Sali Berisha merr vizën amerikane, por DASH nuk i heq “non-gratën”, ish-kryeministri pranon publikisht se nuk e ka ftuar partia e Donald Trump

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, është njoftuar se i është dhënë vizë amerikane dhe pritet të udhëtojë javën e ardhshme drejt Shteteve të Bashkuara. Nënkryetari i PD-së Belind Këlliçi reagoi dje me entuziazëm në Facebook me shprehjen “bac u kry”. Berisha vetë konfirmoi ditën e djeshme se dokumentet e tij ndodhen në Ambasadën Amerikane.
Ai tha se do të udhëtojë në Teksas për të marrë pjesë në konferencën e Partisë Republikane Amerikane, duke e lidhur kështu vizitën me aktivitetin e republikanëve të Donald Trump. Por vetë Berisha pranoi publikisht se nuk është ftuar drejtpërdrejt nga Partia Republikane Amerikane.
Ai sqaroi se do të jetë pjesë e një delegacioni ndërkombëtar të ftuar nga International Democrat Union (IDU), organizata ndërkombëtare që bashkon parti të qendrës së djathtë nga vende të ndryshme. “Nuk kam prenotuar asnjë takim. Unë shkoj në Teksas në një konferencë të Partisë Republikane Amerikane. Jam në një delegacion ndërkombëtar, i gjerë, i cili është i ftuar nga partia kryesore në IDU”, deklaroi Berisha.
Berisha ende “non-grata”
Konventa Republikane pritet të mbahet në Dallas më 9 dhe 10 shtator. Berisha ka thënë se ka edhe një ftesë të dytë nga një institut amerikan i lidhur me këtë aktivitet. Megjithatë, emri i Sali Berishës, bashkëshortes Liri Berisha, djalit Shkëlzen Berisha dhe vajzës Argita Malltezi vazhdon të figurojë në listën publike të personave të dizenjuar sipas seksionit 7031(c) të Departamentit të Shtetit, për shkak të akuzave për “korrupsion të konsiderueshëm”.
Dizenjimi u bë në maj 2021 nga administrata Biden. Në qershor 2026, Departamenti i Shtetit konfirmoi se kishte lëshuar “waivers” (përjashtime) për disa dizenjime të mëparshme, duke argumentuar se kjo i shërbente “interesit kombëtar bindës” të SHBA-së. Berisha e ka paraqitur këtë si heqje të ndalimit të hyrjes, ndërsa lista zyrtare nuk është ndryshuar publikisht. Udhëtimi pritet të bëhet me vizë njëkalimshe.
Çfarë është një “waiver”?
Në praktikën amerikane, waiver është një përjashtim i posaçëm që i jepet një personi për të hyrë në Shtetet e Bashkuara, edhe pse normalisht hyrja do t’i ishte e ndaluar. Në rastet e personave të shpallur “non grata” ose të sanksionuar sipas nenit 7031(c), kjo mund të nënkuptojë dhënien e një vize apo lejimin e hyrjes për një arsye të caktuar. E rëndësishme është se waiver nuk do të thotë domosdoshmërisht heqje e sanksionit apo fshirje e statusit “non grata”.
Ai është një përjashtim për momentin, në këtë rast i lidhur me dhënien e vizës ose lejimin e hyrjes në SHBA për një rast të caktuar. Seksioni 7031(c) i ligjit amerikan kërkon nga Sekretari i Shtetit të ndalojë hyrjen në SHBA të zyrtarëve të huaj për të cilët ka informacion të besueshëm se kanë qenë të përfshirë, drejtpërdrejt ose tërthorazi, në korrupsion të rëndësishëm ose në shkelje të rënda të të drejtave të njeriut.
Mbi këtë bazë, në vitin 2021, ish-kryeministri Sali Berisha u shpall i papranueshëm për hyrje në Shtetet e Bashkuara. Megjithatë, vetë ky mekanizëm parashikon mundësinë e përjashtimeve. Raste të tilla njihen edhe në praktikën diplomatike amerikane. Një kategori e veçantë janë zyrtarët e sanksionuar që lejohen të udhëtojnë në Nju Jork për takime të Kombeve të Bashkuara, për shkak të detyrimeve që SHBA ka nga Marrëveshja e Selisë së OKB-së. Kjo marrëveshje u jep diplomatëve të drejtën e hyrjes për aktivitetet e OKB-së, edhe kur ndaj tyre ekzistojnë kufizime.
Po ashtu, Departamenti i Shtetit ka lëshuar përjashtime për zyrtarë të Uzbekistanit, Taxhikistanit dhe Turkmenistanit, kur ka vlerësuar se kjo i shërbente një interesi të rëndësishëm kombëtar të Shteteve të Bashkuara. Sipas të dhënave të publikuara nga organizata Human Rights First, gjatë viteve 2020–2024 Departamenti i Shtetit përdori dhjetëra herë këtë mekanizëm, duke lëshuar 61 përjashtime, pothuajse të gjitha lidhur me individë të përfshirë në shkelje të të drejtave të njeriut, jo korrupsion Shumica e këtyre rasteve mbeten konfidenciale, pasi raportohen Kongresit amerikan në dokumente të klasifikuara. Megjithatë, disa raste janë bërë publike. Një prej tyre lidhet me princin Nasser të Bahreinit.
Organizatat e të drejtave të njeriut kishin kërkuar vendosjen e ndalimit të vizës ndaj tij për shkak të akuzave për torturë, por udhëtimi i tij në SHBA në vitin 2024 ngriti dyshime se Departamenti i Shtetit kishte përdorur një përjashtim. Një tjetër rast lidhet me Arabinë Saudite. Pas vrasjes së gazetarit Jamal Khashoggi, SHBA vendosi kufizime ndaj një numri zyrtarësh sauditë, por në raste të caktuara ka përdorur përjashtime kur ka gjykuar se kjo i shërbente interesave strategjike amerikane.
Një kategori e veçantë janë zyrtarët e sanksionuar të cilëve u lejohet të udhëtojnë në Nju Jork për seancat e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së. Kjo lidhet me detyrimet që SHBA ka sipas Marrëveshjes së Selisë së OKB-së, e cila u garanton diplomatëve të drejtën e hyrjes për aktivitetet e Kombeve të Bashkuara, edhe kur ndaj tyre ka kufizime ose sanksione. Përjashtime të ngjashme janë përdorur edhe për zyrtarë të Uzbekistanit, Taxhikistanit dhe Turkmenistanit, kur Departamenti i Shtetit ka vlerësuar se lejimi i hyrjes i shërbente një interesi të rëndësishëm kombëtar të Shteteve të Bashkuara.
Ekspertët theksojnë se një waiver nuk përbën heqje të sanksionit dhe as rehabilitim të personit të sanksionuar. Ai është thjesht një përjashtim praktik, i bazuar në konsiderata diplomatike, strategjike ose të sigurisë kombëtare. Me fjalë të tjera, një person mund të mbetet i sanksionuar sipas nenit 7031(c), por njëkohësisht të përfitojë leje të posaçme për të hyrë në SHBA.
Kjo do të thotë se, në rastet e sanksioneve sipas nenit 7031(c), ekziston një dallim i qartë mes heqjes së sanksionit dhe dhënies së një përjashtimi. Heqja e sanksionit do të nënkuptonte shfuqizimin e vendimit që e shpall një person të papranueshëm për hyrje në SHBA. Ndërsa waiver është vetëm një përjashtim nga zbatimi i këtij kufizimi për një rast të caktuar./sot.com.al




