Tragjedia në Elbasan, fajtori është shteti!

Në Elbasan humbën jetën dy qytetarë, por përgjegjësia institucionale nuk mund të kufizohet te konstatimi i shkakut të shpërthimit. Shteti duhet të përgjigjet për kontrollet, standardet, certifikimet, mirëmbajtjen dhe gatishmërinë e shërbimeve të emergjencës.
Dy jetë të humbura, një pallat i kthyer në rrënoja dhe dhjetëra familje të mbetura në qiell të hapur. Ky është bilanci nga tragjedia në lagjen “Beqir Dardha” në Elbasan, ku një shpërthim i fuqishëm shkatërroi pallatin 5-katësh, ka nxjerrë në pah një realitet alarmant që sigurinë e ndërtesave ku jetojnë qytetarët dhe gatishmërinë e institucioneve për të përballuar emergjencat.
Pas humbjes së jetës së një 82-vjeçareje, ekipet e kërkim-shpëtimit të Forcave të Armatosura gjetën edhe trupin e pajetë të 69-vjeçarit Hamit Ibro, i cili rezultonte i zhdukur që prej momentit të shpërthimit. Dhjetë persona të tjerë u paraqitën në spital për shkak të asfiksisë, ndërsa fatmirësisht ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Godina është shpallur e pabanueshme, ndërsa banorët janë evakuuar. Dyshimet paraprake përqendrohen te një bombol gazi, por shkaku përfundimtar mbetet ende për t’u përcaktuar.
Megjithatë, kjo tragjedi nuk mund të trajtohet thjesht si një aksident fatkeq.
Shpërthimi ka zbuluar pikëpyetje serioze mbi sigurinë e pallateve, cilësinë e ndërtimeve, kontrollin e instalimeve të gazit dhe energjisë elektrike, si dhe përgjegjësinë e institucioneve që duhet të garantojnë jetën e banorëve.
Kush i kontrollon këto ndërtesa? Kush verifikon nëse instalimet janë të sigurta dhe të certifikuara? Sa kontrolle reale kryhen dhe sa prej tyre janë thjesht dokumente të firmosura në zyrat e institucioneve?
Kur një shpërthim në një apartament shkakton shembjen e strukturave dhe bashkimin e disa kateve në një masë rrënojash, është e domosdoshme të hetohet jo vetëm burimi i shpërthimit, por edhe gjendja teknike e godinës.
Një tjetër skandal që shoqëron këtë tragjedi janë pamjet e ndërhyrjes së zjarrfikësve.
Në vendngjarje, një efektiv shihet duke u përpjekur të shuajë flakët, ndërsa presioni i ujit duket aq i dobët sa rryma nuk arrin as në lartësinë e vatrës së zjarrit. Një pamje sa tragjikomike, aq edhe alarmante, që tregon kontrastin mes emergjencës me të cilën përballen efektivët dhe kapaciteteve që duken në dispozicion të tyre. Nuk është zjarrfikësi ai që duhet të mbajë përgjegjësi për mungesën e mjeteve. Ai ndodhet në terren dhe rrezikon jetën për të shpëtuar të tjerët. Përgjegjësia për pajisjen, mirëmbajtjen dhe funksionimin e shërbimit, dhe rrugët ku duhet të kalojnë, u takon strukturave drejtuese dhe institucioneve përgjegjëse.
Kryebashkiaku Gledian Llatja ka deklaruar se shpërthimi shkaktoi shembjen e një pjese të katit të katërt mbi katin e tretë, dëmtimin e shkallëve lidhëse dhe përhapjen e zjarrit. Por qytetarët nuk kanë nevojë vetëm për një bilanc viktimash dhe përshkrim të dëmeve.
Ata presin përgjigje konkrete se kur janë kontrolluar instalimet e gazit në pallat, a janë certifikuar sistemet e sigurisë, a funksionojnë pajisjet e zjarrfikësve dhe a ekziston kapaciteti për të ndërhyrë në ndërtesa shumëkatëshe?
Nëse shërbimi zjarrfikës nuk arrin të sigurojë presionin e nevojshëm të ujit, atëherë si mund të garantohet ndërhyrja në një zjarr të përmasave të mëdha?
Në Elbasan humbën jetën dy qytetarë, por përgjegjësia institucionale nuk mund të kufizohet te konstatimi i shkakut të shpërthimit. Shteti duhet të përgjigjet për kontrollet, standardet, certifikimet, mirëmbajtjen dhe gatishmërinë e shërbimeve të emergjencës.
Hetimi duhet të zbardhë nëse tragjedia mund të ishte parandaluar dhe nëse institucionet kanë përmbushur detyrimet e tyre. Sepse është e papranueshme që qytetarët të paguajnë me jetë pasojat e një sistemi kontrolli që duhet të funksionojë përpara tragjedisë, jo pasi pallatet kthehen në rrënoja./Pamfleti





