Politike

Brukseli “ngel në klasë” Edi Ramën, ambasadorja e BE “shuplakë” kryeministrit, i kërkon mos përdorë dhunë ndaj studentëve dhe ia përplas në sy çështjen “Balluku” dhe qeverisjen e korruptuar

Sheshet e Tiranës po buçasin nga protesta më e madhe qytetare që nga fillimi i tranzicionit demokratik, ndërsa vakuumi moral i pushtetit mori këtë të mërkurë goditjen më të rëndë nga vetë Bashkimi Evropian. Teksa dje doli në konferencën e përbashkët për shtyp pas dorëzimit zyrtar të progres-raportit për vitin 2026, ambasadorja e Bashkimit Evropian në Tiranë, Sofia Moreira de Sousa, i dha një “shuplakë” diplomatike publike kryeministrit Edi Rama. Ajo i kërkoi prerazi ndalimin e dhunës policore ndaj studentëve, gazetarëve dhe qytetarëve që prej javësh po mbushin rrugët, duke ia bërë të qartë se përdorimi i forcës shtetërore duhet të hetohet me urgjencë dhe nuk ka vend në një shtet që pretendon integrimin. Vetë Rama përpiqet të shesë propagandën e “kilometrit të fundit drejt integrimit për në BE”, por ambasadorja de Sousa refuzoi ta trajtonte anëtarësimin si një stërvitje teknike ligjore apo si një kartë personale të pushtetit.

Ajo i kujtoi qartë kryeministrit se integrimi u përket qytetarëve që po mbushin sheshet në kërkim të llogaridhënies – dhe jo një kabineti që i përgjigjet revoltës studentore me shkopinj gome, gazlotsjellës dhe shurdhim politik. “Anëtarësimi nuk është vetëm një detyrë teknike, nuk do të thotë vetëm të miratosh ligje, por i përket të gjithë shoqërisë shqiptare dhe në raport Komisioni ka shpjeguar mobilizimin më të madh qytetar që nga tranzicioni demokratik, ku qytetarët kërkojnë llogaridhënie dhe qeverisje të mirë. Këto shqetësime janë në thelb të procesit të anëtarësimit. Ishin çështjet mjedisore ato që nxitën protestat, që u shoqëruan me lëvizje më të gjera, luftë kundër korrupsionit, qeverisje më të mirë. Protestat paqësore janë pjesë e jetës demokratike, por në këtë jetë demokratike nuk ka vend dhuna. Çdo reagim dhune duhet të mbetet proporcional. Por e përsëris, dhuna nuk ka vend në jetën demokratike të vendit. Pakënaqësitë duhet të zgjidhen përmes dialogut. U takon institucioneve që të krijojnë kushtet për zhvillimin e dialogut demokratik”, deklaroi ambasadorja e BE-së në Shqipëri.

Pushteti i zhytur në korrupsion, çështja “Balluku” dhe bilanci i zi i qeverisë

Ndërkohë në thelb të mesazhit të prerë nga Brukseli qëndron pasqyrimi i zhveshur i realitetit shqiptar: korrupsioni nuk është më thjesht një problem burokratik, por një sfidë eksistenciale që mban peng të ardhmen e vendit. Dorëzimi i raport-progresit i përplasi Edi Ramës në sy hijen e rëndë të skandaleve qeveritare, ku emra si ai i ish-zëvendëskryeministres Belinda Balluku dhe aferat e tjera madhore të infrastrukturës e financave publike mbeten njollë e zezë në letërnjoftimin e ekzekutivit, gjetje këto të cilat janë pasqyruar në dokumentin e Këshillit Evropian. “Korrupsioni mbetet një sfidë reale për Shqipërinë. Anëtarësimi nuk është vetëm një detyrë teknike, por kërkon llogaridhënie dhe qeverisje të mirë. Shqetësimet e qytetarëve në sheshe janë në thelb të këtij procesi”, u shpreh qartë ambasadorja e BE-së, duke shkatërruar fasadën e suksesit artificial. Por përveç korrupsionit të kapilarizuar, Brukseli goditi fort edhe deformimin e demokracisë shqiptare:

· Shkelja e lirisë së medias: Financime të errëta jo-transparente dhe projektligje që bien ndesh me standardet e Evropës bashkëkohore.

· Klima e polarizuar dhe zgjedhjet: Dështim në plotësimin e rekomandimeve të OSBE/ODIHR-it dhe mungesë vullneti për reforma të vërteta.

Mungesa e transparencës: Përpjekje për të kaluar ligje madhore pa konsultim me shoqërinë civile dhe pa përmbushur kornizën evropiane.

Pra e gjithë kjo panoramë tregon se pavarësisht përpjekjeve të kryeministrit Edi Rama për të bërë “veshin e shurdhër” gjatë konferencës së djeshme, mesazhi nga Brukseli (i ambasadores Sofia Moreira de Sousa), doli i plotë: rruga drejt BE-së nuk kalon nga dhuna ndaj studentëve dhe propaganda e regjimit, por nga ndëshkimi i korrupsionit në majat e pushtetit dhe respektimi i qytetarëve që kërkojnë ndryshim. Nga ana tjetër, ambasadorja e BE, Moreira de Sousa nënvizoi rëndësinë e dialogut demokratik dhe përgjegjësinë e institucioneve për të krijuar kushtet që shqetësimet e qytetarëve të adresohen përmes komunikimit dhe mekanizmave demokratikë. Sa i përket procesit të integrimit, diplomatja Moreira de Sousa konfirmoi se progres-raporti i vitit 2026 nuk ka vendosur kushte të reja për Shqipërinë.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button