Ndalimi i Vlora Hysenit, Kryemadhi batuta me gazetarët: Dashuria, gjë e madhe! I patë si i fik radarët?

Ish deputetja, Monika Kryemadhi është shfaqur me batuta para gazetarëve dhe operatorëve, pak para nisjes së seancës gjyqësore.
Duke iu referuar çështjes së masës së sigurisë ndaj ish-kreut të SHISH, Vlorë Hysenit, dhe komunikimeve të saj me Ergys Agasin, Kryemadhi iu drejtua gazetarëve me tone ironike.
“Si jeni? Si keni kaluar? Jeni bërë gati, se keni ditë të gjatë sot?! I patë si i fik radarët. Dashuria, gjë e madhe. S’na i fikur njeri radarët ne, ne na i ndezën.”, u shpreh Kryemadhi para se të hynte në gjykatë.
Shefja e SHISH më 18 shtator, vetëm 4 ditë para se t’i komunikohej masa (më 22 shtator), ishte pyetur në Prokurorinë e Posaçme si person në dijeni për lidhjet me Ergys Agasin, biznesmenin e arrestuar më 26 gusht për aferën e AKSHI-t.
Në dorën e SPAK kishin rënë informacione të forta që e zinin ngushtë drejtoreshën e SHISH, 9 faqe dokumente të dyshuara të dhëna sekrete shtetërore dhe qindra komunikime të Hysenit me Agasin, të gjetura në makinën e tij gjatë kontrollit të 22 korrikut në “Equos Resort”.
Shefja i SHISH kur u pyet në mes të shtatorit, nuk e kishte një shpjegim për këto materiale të dala jashtë institucionit, duke thënë se do të kthente një përgjigje konfidenciale me shkrim.
Nga ana tjetër SPAK ka gjetur mbi 500 komunikime në celular të Ergys Agasit dhe Vlora Hysenit, nga fundi i qershorit deri më 26 gusht kur ai u arrestua në Durrës, të gjitha përmes aplikacionit të enkriptuar SIGNAL. Bisedat sipas prokurorëve Altin Dumani dhe Bledar Maksuti tregojnë një lidhje shumë më të afërt sesa, siç e cilësojnë ata, me një “të ashtuquajtur bashkëpunëtor”./Pamfleti




