E akuzoi Rama si trafikant dr*ge, studenti e përgënjeshtron ‘live’ në TV: Më dhunuan 17 policë! Këtu më ke çdo ditë

Studenti Jon Sinoymeri ka reaguar pasi Edi Rama e ka përfshirë në akuzat e tij publike ndaj protestuesve, duke e lidhur me prodhimin dhe trafikimin e lëndëve narkotike. Sinoymeri i ka përgënjeshtruar këto pretendime, duke deklaruar se akuzën e kishte dëgjuar për herë të parë nga një shoqe e klasës, e cila e kishte njoftuar për atë që kishte publikuar kryeministri.
“Është hera e parë që e dëgjoj. Nuk e dija, edhe këtë s’e kisha dëgjuar”, shprehet studenti, i cili i drejtohet Ramës me një mesazh të drejtpërdrejtë: “Stëdëntët tuaj jemi, ju na keni bërë. Kështu që edhe sikur të kem qenë, që është totalisht gënjeshtër, nuk është se po më nxirrni mua keq, po nxirrni veten tuaj keq, se kjo rini ju përfaqëson”.
Sinoymeri ka rrëfyer gjithashtu se është përballur me dhunë gjatë protestës studentore. Sipas dëshmisë së tij, 17 efektivë policie e kanë ndjekur, rrëzuar dhe shtrirë në tokë, ndërsa më pas, pranë Ministrisë së Arsimit, tre persona, njëri me uniformë dhe dy civilë, e kanë dhunuar. Studenti pretendon se disponon edhe pamje filmike të ngjarjes.
Ai ka ngritur gjithashtu pretendime për parregullsi në dokumentimin e shoqërimit të tij në komisariat, duke thënë se është kapur rreth orës 03:30, ndërsa në dokumente, sipas tij, është shënuar ora 05:30 si momenti i arrestimit.
Pavarësisht akuzave publike dhe përvojës që thotë se ka kaluar me policinë, Sinoymeri deklaron se do të rikthehet në protestë. “Patjetër që do dal përsëri në protestë, kur më bëhet një akuzë e tillë”, shprehet studenti.
Përgënjeshtrimi i deklaratave të Ramës:
“Mua më shkruan një vajzë që kam në klasë, “më ka nxjerrë kryeministri prodhues dhe trafikues të lëndëve narkotike. Kjo është hera e parë që e dëgjoj. Nuk e dija, edhe këtë s’e kisha dëgjuar”. Faleminderit që më thatë. Studentët tuaj jemi, ju na keni bërë. Kështu që edhe sikur të kem qenë, që është totalisht gënjeshtër, nuk është se po më nxirrni mua keq, po nxirrni veten tuaj keq se kjo rini ju përfaqëson. Kam shkuar vetëm një herë në komisariat, pasi 17 policë, këtë e kam edhe me video, më kanë ndjekur me vrap, më kanë rrëzuar, kur kam qenë në protestë, më kanë shtrirë në tokë, pastaj më kanë çuar mbrapa Ministrisë së Arsimit, ku tre të tjerë, 1 me uniformë dhe 2 civilë më kanë dhunuar. Më pas më kanë çuar edhe në komisariat, ata më kanë kapur në tre e gjysmë dhe e kanë shënuar në dokumente sikur më kanë arrestuar në pesë e gjysmë dhe më kanë lëshuar në dhjetë e gjysmë, kundër çdo rregulli për arrestimet. Patjetër që do dal përsëri në protestë, kur më bëhet një akuzë e tillë. Jam Jon Sinoymeri.”





