Aktualitet

Protestat, Begaj konsultime me ambasadorët perëndimorë dhe ish-presidentët Mejdani e Topi

Presidenti i Republikës ka vijuar kontaktet dhe takimet e veçanta me përfaqësues diplomatikë dhe ish-krerë të shtetit, në një periudhë kur vendi po përjeton ditën e tetë të protestave kundër qeverisë Rama. Begaj ka bërë më herët thirrje për dialog, përmbajtje dhe dëgjimin e kërkesave të të rinjve.
Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, ka vijuar takimet dhe konsultimet periodike, në një kohë kur Shqipëria po përjeton ditën e tetë të protestave.
Mësohet se kreu i shtetit ka zhvilluar takime të veçanta me ambasadorët e Shteteve të Bashkuara, Bashkimit Evropian dhe Gjermanisë, si dhe me dy ish-presidentët e Republikës, Rexhep Meidani dhe Bamir Topi.
Takimet me ish-presidentët Meidani dhe Topi janë zhvilluar veçmas gjatë ditës së djeshme, ndërsa sot Begaj ka pritur ambasadorin e SHBA-së, Eric Wendt. Në kuadër të kontakteve diplomatike, Presidenti ka zhvilluar takime të veçanta edhe me ambasadoren e Bashkimit Evropian, Sofia Moreira de Sousa, dhe ambasadorin e Gjermanisë, Karl Bergner.

Këto kontakte janë pjesë e takimeve periodike të kreut të shtetit me përfaqësues institucionalë dhe diplomatikë. Ato zhvillohen në një periudhë tensionesh në Tiranë, ku protestat e nisura nga studentët janë shoqëruar gjatë ditëve të fundit me përplasje mes demonstruesve dhe forcave të policisë.
Pak ditë më parë kreu i shtetit reagoi publikisht për situatën, duke theksuar se kërkesat e qytetarëve, veçanërisht ato të të rinjve, meritojnë vëmendjen e institucioneve.
“Shqipëria është atdheu ynë i përbashkët. Ajo është shtëpia e të gjithëve. Kam ndjekur protestat, kërkesat, por me keqardhje edhe aktet e dhunës së dy ditëve të fundit. Zëri i çdo qytetari meriton të dëgjohet, veçanërisht zëri i të rinjve, të cilët përfaqësojnë shpresën dhe të ardhmen e vendit tonë”, deklaroi Begaj në mesazhin e tij.
Presidenti dënoi gjithashtu aktet e dhunës, duke kërkuar që palët të tregojnë përgjegjshmëri dhe të shmangin përshkallëzimin e mëtejshëm të situatës.
“Por dhuna nuk është dhe nuk mund të jetë kurrë zgjidhja. Ajo dëmton shoqërinë, cenon sigurinë e qytetarëve dhe polarizon bashkëjetesën demokratike”, theksoi ai.
Në të njëjtin reagim, Begaj shprehu mbështetje për punonjësit e policisë në ushtrimin e detyrës dhe uroi shërim të shpejtë për të gjithë të lënduarit, si nga radhët e efektivëve, ashtu edhe nga protestuesit.
Kreu i shtetit shprehu gjithashtu gatishmërinë për të kontribuar në krijimin e një hapësire dialogu dhe mirëkuptimi, brenda kompetencave që i njeh Kushtetuta.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button