Komandanti: Ju tregoj përplasjen me rusët për nëndetëset në Pashaliman!

Një nga episodet më të forta të historisë së Bazës së Pashalimanit lidhet me përplasjen shqiptaro-sovjetike dhe fatin e nëndetëseve që ndodheshin në Shqipëri. Ish-komandanti i nëndetëseve Kastriot Xhelaj tregon se kur sovjetikët kërkuan të merrnin nëndetëset, pala shqiptare mori masa për të penguar largimin e tyre.
Duke folur në “Shqip” nga Dritan Hila në DritareTV, Xhelaj thotë se Shqipëria nuk u mbështet vetëm te fakti se ishte pjesë e Traktatit të Varshavës, por përgatiti personelin e saj për të marrë në dorë nëndetëset.
Sipas rrëfimit të tij, situata u tensionua kur sovjetikët kërkuan t’i merrnin ato.
“Kur kërkuan rusët të merrnin nëndetëset, komandanti i bazës urdhëroi artilerinë bregdetare të mbulonte me zjarr daljen nga Pashalimani dhe njëkohësisht nxori anijet e lehta lundruese mbiujëse për të bllokuar daljen nga Pashalimani”, tregon Xhelaj.
Sipas tij, masat synonin të pengonin largimin e nëndetëseve që pala shqiptare synonte të mbante pas prishjes së marrëdhënieve me Bashkimin Sovjetik.
Rrëfimi rikthen një nga momentet simbolike të përplasjes mes Tiranës dhe Moskës, kur Baza e Pashalimanit dhe nëndetëset u kthyen në një nga pikat më të forta të konfliktit mes dy vendeve.
Për këtë episod, Xhelaj kujton jo vetëm përplasjen politike, por edhe gatishmërinë ushtarake që, sipas tij, u vendos në Pashaliman për të mos lejuar largimin e mjeteve nënujore./thuaje.al




