Aktualitet

Regjisori i njohur letër të hapur Edi Ramës: Ik para se të shuhet shpresa e një brezi!

Regjisori i njohur shqiptar Saimir Kumbaro i është drejtuar me një letër të hapur kryeministrit Edi Rama, duke i kërkuar të largohet nga detyra, ndërsa protestat e studentëve dhe qytetarëve në Tiranë vijojnë mes tensioneve dhe përplasjeve me policinë.
Përmes reagimit të tij, Kumbaro ndalet te pakënaqësia e të rinjve, të cilët kanë dalë në rrugë për të kërkuar ndryshim, duke e lidhur protestën me mungesën e shpresës për të ardhmen në vendin e tyre.
Regjisori i drejtohet drejtpërdrejt kreut të qeverisë, duke e vënë përballë përgjegjësisë për situatën që po përjeton vendi. Në thelb të mesazhit të tij qëndron bindja se zemërimi i studentëve nuk mund të shihet thjesht si një episod i izoluar, por si shprehje e pakënaqësisë së akumuluar ndër vite:
Letër e hapur Edi Ramës

Edi,
25 vjet më parë u premtove shqiptarëve një jetë me dinjitet. Sot, pas 25 vitesh, e vë rininë përballë dhunës. Të rinjtë e këtij vendi kërkojnë një arsye për të mos ikur, dhe ti u përgjigjesh me dhunë.
Dhe sikur kjo të mos mjaftonte, i krahason me Francën. Kjo është fyerje. Në Francë, të rinjtë protestojnë sepse u mungon letra e tualetit dhe duan më shumë shërbime nëpër gjimnaze. Studentët shqiptarë protestojnë sepse nuk kanë shpresë. Ata nuk janë të pakënaqur me një shërbim, por me një vend që nuk u ofron të ardhme. Ta barazosh këtë me shqetësimet e një gjimnazisti francez do të thotë ose të mos e kuptosh, ose të mos duash ta kuptosh. Dhe të dyja janë të rënda për një kryeministër.
Një shtet nuk matet nga ajo që premton, por nga mënyra se si i trajton të rinjtë kur nuk i duhen për votë. Ti po i trajton me dhunë dhe me përbuzje.
Prandaj po të them atë që e thonë sot mijëra zëra jashtë pallatit tënd:
JEP DORËHEQJEN!
Jep dorëheqjen, sepse je përgjegjës për gjithçka që po ndodh.
Saimir Kumbaro
Regjizor/Pamfleti

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button