Erion Braçe bën deklaratën e fortë: Vendimi më i vështirë në 30 vite të jetës time. Ose do rri, ose do iki nga PS

Deputeti socialist Erion Braçe në një lidhje live nga ambientet e jashtme të Kuvendit për emisionin “Now” me Erla Mëhillin në Euronews Albania ka folur lidhur me qëndrimin e tij për Reformën Territoriale.
Braçe e ka cilësuar këtë të enjte si dita më e vështirë në 30 vitet e tij në politikë.
Sipas tij sot i duhet të vendosë nëse do të vazhdojë të luftojë apo të largohet.
“Jo se nuk e kam ndarë ende mendjen, por sot Erla e besoj se edhe ti e di, që është dita më e vështirë e 30 viteve të mia.
Se duhet të zgjedh, po them sepse duhet të zgjedh, të vijoj të luftoj apo të iki.
Erla jam munduar edhe në intervistë me ty të shpjegoj që PS është partia ime dhe jo e atyre që më kanë gjetur në Parti”, tha ai.
Kjo, pasi kryeministri Rama i ka kërcënuar deputetët e PS që ose të votojn pro ndarjes së re territoriale, ose të ikin nga PS.
Braçe ka thënë se në mbledhjen e Grupit të PS-së iu tha në mëngjes se “kërkon protagonizëm individual” që kritikon, por nuk tha se kush ia tha këtë, edhe pse gazetarja e pyeti nëse ishte kryeministri Edi Rama.
Braçe: Po mundohesha të kujtoja atë që m’u tha mua sot në mëngjes në mbledhjen e Grupit Parlamentar të PS-së e që m’u tha: ti do protagonizëm individual. Ndërkohë që unë po pres përgjigje akoma për gjëra, të cilat m’u tha ke të drejtë. Se në këtë pikë kemi ardhur, që ti ke të drejtë, po kërkon protagonizëm.
Gazetarja: Kryeministri ishte?
Braçe: Këto fjalë i dëgjoj për kuriozitet.
Braçe pranoi se në mbledhjen e grupit parlamentar i është thënë nominalisht se, nëse nuk e voton Reformën Territoriale, do të largohet nga grupi i PS-së.
Braçe: “Kështu, sikur u tha sot dhe ishte nominale dhe m’u adresua nominalisht. Unë s’jam i listës së mbyllur, do e kisha moralin ta lija.
Sa kohë janë ato 25 mijë vota, natyrisht, u takon atyre ta thonë. Unë nuk iki nga PS.
Si mundet të pranoj që ca njerëz që më gjetën, thonë do ikësh nga PS-ja?”





