Rama su*mon SPAK: Nuk jam shitësi i Shqipërisë, askush nuk po e blen ishullin e Sazanit

Kryeministri Edi Rama ka folur për herë të parë në një intervistë maratonë prej 300 pyetjesh, ku një pjesë e rëndësishme e deklaratave të tij lidhen me çështjet më të debatueshme të kohëve të fundit, veçanërisht investimin e parashikuar në zonën e Sazan-Zvërnecit dhe përplasjet me SPAK-un.
Në një video të publikuar në rrjetet sociale, Rama shfaqet përballë gazetares Rudina Xhunga, në një intervistë që i paraprin sezonit të ri të podcastit të tij “Flasim”. Nga biseda janë publikuar disa prej deklaratave të kryeministrit, përmes të cilave ai prek çështjen e Sazanit, hetimet e SPAK-ut, por edhe raportet mes pushteteve.
Duke iu referuar investimit në Sazan, Rama mohon që ishulli t’u jetë shitur investitorëve dhe thekson se pronësia do të mbetet e shtetit shqiptar.
“Ata nuk po blejnë ishullin. Ata as nuk po marrin pronësinë mbi ishullin. Ai ishull do të jetë pronë e Republikës së Shqipërisë. Nuk jam shitësi i Shqipërisë”, deklaron Rama.
Kryeministri ka komentuar edhe veprimtarinë e SPAK-ut, duke e akuzuar këtë institucion për përdorimin e mediave për të dëmtuar imazhin e personave që më pas përballen me akuza.
“Kjo është një nga gjërat më të këqija që ka bërë SPAK-u, që ka përdorur mediat për të baltosur ata të cilët do të merrte nën akuzë. Kjo nuk bëhet”, shprehet Rama.
Në intervistë, kryeministri rikthehet edhe te një tjetër përplasje me drejtësinë, duke folur për një vendim gjyqësor që, sipas tij, ka tejkaluar kufijtë e kompetencave të pushtetit gjyqësor.
Prokurori bashkë me një gjykatës u bashkuan bashkë në një dhomë dhe vendosën që të bëjnë kryeministrin, parlamentin dhe presidentin. Unë këtë s’mund ta pranoj”, thotë ai.
Rama prek edhe situatën në Bashkinë e Tiranës dhe mungesën e kryebashkiakut Erion Veliaj, duke e cilësuar drejtimin e kryeqytetit në këto kushte si një “eksperiment social, politik dhe ekonomik”.
Ndërsa për pushtetin dhe pasardhësin e tij politik, Rama shprehet se nuk ka ndërmend të zgjedhë një të tillë.
“Pushteti është një kafshë e përbindshme, ka ngrënë e ka futur nën vete shumë burra”, thotë kryeministri, duke shtuar: “Unë personalisht nuk kam ndërmend të zgjedh pasardhës.”
Intervista maratonë mbyllet me një shkëmbim batutash mes Ramës dhe gazetares Rudina Xhunga, ndërsa kryeministri paralajmëron se një ditë do të largohet nga skena politike./Pamfleti




