për vete. Por historia bëhet edhe më interesante kur dy djemtë zbuluan se kishin rënë në dashuri me të njëjtën vajzë. Një ditë, në një bisedë mes tyre, doli në shesh sekreti që secili e kishte ruajtur në heshtje.

Kadareja: – Muntaz, po ti, ia ke shprehur simpatinë asaj?

Muntazi: – Jo, Ismail! Nuk e di, më vjen turp ta ndaloj e t’i flas. E shoh, më pëlqen, por nuk gjej guximin t’i them diçka. Po ti, Ismail, ia ke shprehur? Thjesht simpati…

Kadareja: – Jo, as unë! Ku di unë pse kam kaq ndrojtje. E shoh dhe kaq. Ndoshta… ndoshta do të vijë koha!

Muntazi: – Edhe unë kështu mendoj. Por ja që kalojnë ditët dhe ne përsëri nuk po bëjmë asgjë! Pra thjesht simpati…

Dhe të dy qeshën, siç qeshin djemtë e rinj kur zbulojnë se kanë të njëjtin hall. Nuk kishte rivalitet, nuk kishte xhelozi. Kishte vetëm një simpati të përbashkët dhe një ndrojtje që nuk po i linte të bënin hapin e parë. Vitet kaluan, por ajo histori mbeti në kujtesën e Muntazit. Kur, në 90-vjetorin e tij, biseduam për rininë dhe Gjirokastrën, ai ma tregoi këtë episod me një buzëqeshje të veçantë.

E pyeta nëse kishte arritur ndonjëherë t’ia shprehte dashurinë vajzës. “Unë nuk ia shpreha”, më tha. “Edhe Kadareja më tha se nuk ia kishte shprehur. Besoj se edhe ai nuk i kishte propozuar, pasi do ta shikoja ndonjëherë me të.” Pastaj erdhën largimet. Muntazi u nis drejt Tiranës dhe më pas drejt Bashkimit Sovjetik, ku do të studionte skulpturën dhe do të ndërtonte një karrierë të jashtëzakonshme artistike. Kadareja ndoqi rrugën e tij letrare.

Njëri do të skaliste në gur e bronz figura që do të mbeteshin në sheshet dhe monumentet e Shqipërisë, tjetri do të skaliste me fjalë personazhe e histori që do të përktheheshin në shumë gjuhë të botës. Rrugët e tyre u ndanë, por Gjirokastra mbeti aty, me sokakët, shkollën, kalldrëmet dhe kujtimet e një rinie që nuk kthehet më. Po vajza brune? Ndoshta ajo vazhdoi jetën e saj pa e ditur kurrë se dikur kishte qenë në mendimet e dy djemve që më vonë do të bëheshin figura të mëdha të kulturës shqiptare.

Ndoshta nuk e mori vesh asnjëherë se njëri e kishte ftuar për ëmbëlsirë dhe se tjetri e shihte nga larg, duke pritur një kohë që nuk erdhi kurrë. Sot, në 90-vjetorin e Muntaz Dhramit, ky kujtim merr një bukuri të veçantë. Pas monumenteve, skulpturave dhe emrit të një artisti të madh, shfaqet edhe Muntazi djalosh, ai që dikur ecte në kalldrëmet e Gjirokastrës me zemrën plot emocione dhe me një dashuri që nuk guxonte ta shprehte. Sa njerëzore është kjo histori!

Dy personalitete të mëdha, njëri skulptor e tjetri shkrimtar, dikur dy djem të zakonshëm, që kishin të njëjtën ëndërr dhe të njëjtën ndrojtje. Dhe ndoshta, në kujtesën e tyre, ajo vajzë brune nuk u plak kurrë. Mbeti përjetësisht e re, duke ecur nëpër kalldrëmet e Gjirokastrës, ndërsa dy djemtë vazhduan rrugën e tyre drejt historisë..

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button