Cikli i Lazios ka përfunduar’/ ‘Kërcënon’ Sarri: Revolucion ose largohem në verë
Eliminimi nga Liga e Kampionëve djeg jo pak te Lazio, që për më tepër, po zhgënjen edhe në kampionat, ku duket e vështirë të arrijë një vend në zonën Champions të renditjes.
E pranon këtë edhe trajneri Maurizio Sarri, që në sezonin e tij të tretë në stolin e bardhekaltërve thekson se ka ardhur fundi i një cikli dhe paralajmëron rinovimin e skuadrës, ose largimin e tij.
Unë kam kontratë me Lazion deri në verën e 2025-ës, por dokumentet vlejnë deri në një farë pike dhe nuk mund të të mbajnë të lidhur me pahir. Unë mendoj se te Lazio ka përfunduar një cikël, pasi nuk kemi një skuadër shumë të re. Në verë duhet të rifillojmë me një revolucion, për të hapur një cikël të ri”, u shpreh trajneri.
Nuk munguan sërish pakënaqësitë e Sarrit me kalendarin, duke sjellë në vëmendje dopio-sfidën me Juventusin dhe derbin me Romën.
“Kalendari nuk ka qenë aleati ynë në një sezon shumë të ngarkuar. Madje edhe tani që jemi eliminuar, do ta kemi shumë të vështirë, Rikthehemi në fund të marsit me dy ndeshje radhazi ndaj Juventusit dhe derbin me Romën, të gjitha këto në harkun e 8 ditëve. Duket një çmenduri e vërtetë”, tha trajneri./syri.net