“Duhet të mësoja si mbahej tabakaja”, Anxhit nuk i pushojnë lotët: Ngela unë dhe Zoti!

Pavarësisht kohëve që jetojmë, në Shqipëri, nuk është zhdukur ende fenomeni i martesave me detyrim, sidomos për vajzat nën moshë. Në “Ka një Mesazh për Ty” të E diela Shqiptare në Tv Klan, Anxhi ka ardhur për të rrëfyer historinë e saj mjaft të trishtë.
E shkëputën nga gjimnazi për ta martuar me një bari të fshatit prej nga vjen, në Berat. Mirëpo, ajo nuk pranoi të njëjtin fat si për shumë shoqe të saj atje dhe vendosi të largohej drejt Tiranës.
Një vendim aspak i thjeshtë e shumë kurajoz, që u pasua më një mori dilemash, vështirësish e netë pa gjumë. Madje edhe një tentativë për të rifilluar shkollën, por që nuk e çoi dot deri në fund…
Anxhi: Arrita në një moment që thashë ok se nëse brenda kësaj jave, unë nuk gjej pune, është e kotë të jetoj. Shoh një njoftim pune në internet, unë kam jetuar diku te 1 orë larg nga ai vend pune. Shkoj atje, flas me zotërinë. Më thotë, ti s’ke mbushur as moshën, s’ke as eksperiencën.
Ardit Gjebrea: Për çfarë ishte kjo punë?
Anxhi: Kamariere në një bar. I them do të përpiqem ta mësoj. Duke e parë sa e vendosur isha, tha ok. Një javë sillesha me tabaka e me gota me ujë bosh, vetëm që të mësoja si mbahej tabakaja. Pastaj nisa punë, kaluan dy vite. Gjatë kohës që isha në punë, doja të rinisja edhe shkollën. Ishte qëllimi pse ika nga shtëpia. E rinisa shkollën, por një rrogë 300 mijë lekë (të vjetra), nuk më mjaftonte.
Nuk më mjaftonte as për qiranë, për shpenzimet, për një jetesë në Tiranë. Kishte raste që shkoja në shkollë paradite, në punë pasdite, kthehesha në shtëpi dhe më kapte gjumi në sallon. Nuk haja asnjë gjë, flija e uritur. Ose kishte raste që e gdhija natën duke lexuar. E pashë shumë të vështirë këtë gjë, thashë do e lë prapë shkollën, dhe e lashë. Fillova të punoj me dy turne, nga ora 5 e mëngjesit diku te 1 e natës për të pasur një jetesë normale në Tiranë. S’e kam pasur atë kohën të dal me shoqërinë, të udhëtoj apo nuk e di…
Ardit Gjebra: E bëre shkollën përfundimisht apo jo?
Anxhi: Jo!
Ardit Gjebrea: E ke peng akoma?
Anxhi: Ëhë, shumë! (Qan)
Ardit Gjebrea: Ke patur ndonjë lidhje gjatë kësaj kohe me mamin, me babin?
Anxhi: Kam tentuar disa herë të kem, por nuk më kuptojnë asnjëherë.
Ardit Gjebrea: Po me gjyshin?
Anxhi: Gjyshi ka ndërruar jetë në vitin 2020 edhe si me thënë ngela unë dhe Zoti! /tvklan.al




