Aktualitet

Studentët zbresin sërish në shesh! Sot protesta kombëtare, në mbështetje pedagogët edhe diaspora

Ndërkohë studentët kanë refuzuar vazhdimisht ftesën e kryeministrit Edi Rama për dialog, teksa ata kërkojnë vetëm dorëheqjen e tij.

Tirana pritet të jetë nesër qendra e një proteste të gjerë, ku studentëve do t’u bashkohen pedagogë, sindikata, përfaqësues të biznesit të vogël dhe qytetarë nga qytete të ndryshme të vendit. Në ditën e 12-të të protestës studentore, organizimet po intensifikohen për tubimin e paralajmëruar më 24 tetor.
Aktivitetet mbështetëse do të nisin që në orët e paradites. Në orën 10:00, pedagogët pritet të mblidhen pranë Universitetit Politeknik, ndërsa një orë më vonë, në orën 11:00, përfaqësues të artit, kulturës dhe medias do të grumbullohen përpara Kryeministrisë.
Sindikata e Pavarur e Artit, Kulturës dhe Medias së Shqipërisë ka konfirmuar pjesëmarrjen në protestë, duke ftuar anëtarët dhe punonjësit e këtyre sektorëve të solidarizohen me studentët dhe të rinjtë. Në thirrjen e saj, sindikata vë theksin te përgjegjësia qytetare dhe mbrojtja e të drejtave të punonjësve.

Në mbështetje të tubimit është pozicionuar edhe Partia Demokratike, e cila u ka kërkuar aktivistëve dhe forumeve të saj të dalin në protestë në orën 12:00.
Bashkimi i grupeve studentore përpara Kryeministrisë është parashikuar për në orën 14:00, ndërsa pjesëmarrja pritet të përfshijë edhe studentë nga rrethet.
Gjatë ditëve të fundit, studentët në qytetet universitare jashtë Tiranës kanë zhvilluar protesta dhe tashmë po koordinohen me grupet studentore të kryeqytetit për të organizuar udhëtimin dhe pjesëmarrjen në tubimin kombëtar.

Ndërkohë pas refuzimit të vazhdueshëm për dialog nga ana e protestuesve, kryeministri Edi Rama, ka bërë një tjetër reagim në rrjetet e tij sociale.
Ai ka publikuar një video, ku shfaqen protestuesit duke rrokullisur gurët në bulevard dhe duke larguar ftesën për dialog.
Sipas kryeministrit, këtë nuk janë studentë dhe as pedagogë, ndërsa shtron pyetjen se çfarë janë këtë individë që kërkojnë të bëjnë vetëm rrëmujë.
“Studentë? JO! Pedagogë? JO! Po çfarë janë këta që duan vetëm rrëmujë?!….”, shkruan ai.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button