Politike

“Vuri karriget si tek estrada e Gramshit”/ Shehi: Rama largohet me protestë masive, nuk ka më nevojë për dhunë

Ish-deputeti Dashamir Shehi ka ironizuar kryeministrin Edi Rama për ftesën e tij për dialog me studentët, ndërsa protestat kundër qeverisë kanë hyrë në ditën e tetë. Sipas Shehit, Rama po përpiqet ta paraqesë revoltën si një çështje kërkesash studentore, ndërkohë që demonstruesit po kërkojnë ndryshime politike dhe largimin e kryeministrit.
Në emisionin “Të Paekspozuarit”, në Vizion Plus, Shehi tha se protestat kanë marrë një drejtim që shkon përtej kërkesave të universiteteve. Ai kritikoi dhunën e ditëve të fundit, por vlerësoi se pjesëmarrja e pedagogëve dhe studentëve mund të nxisë një mobilizim më të gjerë qytetar.
“Them që në njëfarë mënyre kjo lloj proteste do të prodhonte një lloj dhune. Kam ndenjur te ajo protestë shumë ditë dhe kam uruar të mos shkonte puna deri këtu te dhuna. Nuk i kam qejf këto, djegiet dhe këto, gjykoj që nuk i bëjnë mirë, i shfrytëzon ai Edi Ramë më shumë, por me sa duket, pa dhunë në njëfarë mënyre nuk paska atë sukses që duhet të ketë. Sot kanë dalë pedagogët dhe studentët, e shoh si pozitive, që mund të dalë edhe qyteti. Pasi kur ka dhunë nuk del qyteti. Më pëlqeu ideja që ditën e shtunë të bëjmë një masive atje”, deklaroi Shehi.
Ish-deputeti u bëri thirrje qytetarëve të Tiranës që t’i bashkohen protestës së paralajmëruar për të shtunën, duke theksuar se pjesëmarrja masive është më e rëndësishme sesa përplasjet me policinë.

“I ftoj qytetarët e Tiranës të dalin, uroj që deri atë ditë të mos ketë aspekte dhune. Kur të kuptojnë që nuk e duan masivisht këtë person, ndoshta pastaj edhe nëpër rrethe do të marrin ndonjë dorë. Ndoshta edhe opinioni ndërkombëtar e ka kuptuar se ditët e këtij kanë marrë fund”, u shpreh ai.
Duke komentuar përpjekjen e Ramës për dialog me studentët, Shehi këmbënguli se kërkesat e tyre për kushte më të mira nuk mund të ndahen nga pakënaqësia më e gjerë ndaj qeverisjes. Sipas tij, kufizimi i debatit vetëm te problemet e universiteteve do ta zhvishte protestën nga përmbajtja e saj politike.
“Ne po themi studentëve, por e gjithë kjo punë nuk është çështje vetëm studentësh. Studentët bëjnë të vetën, bëjnë mirë që kërkojnë interesat e veta, kushtet. Kjo është demonstrim i shqiptarëve të pakënaqur kundër qeverisë së vet. Por ta reduktojmë siç do Edi Rama që do të negociojmë me studentët, këto muhabete nuk kanë vlerë. Protesta është politike. E ka thelbin politik, nuk është për kushte dhe batanije. Kushti i parë, të ikë kryeministri. Nëse e zhveshim nga aspekti politik, është si t’i thuash qeverisë, ky ishte një hall i vogël”, tha Shehi.

Ai shtoi se pakënaqësia nuk drejtohet vetëm ndaj një ministri apo një vendimi të qeverisë, por edhe ndaj mënyrës se si funksionon sistemi politik. Në këtë kuadër, ish-deputeti kërkoi zgjedhje të reja, ndryshimin e ligjit zgjedhor dhe rishikimin e Kushtetutës.
“Kjo është kundër kësaj qeverie, kundër këtij ministri. Falë Zotit edhe kundër këtij sistemi politik. Duam zgjedhje të reja, por me ligj të ri zgjedhor. Nuk duam më këtë Kushtetutë. Kanë artikuluar teza që bëjnë sikur nuk i dëgjojnë”, deklaroi ai.
Në fund, Shehi iu rikthye dhunës gjatë protestave, duke argumentuar se përplasjet në rrugë mund t’i shërbejnë politikisht qeverisë dhe të largojnë qytetarët nga demonstratat. Ai e mbylli ndërhyrjen me një kritikë të drejtpërdrejtë ndaj mënyrës se si Rama ka propozuar dialogun.
“Nuk më pëlqen çmimi i dhunës, pasi shpeshherë shkon edhe në favor të qeverisjes, bizneset kanë hallet e veta, qeveria e ekzagjeron pjesën e dëmit. Nuk ka nevojë për dhunë, por për masivitet. Nuk rrëzohet qeveria me guerrile urbane. Nuk ka ndodhur në vend tjetër. Uroj që deri të shtunën të ketë zgjidhje, ndërhyrje, por jo talljen që bëri ai sot, dialogu me ca karrige, pse çfarë është ajo Estrada e Gramshit? Kujton se janë budallenj shqiptarët, por këto gjërat ia thonë ata idiotët që ka vërdallë”, përfundoi Shehi.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button