Dorëheqje dhe arratisje drejt Austrisë? Ilir Kulla zbulon opsionet e Ramës nëse protesta vijon

Eksperti i sigurisë, Ilir Kulla, ka paralajmëruar kryeministrin Edi Rama për pasojat e një përshkallëzimi të përplasjes me të rinjtë protestues, duke theksuar se përdorimi i forcës nuk mund të jetë zgjidhja e krizës.
I ftuar në emisionin “Të PASHOQ”, në kanalin e YouTube të Pamfletit, Kulla u shpreh se kryeministri duhet të marrë në dorë procesin politik dhe të shqyrtojë mundësinë e ndryshimeve kushtetuese apo zgjedhjeve të parakohshme, përpara se situata të përkeqësohet.
I pyetur për një propozim të përmendur gjatë intervistës, që pretendohej se kishte ardhur nga një politikan në Austri dhe parashikonte largimin e Edi Ramës nga politika në këmbim të një forme strehimi politik, Kulla tha se shpreson që kryeministri të mos arrijë në një situatë të tillë.
“Unë shpresoj që kryeministri të mos shkojë deri në atë pikë që të jetë i detyruar të ikë”, deklaroi ai.
Eksperti theksoi se, sipas tij, kriza aktuale mund të zgjidhet vetëm përmes mekanizmave politikë dhe jo përmes përplasjes me protestuesit.
“Shpresoj që të mos e çojë pikën deri aty. Se po e ka çuar veten deri aty, do të thotë që aty e tutje pastaj nuk është më çështje dënimi, është çështje tjetër pastaj. Kështu që unë shpresoj që ai të marrë në dorë procesin politik”, u shpreh Kulla.
Sipas Kullës, Rama duhet të veprojë me përgjegjësinë e një drejtuesi që kërkon të ruajë stabilitetin e vendit dhe jo të përshkallëzojë konfliktin.
“Si babai i shtëpisë që është. Në qoftë se ai mendon që si babai i shtëpisë ka me mbajt’ dhunë vetëm dru dhe s’duan bukë, prishet ajo shtëpi. Të rinjtë nuk kanë çfarë humbin, humb Shqipëria”, tha eksperti.
Duke komentuar përballjen mes kryeministrit dhe të rinjve protestues, Kulla argumentoi se humbësi më i madh i një konflikti të zgjatur do të ishte vendi.
“E para e njëherë kush humb. Ata të rinj s’kanë çfarë humbin. Se që të themi kush e fiton duhet të themi kush e humb njëherë. Kur s’ke çfarë humb, vjen ajo shprehja siçiliane, ‘më e errët se mesnata s’ka’. Ata mesnatë janë, çfarë t’i bësh atyre më shumë”, u shpreh ai.
Eksperti u ndal edhe te deklaratat që, sipas tij, kryeministri ka bërë për përballjen me protestuesit, duke kundërshtuar përdorimin e një retorike lufte.
“Nëse ai i qëndron fjalës që tha ditën e enjte, ‘kjo është luftë dhe do ta fitojmë’, do shkojmë në luftë atëherë. Se kështu e tha ai”, deklaroi Kulla.
I pyetur për mundësinë e dorëheqjes së Ramës, ai u shpreh se ky është një vendim që i takon vetë kryeministrit, por paralajmëroi për pasojat e vijimit të përplasjes.
“Ai tha, unë nuk dorëhiqem dhe do shkojmë në luftë dhe luftën do ta fitojmë. Dhe luftën do ta bëj me ata me gurë”, u shpreh Kulla, duke iu referuar deklaratave që ia atribuoi kryeministrit.
Kulla kundërshtoi edhe idenë se revolta e të rinjve mund të shuhet përmes ndërhyrjeve të forcave të rendit.
“Çfarë do i bëjë me forcë? Çfarë do i bëjë me forcë? S’ka, aty i ke në shesh, vazhdojnë. Se kështu hyjnë ditën e parë me mendjen që do përdorim forcën e këta do ikin. Në fakt, guerilja vazhdon, jemi në ditën e 10-të”, deklaroi ai, duke iu referuar situatës në momentin e intervistës.
Eksperti përmendi edhe paralajmërimin për një protestë tjetër të madhe, duke argumentuar se masat shtrënguese mund të rrisin më tej pakënaqësinë.
“O do krijojë një kamp të madh përqendrimi dhe do i vendosë diku 10 mijë veta, 20 mijë veta, të tjerë nga këta të rinj”, tha ai, duke përdorur një krahasim hipotetik për të kritikuar mundësinë e shtypjes së protestave përmes arrestimeve masive.
Pjesë nga intervista:
-Propozimi i fundit është nga një politikan në Austri, në Vjenë, ku kryeministri anuloi edhe vizitën aty, agjendën, për shkak të situatës në Shqipëri, ku i ofronte në një farë mënyre e thënë thjesht, një lloj strehimi politik dhe Shqipëria të vijonte pa Edi Ramën. Pra, ai të ikte me një pakt nga politika, kundrejt asaj benefiteve apo ndonjë mase të caktuar se amnistia aty vlen për gjëra të lehta se kur po të vinte puna ai s’do ishte i implikuar në vepra të rënda, nuk do të shpëtonte. Tani, sa…
Ilir Kulla: Unë shpresoj… unë shpresoj që kryeministri të mos shkojë deri në atë pikë që të jetë i detyruar të iki.
-E pra sa shanse ka që kjo të diskutohet kjo, apo është diçka shumë fantazi?
Ilir Kulla: Shpresoj ta presi këtë… shpresoj që të mos e çojë pikën deri aty. Se po e ka çuar veten deri aty, do të thotë që e aty e tutje pastaj nuk është më çështje dënimi, është çështje tjetër pastaj. Kështu që unë shpresoj që ai të marrë në dorë procesin politik. Prandaj të them, si janë gjërat tani, ka vetëm zgjidhje politike. Ta lërë ushtrinë e idiotëve që ka aty në parlament, që i çojnë aty vetëm për të ngritur kartonin, se për atë punë janë ata se nuk është se kanë ndonjë mendim politik… Shumë pak janë ata aty brenda që kanë mendime politike në të dyja kampet. Dhe të fillojë një proces të mirëfilltë politik. Si babai i shtëpisë që është. Në qoftë se ai mendon që si babai i shtëpisë ka me mbajt’ dhunë vetëm dru dhe s’duan bukë, prishet ajo shtëpi.
-Shumë flitet në këto orë për shembull edhe çfarë do të ndjekë kryeministri, një lloj strategjie të presidentit serb Aleksandër Vuçiç, mikut të tij, apo mund të pësojë fatin e Gruevskit. Apo shkojmë drejt kësaj faze ku ka vënë diskutimi… Pra unë e kam shtruar pyetjen në emision… përballjen e Ramës dhe të rinjve, kush e fiton? Mes tyre, kush fiton?
Ilir Kulla: E para e njëherë kush humb. Ata të rinj s’kanë çfarë humbin. Se që të themi kush e fiton duhet të themi kush e humb njëherë. Kur s’ke çfarë humb, vjen ajo shprehja siçiliane… ‘më e errët se mesnata s’ka’. Ata mesnatë janë, çfarë t’i bësh atyre më shumë. Se kur të bësh analizën e përballjes do shohësh gjërat si janë. E dyta humb Shqipëria. Dhe automatikisht duke humbur Shqipëria, humb edhe ai që është në krye të Shqipërisë. Ndaj unë them që, ai është një njeri që ka 36 vjet eksperiencë politike, dhe ka moshën 62 vjeç. Pra është njeri i pjekur, i ka të gjitha eksperiencat, i ka të gjitha mënyrat, i ka të gjitha instrumentet, se ka dhe instrumentet, që të fillojë një proces politik, që ju e përmendët pak më përpara, që mund të jenë ndryshime kushtetuese, zgjedhje të parakohshme, e të tjerë e të tjerë, në të cilat ai dhe partia e tij do të kenë rolin kryesor, për t’i hapur vendit një rrugë… zgjedhje të presidentit nga populli nëse do të duam e të tjerë, për t’i hapur vendit një rrugë, për të shkuar në pikëpamje moderne në Bashkimin Europian. Po… ta shohim se ku di unë. Nëse ai i qëndron fjalës që tha ditën e enjte se sot është e mërkurë, pra pardje… kjo është luftë dhe do ta fitojmë. Do shkojmë në luftë atëherë. Se kështu e tha ai.
-Domethënë dorëheqje as që mendohet, ë?
Ilir Kulla: Shiko, ky është problemi i tij.
-Ai nuk e mendon të paktën kështu thotë.
Ilir Kulla: Ky është problemi i tij. Ai tha, unë tha, nuk dorëhiqem dhe do shkojmë në luftë dhe luftën do ta fitojmë. Dhe luftën do ta bëj me ata me gurë. Më rezulton që Izraeli, nuk e ka fituar akoma luftën e atyre që e bënin me gurë në vitin 1987-88, e kështu, atëherë ka filluar lufta me gurë. Sot jemi 40 vjet mbrapa, nuk më rezulton që e ka fituar. Tashi ndoshta e kam unë gabim.
-Po pse, ti e përjashton që kjo revoltë të shtypet me forcë, sepse edhe frika bën të veten. Të rinjtë janë ata…
Ilir Kulla: Çfarë do i bëjë me forcë? Çfarë do i bëjë me forcë? Ta thashë dhe një herë…
-Siç po ndodh.
Ilir Kulla: Do i marrin… po s’ka aty i ke në shesh, vazhdojnë. Se kështu hyjnë ditën e parë me mendjen që do përdorim forcën e këta do ikin. Në fakt, guerilja vazhdon, jemi në ditën e 10-të. Po vazhdon… të shtunën është paralajmëruar një protestë e madhe. Prandaj thashë, çfarë do i bëjë? O do krijojë një kamp të madh përqendrimi dhe do i vendosi diku 10 mijë veta, 20 mijë veta, të tjerë nga këta të rinj… do të them një barsoletë ose një batutë të atij skeçit të, atij teatrit të Besim Levonjës, me Qazim Mulletin. Se i kanë harruar shqiptarët se kemi pas’ letërsi e teatër e kulturë, i kanë harruar këto, janë mbaru’ të gjitha këto. Tashi paguajmë 4 milion euro kur i kemi këta pa bukë, për të marrë njërin nga ana tjetër e botës e për të na thënë që e bëmë alamet koncerti. Dhe nga aty… te kthesa e Kamzës nga aty ku është bërë koncerti 50 metra janë, aty ku fillon dhe jeton fukarellëku. 6 milion euro i dhamë atij. Dhe tek kjo vepra e Besim Levonjës, thotë ajo zonja thotë “ma kanë fut’ djalin padrejtësisht në burg” thotë, “u bë 6 muaj në burg”. Edhe ai thotë: “Po edhe unë thotë, po të isha 6 muaj në burg, do isha bërë komunist sot, se çfarë do mësojnë në burg ata”.




