“Të shtyhet afati i bonove”/ PS dorëzon kërkesën, Dhima: Të përdoren në privatizime e legalizime
Prej tre muajsh në Shqipëri ka përfunduar afati mbi përdorimin e bonove të privatizimit. Përmes një nisme deputetja socialiste Antoneta Dhima ka kërkuar që e drejta e familjeve që i kanë ende në zotërim të shtyhet deri në vitin 2027. Sipas të dhënave janë edhe rreth 30 miliardë bono që ende nuk janë vënë në përdorim
Deputetët socialistë kanë propozuar shtyrjen e afatit të përdorimit të bonove të privatizimit.
Përmes një nisme të depozituar në parlament Antoneta Dhima kërkon që e drejta të shtyhet deri në 31 dhjetor të vitit 2027.
Në argument shtohet se kjo do t’i krijojë mundësi personave t’i përdorin në drejtime të ndryshme.
Sipas Dhimës, një pjesë e konsiderueshme e objekteve administrohen nga Ministria e Brendshme dhe Bujqësisë dhe ende nuk janë privatizuar.
Madje, një pjesë e ndërtesave janë në tokat e ish-pronarëve, të cilët kanë edhe të drejtën e parablerjes së objekteve.
Gjithashtu punonjësit shoqërive aksionere do të mund t’i përdorin në privatizimin e subjekteve, por po ashtu edhe në procesin e legalizimeve.
Sipas të dhënave zyrtare, në total me dekret të vitit 1995 janë emetuar 74.9 miliardë lekë bono privatizimi, prej të cilave u janë shpërndarë publikut 51.2 miliardë.
Nga këto deri në vitin 2015 ishin përdorur në proces privatizimi 10 miliardë lekë duke u lënë në qarkullim 41 miliardë.
Në 31 dhjetor të vitit 2023 përfundoi dhe afati ligjor për përdorimin e tyre, ndërsa vlera zbriti në tregun e lirë deri në 8 për qind./OraNews