Eli Fara sjell magjinë e serenatave korçare në Gjakovë më 28 Nëntor

Këngëtarja e njohur shqiptare, Eli Fara, do të performojë në Gjakovë më 28 nëntor, në kuadër të festivalit “Ditët e Nëntorit”, në një mbrëmje kushtuar muzikës tradicionale shqiptare dhe serenatave korçare.
Artistja do të ngjitet në skenën e Pallatit të Kulturës “Asim Vokshi”, duke filluar nga ora 20:00, e shoqëruar nga Ansambli Artistik Skënderbeu.
Përmes një njoftimi, organizatorët kanë bërë të ditur se pjesëmarrja e Eli Farës në këtë edicion të festivalit synon të sjellë para publikut muzikën e mirëfilltë shqipe dhe traditën e pasur muzikore të Korçës.
E kemi nderin e madh që në këtë edicion të festivalit ‘Ditët e Nëntorit’ me e sjell legjendën e kangës së mirëfilltë shqipe, të madhen Eli Fara, me shoqërim nga Ansambli Artistik Skënderbeu, dy perla korçare”, thuhet në njoftimin e organizatorëve.
Ata kanë vlerësuar veçanërisht kontributin e këngëtares në ruajtjen dhe interpretimin e muzikës tradicionale shqiptare, duke theksuar se serenatat korçare dhe këngët e saj origjinale kanë kapërcyer kufijtë dhe janë bërë të njohura në mbarë hapësirën shqiptare.
“Me një za që ta qetëson shpirtin, s’është aspak çudi që Eli Fara e ka zbukuru skenën dhe kangën shqipe për ma shumë se 30 vjet. Serenatat korçare që i interpreton ajo bashkë me kangët origjinale i përshkojnë kufijtë e njihen nga e gjithë shqiptaria”, thuhet më tej në njoftim.
Vlerësime të veçanta i janë kushtuar edhe Ansamblit Artistik Skënderbeu, i cili për më shumë se 50 vjet ka ruajtur dhe prezantuar traditën muzikore korçare.
Mbrëmja pritet t’i kushtohet muzikës që ndërthur trashëgiminë kulturore me interpretimin artistik, duke sjellë në Gjakovë tingujt e serenatave dhe këngëve tradicionale shqiptare në një datë të rëndësishme për shqiptarët.





