Politike

“Jam shpallur armik publik”, Açka godet fort: PD nuk ringrihet me ata që e shkatërruan

Ish-deputetja e Partisë Demokratike Flutura Açka shprehet skeptike ndaj përpjekjeve për unifikim të opozitës, duke vlerësuar se kriza që ka kapluar PD-në nuk mund të kapërcehet pa një ndryshim të thellë të brendshëm.

Në një intervistë televizive, Açka komentoi takimin e fundit mes drejtuesve të PD-së, aleatëve dhe shoqërisë civile, duke thënë se iniciativa ishte pozitive në dukje, por e dështuar në thelb, sepse “një pjesë e atyre që u ulën në tryezë janë vetë burimi i problemit”.

“Në përgjithësi opozitarizmi shqiptar, veçanërisht këta të PD-së, vazhdoj të mbetem kritike, skeptike sepse jemi në të njëjtën ligatinë politike, po kjo gjendje që na ka lënë në 11 Maj. Është shumë e vështirë nëse nuk bëjmë një transfuzion, një lëvizje, nuk mund ta ndryshojmë situatën. Iniciativa e djeshme ishte një iniciativë e mirë, por problemi është se një pjesë e tyre është se i bënin osanë Sali Berishës, ishte më shumë një qok për t’u ridimensionuar dhe për t’u thënë me zë të lartë se ky është i pari dhe do ta drejtojë opozitarizmin, pra këtë kemi vendosur të kemi”, tha ajo.

Sipas saj, opozitarizmi shqiptar ka mbetur i bllokuar në të njëjtin rreth vicioz dhe nuk arrin të frymëzojë elektoratin. Ajo theksoi se pa një “transfuzion politik” – hapje ndaj zërave kritikë dhe largim nga figurat që kanë konsumuar besimin publik – PD-ja nuk mund të rikthehet si alternativë qeverisëse.

Açka kritikoi edhe mënyrën se si takimi u shfrytëzua nga disa pjesëmarrës për të riafirmuar pozicionin e Berishës, në vend që të hapte debat për reformim real. Megjithatë, ajo vlerësoi zërat e shoqërisë civile që, sipas saj, artikuluan hapur zhgënjimin dhe mungesën e shpresës që prodhon sot Partia Demokratike.

“Për herë të parë dikush, përveç këtyre që dihet dhe janë shpallur armiq të PD-së, armiq publikë që e kritikojnë dhe i duan të mirën PD-së, kishte zëra që ishin shumë të qartë në atë që kërkuan. Thonin që kjo Parti Demokratike kështu siç është nuk frymëzon, në disa raste ishin të dëshpëruar, e dinin që kjo gjë nuk do të ndodhte, por ata kishin ndërmend ta thonin me shpirt. Unë personalisht nuk kam marrë ftesë pasi jam shpallur armik publik pa e ditur pse, se kam kërkuar një opozitë të fortë. Në fakt, një pjesë e asaj tavoline është problemi, ne jemi kundër këtij problemi, i cili në fakt është pjesë e këtij problemi. Kjo e krijon edhe këtë, jo vetëm këtë lloj konflikti mes asaj dëshire që kanë një pjesë e së djathtës dhe pamundësisë për të performuar në mbështetje të së djathtës, atë konflikt që e kam dhe unë personalisht”, u shpreh Açka.

“Problemi është se ne kërkojmë zgjidhje nga të njëjtët njerëz që e kanë krijuar krizën,” përfundoi Açka, duke theksuar se pa ndryshim rrënjësor, opozita do të vazhdojë të mbetet në vendnumëro.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button