Provokimi serb në Londër, Kurti i tregon vendin Brnabiç: Republika e Kosovës, jo Metohija
Samiti për investimet në Ballkanin Perëndimor në Londër u bë skenë e një përplasjeje verbale. Kryeministrja serbe, Ana Brnabiç, provokoi në disa raste kryeministrin Albin Kurti, duke iu referuar Kosovës si një krahinë autonome, e cila jashtë çdo realiteti vazhdon ta quajë “pjesë të Serbisë”. Në panelin të organizuar nga BERZH-i, ku të pranishëm ishin dhe përfaqësues të tjerë të vendeve të rajonit, shefi i qeverisë në Prishtinë dha një përgjigje që duket se shtangu homologen nga Beogradi.
“ Vendi im quhet Republika e Kosovës, jo siç iu referua këtu, ‘Kosova e Metohija’. Po të shkoja kësaj rruge do të merrja shumë kohë, sepse në vend që të thoja Serbia, do të duhej të thosha Serbia e Vojvodina, Sanxhaku, Toplica, Rashka, Lugina e Preshevës… Më mirë të përqëndrohemi në ekonomi.”
Kjo nuk është hera e parë që Serbia provokon hapur me këto metoda të vjetra, madje edhe në sytë e ndërkombëtarëve, përfshirë BE-SHBA, gjë e cila ka kaluar pa asnjë ndëshkim.
Por në secilin rast, përfaqësuesit e Beogradit janë përballur me realitetin, që Kosova është një shtet I pavarur. Ndër të tjera, Kurti nënvizoi se Kosova është e dedikuar për rend, ligj dhe luftim të korrupsionit në koordinim me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Britaninë e Madhe. Gjithashtu tregoi se si Kosova arrin të tregtojë me vendet mosnjohëse.
“Pikë së pari, partneri ynë kyç është bashkësia europiane dhe dëshirojmë që ta fuqizojmë këtë bashkëpunim. Kosova është njohur nga 117 vende anë e mbanë botës, 22 nga 27 në Europë, 26 nga 30 në NATO dhe 3 nga 4 vendet fqinje. Nuk kemi lidhje me Federatën Ruse. Iu kemi vënë sanksione atyre dhe duam që Ukraina ta fitojë këtë luftë. Na duhet bota dhe Europa demokratike që ta shohim të mposhtur Kremlinin dhe kryetarin despotik, Putinin.”
Kryeministri Edi Rama mori pjesë në event përmes një videomesazhi duke theksuar se Shqipëria është një vend I mirë për të shtuar investimet serioze. Të njëjtin mesazh lëshoi edhe kryeministri në detyrë I Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, për vendin e tij./A2 CNN