Zjarret në Himarë e Fier, Rama urdhëron Bashkitë: Vlerësoni dëmet, dëmshpërblim për të prekurit

Kryeministri Edi Rama ka reaguar lidhur me situatën e zjarreve në Himarë dhe Fier, të cilat kaluan orë tmerri që prej pasdites së të premtes dhe përgjatë orëve të natës.
Në Himarë u dogjën 7 banesa, ndërkohë që u shkrumbuan edhe mijëra hektarë, përfshi edhe ullishte.
Në një postim në rrjetet sociale, Rama shkruan se tashmë nuk ka rrezik për banorët dhe zonat e banuara, ndërsa pushteti vendor do të evidentojë dëmet. Rama flet për evidentimin e rasteve që kanë nevojë për ndihmë urgjente, ndërsa ende nuk dihet se në çfarë mase Qeveria do të marrë përsipër apo do të dëmshpërblejë qytetarët.
“Himara dhe Fieri kaloi një natë shumë të vështirë mbrëmë.
Aktualisht situata është nën kontroll dhe nuk ka rrezik për banorët apo zonat e banuara. Strukturat përgjegjëse vijojnë punën në terren për monitorimin e situatës dhe evidentimin e dëmeve.
Bashkia do të vijojë identifikimin dhe vlerësimin e dëmeve, si dhe evidentimin e rasteve që kanë nevojë për ndihmë urgjente”, shkruan Rama në rrjetet sociale.
Nuk dihet se sa kohë mund të zgjasë procesi i vlerësimit të dëmeve apo se kur të dëmtuarit mund të marrin dëmshpërblimin, por referuar situatës së zjarreve të verës së 2025-ës, ato u shpërndanë muaj më pas.
Lidhur me zjarret e një viti më parë, Rama deklaronte se sigurimi i banesave dhe bizneseve nga fatkeqësitë natyrore, të tilla si zjarret apo tërmetet, do të bëhet i detyrueshëm me ligj. Sipas Kryeministrit, Shqipëria është i vetmi vend në Evropë që nuk e ka një ligj të tillë.
“Të gjithë duhet të marrin masa të përfshihen në skemën e re sigurimit nga fatkeqësitë natyrore, gjë që do ta sanksionojmë edhe në ligj. Jemi i vetmi vend në Europë që nuk e ka një ligj të tillë. Këtu nuk është fjala vetëm për shtëpitë, por është fjala edhe për sipërmarrjet, njësitë e biznesit që duhet të sigurohen”, deklaronte Rama.
Gjithashtu ai paralajmëronte se për tokat që digjen, nuk do të jepet leje ndërtimi për 30 vite. Por ato toka të djegura, do të mbillen e kultivohen sërish.
“Kemi bërë ndërhyrje ligjore të rëndësishme që aty ku vihet zjarr do të ndalohet çdo lloj leje ndërtimi 30 vjet. Pra, nëse një territor i cili është si të thuash hap oreks për të ndërtuar digjet, për 30 vjet aty nuk do jepet leja e ndërtimit. Ta kenë të qartë të gjithë se djegia nuk të sjell në kushtet që të thuash se nuk ka pemë aty dhe dua të ndërtoj. 30 vjet do të ndalohet dhënia e lejes së ndërtimit dhe ai territor do rimbillet”, shprehej Rama.




