Politike

“Bashkohem që nesër!”, Berisha i hapur për një front opozitar (Çfarë ofron)

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, shprehet i gatshëm për krijimin e një fronti të përbashkët opozitar përballë mazhorancës, duke ftuar partitë e tjera politike të bashkojnë forcat për largimin e Edi Ramës nga pushteti.

Në një intervistë ekskluzive në emisionin “Opinion”, përballë gazetarit Blendi Fevziu, Berisha deklaroi se është i hapur për bashkëpunim me çdo forcë politike, pa përjashtuar as ato me të cilat PD-ja ka pasur përplasje apo mospajtime politike.

“Bashkohem që nesër!”, ishte mesazhi i tij, teksa theksoi se bashkimi nuk duhet të kushtëzohet nga paragjykimet apo dallimet mes partive.

Blendi Fevziu: Ju duhet që të bashkoni katër forca politike, të cilat javën e kaluar këtu në studio më thanë që ne nuk bashkohemi dhe bënë përgjegjëse PD-në për bashkimin.
Sali Berisha: Unë shfrytëzoj sërish rastin dhe i ftoj që të bashkohemi.

Blendi Fevziu: Cila është formula që sugjeroni ju? Arlind Qori ka thënë që vija e kuqe është Berisha për bashkimin, por edhe Agron Shehaj ka pakënaqësi ndaj jush, kurse Lapaj e kishte me Gazment Bardhin. Si do të bashkohesh ti me Qorin?

Sali Berisha: Bashkohem! Armiku i armikut tim, është aleat kundër armikut kryesor. Bashkohem që nesër!

Blendi Fevziu: Me kë bashkohesh, me Qorin?

Sali Berisha: Me cilindo, që bashkohet, që të largojmë Ramën nga pushteti. Me cilindo njeri.

Blendi Fevziu: Ju e mbani mend Ramën me një formulë që thoshte “le të bashkohem të gjithë qelbësirat, vetëm të ikë Sali Berisha”, kjo është formula?

Sali Berisha: Nuk them për asnjërin prej tyre, që janë klane droge, se janë klane mafioze, kurse ajo nënkuptonte botën e krimit…

Blendi Fevziu: Ideja ishte që Berisha është i rrezikshëm, bashkohuni me të gjithë me çdo diferencë që keni për të larguar Berishën.

Sali Berisha: Edhe atij i them unë, edhe çdo njeriu, çdo force politike, çdo shoqate dhe çdo faktori, hajde të bashkojmë forcat si shkallë përgjegjësie ndaj popullit për largimin e Ramës.

Blendi Fevziu: Ajo fabula që delja që ndahet nga kopeja e ha ujku është shumë e vërtetë. Nëse ju do të dilnit veç do ju hajë Rama me një kapërdin secilin. Nuk keni zgjidhje tjetër veçse bashkimit, edhe ashtu nuk dihet se si shkon situata.

Sali Berisha: Absolutisht! Prandaj unë i ftoj.

Kreu i demokratëve bëri të ditur se PD-ja është e gatshme të dalë me kandidatë të përbashkët për kryetarë bashkish, të bashkëpunojë për listat e këshillave bashkiakë, madje edhe të shqyrtojë forma të ndryshme bashkimi politik.

Berisha shkoi më tej duke deklaruar se opozita është e gatshme të diskutojë ndryshimin e plotë të ligjit elektoral dhe të garojë me lista të hapura për këshillat bashkiakë. Sipas tij, fronti i përbashkët nuk duhet të kufizohet vetëm te zgjedhjet lokale të 9 majit 2027, por të shtrihet edhe në protesta dhe aksione të përbashkëta politike, me synimin për t’i dhënë fund qeverisjes së Edi Ramës.

Blendi Fevziu: A keni ju një platformë, çfarë jeni të gatshëm të bëni ju për bashkimin? Çfarë doni që të ofroni?

Sali Berisha: Jemi të gatshëm që në bashkitë e vendit të nxjerrim kryetarë të përbashkët. Jemi të gatshëm të shohim për këshillat. Jemi të gatshëm për çdo formë shkrirjeje.

Blendi Fevziu: Jeni të gatshëm ju që të hiqni dorë nga një kandidaturë e Tiranës, për të vendosur një tjetër.

Sali Berisha: Ne nuk ftojmë me paragjykime. Jemi të gatshëm për frontin më të gjerë të mundshëm, qoftë në protestë, që është kush esencial për të përmbysur këtë regjim, qoftë edhe në zgjedhje. Jemi të gatshëm që të ofrojmë ligjin elektoral, ta ndryshojmë plotësisht.

Blendi Fevziu: Jeni ju të gatshëm që të hyni në Këshillin Bashkiak me lista të hapura?

Sali Berisha: Absolutisht! Që nesër!

“Me të gjithë takohem, nuk kam asnjë lloj paragjykimi. Se çfarë më quajnë, rëndësi ka të largojmë të keqen më të madhe…”, shtoi ai, duke specifikuar se nuk e ka aspak problem të ulet me Arlind Qorin apo Agron Shehajn.

/tvklan.al

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button